Pamjet e rralla, kur Lulzim Basha vinte në Tiranë me hetuesit e Hagës.

Nënkryetari demokrat Edmond Spaho ka bërë një status, ku shprehet se holandezët do ia hanë kokën Ramës dhe përmendi mes holandezëve skuadrën e Ajaxsit, parlamentin holandez, që votoi kthimin e vizave për Shqipërinë dhe Lulzim Bashën.

“Pyetja që shtrojmë të gjithë është ‘çfarë ka dashur të thotë autori Edmond Spaho me ‘holandezët’ ku ka përfshirë edhe Lulin brenda?’. Në fakt Holanda të dashur miq është i vetmi vend që ka kërkuar të hiqen vizat. Po a jeni mirë, apo s’jeni mirë?”, tha drejtuesi i emisionit “Stop”, Saimir Kodra.

“Megjithatë Luli ka folur për këtë çështje”, tha me Ironi Kodra. “Ja tek është ulur në krah të Pandeli Majkos”.

Gentian Zenelaj: Luli…është Luli me model flokësh ‘Backstreet Boys’.

Saimir Kodra: Keni ngatërruar pamjet. Është Edi Rama kryeministër, nuk është Pandeli Majko.

Gentian Zenlaj: Kur unë i kisha flokët si Sali Berisha, Luli i paska pasur si ‘Backstreet Boys’.

Saimir Kodra: E shikoni sa çun i ri ka qenë?

Gentian Zenelaj: Pandi me flokë të zeza, e pabesueshme.

Saimir Kodra: Janë pamje arkive, është koha kur Pandeli Majko ka qenë Kryeministër dhe Luli ka ardhur me një grup holandezësh dhe përkthente.

Gentian Zenelaj: Do zoti vjen prapë kjo koha kur Pandeli Majko të bëhet kryeministër.

Pamjet e rralla të transmetuara në “Stop”, i përkasin Majit të vitit 1999, kur Lulzim Basha vinte në Shqipëri me hetuesit e Hagës, në pozicionin e përkthyesit, për të dokumentuar krimet e luftës të serbëve ndaj popullsisë kosovare.

Durrës, mjekja e familjes i refuzon ilacet e mjekëve të Sanatoriumit.

“Stop” është ndalur në Durrës për problemin e 77-vjeçarit Shyqyri Stari. I moshuari është diagnostikuar e mjekuar në Sanatoriumin e Tiranës dhe mjekët specialistë i kanë thënë që duhet të vijojë kurimin me medikamentin e quajtur Ksarelto.

Por mjekja e familjes në Durrës nuk ia jep këtë ilaç, pasi thotë se e ka me protokoll që duhet të nisë mjekimin me medikamente më të lira.

“Në fillim kam ndenjur 3 javë i shtruar në spitalin e Durrësit, nuk pata asnjëlloj përmirësimi. Privatisht shkova në Sanatorium, pa rekomandim pa kurrgjë fare. Më përcaktuan diagnozën, mpiksje gjaku dhe trombozë arteriale. Dola nga spitali atë ditë na thanë ty të takon ky medikament, me rimbursim për gjithë jetën. Marr rekomandim nga mjekja e lagjes, e firmosim tek mjeku i Dispancerisë së Durrësit dhe Spitalit. Shkuam në Sanatorium, e firmosën mjeket, ia sollëm mjekes së lagjes, jo tha, nuk e jap. Më jep diçka tjetër, sepse po t’i jap i paguaj unë tha, na gjobisin… këtë nuk e kuptoj. “

Denoncuesi thotë se nuk e ka marrë medikamentin e dhënë nga mjekja e familjes.

“Nga data 25 Mars e deri më tani blej dy kokrra nga 6 mijë lekë në ditë. Unë jam pensionist, unë me këto medikamente nuk bëj eksperiment me jetën time, sepse do ajo mjekja e lagjes, e kush i ka këto rregulla.

Edhe në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor thonë se nuk kanë kompetencë të anashkalojnë protokollin, ndaj nuk mund t’i japin Ksarelto të moshuarit.

“Mjeku ka një kontratë me Fondin, ka një protokoll të përdorimit të barnave, ka dhe kufizimet e listës së barnave dhe është i detyruar që t’i zbatojë. Dhe në bazë të këtyre ai ka ndjekur një skemë tjetër, kështu që prandaj nuk e ka marrë akoma. Por është një mjekim që pacientit do t’i jepet në momentin kur mjeku i familjes e shikon të arsyeshme”, thotë drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Nr.2 Durrës, Tristana Duni.

Kur do të ndodhë kjo gjë? Si mund ta kuptojë një qytetar i thjeshtë, që duhet të përdorë dy mjekime të tjera, ndërkohë që nga 5 specialistë i është rekomanduar kjo?

“Pacientit i jepet mjekimi siç e mendon mjeku i familjes dhe në bazë të protokollit, ndiqet me një analizë laboratorike dhe kur ai mjekim nuk bën efekt atëherë mjeku e gjykon të arsyeshme që ta ndryshojë mjekimin dhe të kalojë në mjekimin që rekomandohet nga spitali Shefqet Ndroqi”.

Këtë problematika i keni përcjellë në Fond ose në Drejtori më të lartë se ju?

“Po patjetër që i kemi përcjellë. Janë rregulla të përcaktuara nga institucione të tjera dhe ne jemi të detyruar t’i zbatojmë”.

Ish-ministri demokrat i fushës, Tritan Shehu shpjegon se këto burokraci i kushtojnë pacientit, ndaj duhet t’u jepet përparësi medikamenteve bashkëkohore nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi.

