STOP – EMISIONI 162 (SEZONI 4) – TV KLAN

STOP – EMISIONI 162 (SEZONI 4)

Emision: 16.04.2019

Komisioni i Prokurimit Publik anulon tenderin e stadiumit Prrenjas.

Pak muaj më në emisionin “Stop” u trajtua problematika e stadiumit të Përrenjasit, një investim 1 miliardë lekë i qeverisë shqiptare. “Domosdova” është në kategorinë amatore, megjithatë qyteti do të ketë një stadium me 500 vende. Kryetarja e bashkisë, Miranda Rira, tha asokohe se stadiumi i ri, ka qenë premtim i saj elektoral.

Por pas emisionit “Stop”, Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur anulimin e tenderit, duke i kërkuar bashkisë që të ribëjë një garë të ndershme.

Saimir Kodra: “Prokuroria e Qytetit të Elbasanit ka filluar hetimet, por përtej kësaj ka edhe një institucion tjetër që është qershia mbi tortë, Komisioni i Prokurimit Publik. Për atë tender të gjitha kompanitë u ankuan, përveç asaj që fitoi, kuptohet. Të gjitha kompanitë e tjera u ankuan sepse e panë non sens, të tjerët ishin afruar që e bënin edhe me më pak para. Ç’janë këto kritere që vihen sepse nuk është domosdoshmëri për të pasur agronom, apo për të pasur fabrikë duralumini për të fituar këtë tender. Një nga kompanitë, shumë prestigjioze, që ishte këtu, ishte ajo që ka bërë stadiumin e Shkodrës, të Elbasanit etj. Në deklaratë thuhet: ‘Komisioni i Prokurimit Publik gjykon se pretendimet e ankimuesve nuk do të merren në gjykim në themel, pasi procedurat e prokurimit duhet të anulohen për shkaqet e sipërcituara.’ Ato që kemi thënë ne. ‘Dhe për këtë arsye vendosi, të mos marrë në shqyrtim ankesat e kompanive me radhë, etj, etj, etj.’ ‘Autoriteti kontraktor të anulojë procedurën e mësipërme të prokurimit të prokurimit dhe me rihapjen e procedurës të ketë parasysh konstatimet e mësipërme të bëra nga Komisioni i Prokurimit Publik.’ Pra i thotë Bashkisë Përrenjas, anuloje, dhe kur të bësh të riun ki parasysh këto gjëra që sapo të thamë ne dhe që ia ka thënë edhe komisioni me shkrim.”

Gentian Zenelaj: Ta fitojë kush është më i zoti, kush ka parametra më të mirë, ore në fund të fundit ta fitojë kush di të bëjë stadium një herë.

Saimir Kodra: E fitoftë më i miri. Pra, përtej të gjithës, jua dhashë këtë sqarim për të kuptuar për të gjithë ata që në komentet e tyre, sigurisht në Facebook apo në uebin tonë thoshin ‘pse ç’të keqe ka?’ Jo ka një të keqe të madhe, të bëhet në këtë formë ka shumë të këqija, sepse janë paratë e të gjithëve ne që shkojnë atje vetëm për një pjesë të stadiumit. Ndërsa tani besoj se me rihapjen e tenderit, kjo kryetare apo tjetër, kushdo të jetë i radhës, gjerat do të jenë më të sakta dhe më të bukura.

Kodra tregoi edhe paktin telefonik që kishte bërë me Kryebashkiaken Miranda Rira gjatë kohës që ajo ishte shtatzënë. “Me Mirandën kemi bërë një pakt telefonik, sepse nuk e dija realisht që ishte shtatzënë. I urova të ardhtë i bardhë, pastë jetën e gjatë fëmija, qoftë i lumtur! Pas ditës së parë që ti zonjë do të lindësh, do të kesh përsëri probleme me emisionin “Stop”. Jo me mua personalisht, por për të gjitha ato çfarë ke bërë ti.”

Gentian Zenelaj: “Po edhe vetë kjo si nënë, derisa t’i bëhet djali 18 vjeç do të ketë nevojë për kopsht, për bahçe, për lulishte, jo për stadium.”

Gjirokastër/rrëshqitjet e 2018-ës, bashkia nuk dëmshpërblen banorët.

“Stop” ka udhëtuar drejt Gjirokastrës, ku në Shkurt të 2018-s, si pasojë e rrëshqitjeve të dheut janë dëmtuar 3 katet e para të një pallati, në zonën e njohur si Kodra e Shtufit.

Por një vit më pas, gjendja mbetet e njëjtë. Banorët thonë se nuk kanë marrë mbështetje nga Bashkia, edhe pse ishte Kryetarja e Bashkisë, që u kërkoi të ngrinin zërin për të marrë para nga qeveria.

Por në fund, 3 familjeve të dëmtuara iu dha nga 1 milionë lekë nga Bashkia, e 900 mijë nga Qarku. Në fakt gjendja në banesat e tyre është e rëndë dhe banorët kërkojnë rivlerësim të dëmit.

“Sapo ndodhi rrëshqitja, banesa ime u bë e pa banueshme. Në këtë moment ne morëm masat që të dilnim, të merrnim një shtëpi me qira, sepse nuk kishim asnjë lloj ndihme. Na erdhën Emergjencat dhe na bënë një vlerësim prej 1 milion e 900 lekësh të vjetra. Në këto kushte që unë kam shtëpinë sot, Kryetarja e Bashkisë apo kushdo qoftë, të më bëjë shtëpinë siç e kisha. Nuk dua lukse të tjera, dua vetëm shtëpinë që kisha”, thotë një prej banoreve.

“Ne jemi familja e dytë e dëmtuar, na ka shpëtuar Zoti, sepse na zuri e gjithë balta brenda. Presim që të na kalojnë lekët e rivlerësimit, se me çfarë do t’i bëjnë ne këto punë”, thotë një tjetër.

“Kur ra dheu herën e parë ne nuk e vlerësuam shumë, sepse na u duk sikur do të hiqej për pak ditë. Ishte sasi e madhe, siç është edhe sot sasi e madhe dheu”, shprehet banori tjetër.

“Javën e parë që ndodhi, ne ikëm fare nga shtëpia dhe tani kemi frikë se mos ndodh sërish e njëjta gjë, sepse dheu nuk është hequr, rrëshqitje ka akoma. Duam që kjo të zgjidhet sa më shpejt. Të paktën për fëmijët. Edhe jeta jonë është e shtrenjtë, por po mendojmë më shumë për ata”, thotë një banorja tjetër e prekur nga kjo ngjarje.

“Ma premtoi Kryeministri; Kjo punë do mbarojë, kushton ca, por do të mbarojë. Tani nuk dimë përse ka arritur deri këtu dhe nuk vazhdon. Duam të na dëmshpërblehet kjo që ka ndodhur, se përse ka ndodhur nuk e dimë. Fenomen natyror, apo njerëzor le të gjendet ku është e vërteta”, shton një tjetër.

Kryebashkiakja nuk i pret banorët, ndërsa specialistët e Zyrës së Urbanistikës thonë se është bërë sërish tenderi për përfundimet e punimeve të këtij projekti.

Qytetarja-Ne duam të takojmë kryetaren. Pse nuk do kryetarja që të na takojë? Siç na ka pritur ditën e parë, që na ka qarë hallin, të na presë edhe ditën e fundit.

Sekretarja-Kryetarja e ka axhendën komplet me mbledhje sot. Po çfarë shqetësimi keni?

Qytetari-Shqetësimi i parë është për rivlerësimin. Ka filluar kjo e bën nga vetja shtëpinë.

Sekretarja-Po!

Qytetari-Unë do ta bëj nga vetja!

Sekretarja-Bëj shkresë në protokoll, është edhe më zyrtare!

Qytetarja-Unë e kuptoj që ti kërkon të më përcjellësh mua. E kuptoj shumë mirë këtë gjë. Kryetarja vetë më ka mësuar, që kur mua më zuri halli i madh, më mori dhe më tha: Duhet dhe të shpallim gjendjen e emergjencës. Po, apo jo?

Sekretarja-Po!

Qytetarja-E ka thënë këtë gjë, përpos që të hiqet balta dhe të bëhet shtëpia. Tani unë me 2 milionë lekë, që më ka dhënë zonja kryetare e Bashkisë, unë nuk mund të zgjidh dot. T’i jap 2 milionë lekë zonjës kryetare dhe të më bëjë shtëpinë.

Sekretarja-Jam dakord!

Qytetarja-Zëre se më ka përdorur! Sa hodhi lekët në dorë dhe ia mori qeverisë, e kollandris siç do ajo.

Sekretarja-Bëj një kërkesë, për të gjitha problematikat! Do të marrësh përgjigje zyrtare!

***

Specialisti-Kur është hedhur tenderi për shkarje?

Punonjësja-Është mbyllur tenderi. Do të lidhet kontrata dhe do të fillojë puna.

Qytetarja-A e shpallët gjendjen emergjente për arsye se është pallati në rrezik dhe ju po bëni rrugën e s’bëni pallatin? Kjo është një problem.

Specialisti-S’e bëmë ne as projektin, as atë, ato i bëri qeveria. Ne tani si bashki, duke parë që kjo s’po përfundon…

Qytetarja-Juve na latë pallatin në ujë, ore zotëri! Për 3 muaj do mbarojë, vajtën 9 muaj dhe s’keni bërë asgjë!

Specialisti-S’e kemi ne atë, e kanë firmat.

Qytetari-Një vlerësim… pse s’ka ardhur njeri që të na thotë: Ore, kjo shtëpi nuk bën një lekë?

Specialisti-Nuk kanë ardhur për rivlerësimin?