“Është një problem i madh në tërësi për shumë medikamente të tilla, mjaft të përdorshme tashmë, në një mjekësi moderne. Mjaft të aksesueshme dhe me dobi ndaj të sëmurit, por që kanë një farë kostoje financiare siç kanë të gjithë medikamentet sot në botë. Ne në këtë moment, jo vetëm që kemi një listë të rimbursimit të medikamenteve shumë të shkurtër, rreth 420-430, jo vetëm që rimbursimi nuk është i plotë në vlerë në shumicën dërrmuese të tyre, por është në vlerë 40-60 përqind të vlerës të medikamentit, por ne kërkojmë që ta ngushtojmë akoma më shumë përdorimin e këtyre medikamenteve të rimbursueshme, duke futur artifica të ndryshme, kushte/kondita të ndryshme, për të ulur sa më shumë numrin e të sëmurëve që përfitojnë nga këto medikamente që përdoren tashmë në mjekësinë moderne në mënyrë shumë të gjerë. Gabimet fillojnë realisht nga një koncept artificial për të bllokuar rimbursimin e këtyre medikamenteve dhe për t’i zëvendësuar ato me alternativa të tjera, që nuk janë të cilësisë sa këto, janë me kosto shumë më të ulët dhe nuk kanë benificën shkencore siç kanë medikamente të tjera, siç është tipi i Ksareltos. Dhe është detyra e Ministrisë së Shëndetësisë, e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, e shtetit shqiptar, që t’i sigurojë një mjekim adeguat dhe bashkëkohor këtyre të sëmurëve. Pra nuk mundet ta futësh në labirinte të tilla burokratike dhënien e këtij lloj medikamenti. Unë mendoj dhe gjykoj që ka ardhur momenti, jo vetëm të zgjerojmë listën e medikamenteve, por të zgjerojmë edhe numrin e alternativave të para për çdo medikament, në medikamente të tilla bashkëkohore. Padyshim në këtë mënyrë ne do t’i shërbejmë më mirë të sëmurit”, thotë Shehu.

Vettingu i noterëve, përplasje Ministres Gjonaj-Sadushi.

Në radhën e procesit të vettingut, pas gjyqtarëve janë edhe noterët. Ligji parashikon që brenda një muaji, noterët të dorëzojnë dosjet në Ministrinë e Drejtësisë, por deri tani gjithçka ka mbetur në vend numëro.

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në përgjigje të interesimit të “Stop”, thotë se janë hartuar të gjitha aktet nënligjore dhe ka nisur zbatimi i ligjit.

Gazetarja: Zonja Ministre përshëndetje! Ligji 110 për noterinë, në një nga pikat thotë se duhet bërë edhe vetëdeklarimi. Do doja të dija përse nuk keni hartuar aktet nënligjore, që edhe noterët të vazhdojnë me procedurën e vetëdeklarimit?

Etilda Gjonaj: Janë të gjitha të hartuara, edhe urdhri i cili duhet të dalë për efektin e verifikimit të noterëve, kriteret, etj. Është bërë gati dhe është firmosur…

Gazetarja: Kur do të nisë zbatimi?

Etilda Gjonaj: Ka filluar zbatimi…

Por nga ana tjetër, Mimoza Sadushi, kryetare e dhomës së noterëve, shpjegon se procesi i dorëzimit të dosjeve, nuk ka nisur për shkak të akteve e formularëve që duhet të përgatisë Ministria e Drejtësisë.

Gazetarja: Ka dalë një ligj për vettingun e noterëve, a ka hyrë në fuqi dhe a kanë dalë aktet nënligjore?

Mimoza Sadushi: Është ligji për noterinë, ligji i ri, i cili kishte rreth 3 vjet që përgatitej. Pra mund të them se ky është një ligj për noterët, për rregullimin e veprimtarisë së noterëve. Është një ligj i mirë, i cili ka rregulluar më së miri të gjithë veprimtarinë noteriale, pra të gjitha ato boshllëqet që ne i kishim. I kemi rregulluar me atë të këtij ligji. Është forcuar kontrolli i veprimtarisë noteriale nga Ministria e Drejtësisë, si dhe janë parashikuar një sërë procedurash për hyrjen në profesion ku janë forcuar të gjitha kriteret për hyrjen në profesion.

Gazetarja: Në një nga pikat e këtij ligji, thuhet brenda një muaji noterët duhet të bëjnë gati dosjen për ta dorëzuar dhe më pas të nisë procedura. Ka kaluar tashmë një muaj, ku ka ngelur i gjithë problemi?

Mimoza Sadushi: Po, është e vërtetë që ky ligj parashikon që të gjithë noterët dhe asistentë noterët brenda një muaji duhet të dorëzojnë dosjen, pranë Ministrisë së Drejtësisë, por gjithashtu ligji parashikon që nga ana e ministrisë së Drejtësisë do të përgatitet një formular që duhet ta plotësojnë të gjithë noterët. Dhe njëkohësisht ky formular do të parashikojë se çfarë dokumentacioni do të dorëzojnë noterët, prandaj deri sot noterët nuk kanë dorëzuar këtë dokumentacion, sepse duhet të përgatitet paraprakisht nga ministria e Drejtësisë.

Gazetarja: Pra në këtë rast është ministria e drejtësisë që deri diku mban pezull këtë ligj, sepse s’ka nxjerrë aktet?

Mimoza Sadushi: Po, është Ministria e Drejtësisë ajo që duhet të nxjerrë urdhrin se çfarë dokumentesh duhet të dorëzojnë noterët pranë kësaj ministrie.