Qytetari-Jo, s’na kanë ardhur!

Specialisti-Duhet të ketë ardhur për së dyti.

Qytetari-S’ka ardhur, jo!

Nga ana tjetër, te Emergjencat Civile, drejtori përplaset me banorët dhe i nxjerr jashtë këta të fundit.

Qytetari-U prish shtëpia, o burrë sa bën vlerësimi? Kaq bën? Ma jep të shkruar, që bën 1 milionë e 900 mijë.

Përgjegjësi-Ik bëj një kërkesë poshtë atje!

Qytetari-Hajde shikoje ti tani! Hajde shikoje tani ti!

Përgjegjësi-Mos më thuaj tani ti mënyrën e Emergjencave..!

Gazetarja e Stop bisedoi edhe me juristin e Bashkisë së Gjirokastrës.

Juristi-Do të marrësh një përgjigje zyrtare, duke qenë se problemi është kompleks dhe nuk e përcakton dot një zyrë dhënien e drejtimit të këtij problemi. Atëherë do të bësh një kërkesë me shkrim…

Gazetarja-Flasim për 2018-n, ka kaluar një vit. Çfarë ka bërë Bashkia për 1 vit?

Juristi-Do bëni një kërkesë me shkrim, zyrtare.

Gazetarja-Shih, prap kërkesë me shkrim! O zotëri, mos na..

Juristi-Brenda afateve ligjore, do merrni kërkesën zyrtare!

Gazetarja-Po ju i keni kaluar afatet ligjore!

Megjithatë, gazetarja e Stop nuk u ndal me kaq dhe foli me nënkryetarët e Bashkisë dhe Drejtorin e Emergjencave Civile, i cili tha: “Do të ngrihet një urdhër i posaçëm nga Kryetarja e Bashkisë, me specialistë të fushës, të bëjë rivlerësimin e dëmeve për të arritur në përfundimin që dëmi i shkaktuar është në shumën kaq lekë”.

“Unë nuk dua që kjo të jetë një fjalë e lëshuar në ajër. Dua që të jetë me dokumentacion të rregullt dhe të më përgjigjen për shtëpinë që kam një vit që kam dalë jashtë dhe rri në qiell të hapur. Dua një zgjidhje nga Kryetarja e Bashkisë, që emisionit Stop që unë i jam drejtuar dhe ka ardhur këtu në Gjirokastër dhe vajti dy ditë që po i fshihet dhe nuk po na jep asnjë intervistë dhe asnjë zgjidhje për këtë çështje, për hallin tim. Nëpërmjet emisionit Stop i drejtohem zonjës Kryetare, të hedhë edhe njëherë sytë dhe të vijë ta shikojë nga afër gjendjen që unë ndodhem tek shtëpia në Kodrën e Shtufit, pasi ka një vit dhe ajo nuk ka begenisur të vijë ta shikojë, e jo më të më japë mbështetje mua”, shprehet në fund denoncuesja.

Drejtuesit e Stop, Saimir Kodra dhe Gentian Zenelaj sollën në vëmendje edhe deklaratën e Kryeministrit Edi Rama, të bërë një vit më parë, në kohën kur ndodhi ngjarja.

“Besoj që ju jeni të interesuar edhe për atë pikën kritike këtu në qytet, ku prej vitesh ka pasur përsëritje të një situate të vështirë që arriti edhe në një kulminacion dramatik, me një rrëshqitje të konsiderueshme të dheut. Faktikisht për fat të keq nuk ka pasur shumë gatishmëri nga ana e Bashkisë, por është kapërcyer me kryerjen e studimit të plotë dhe projektit nga qeveria dhe pavarësisht të kostos relativisht të lartë të projektit, ne jemi angazhuar që ta bëjmë të plotë ndërhyrjen dhe ta zgjidhim njëherë e mirë atë pikë të qytetit që është edhe një shqetësim real për shumë banorë në atë zonë”, deklaroi Kryeministri në atë kohë.

Nuk merr mjekim për kancerin e tiroides, qytetarët ndihmojnë pacientin.

Pak ditë më parë, Hajdër Bendaj iu drejtua emisionit “Stop”, pasi vuan nga kanceri i tiroides dhe është trajtuar me medikamentin, Sorafenib(Nexavar) për 6 muaj nga mjekët e Qsut-së. Por ky medikament nuk futet tek lista e mjekimit të rimbursueshëm dhe një pako kushton 5 milionë lekë. Doktoresha onkologe i tha, se për sëmundjen e tij, nuk ka filluar të ketë protokoll.Për shkak të burokracive, Hajdër Bendaj nuk merrte mjekim prej 8 muajsh.Pasi panë emisionin, Ergest Krakulli nga Lushnja dhe Mikel Kokuja nga Belshi i ofruan Hajdërit një sasi medikamenti.

Kategori
STOP
0 Komente

Përgjigju

*

*