Rama e Kumbaro sjellin himnin kombëtar në version remiks.

Pak ditë më parë kryeministri Rama e pas tij edhe ministrja e kulturës Mirela Kumbaro na përshëndetën nga profilet e tyre në facebook me himnin e flamurit, por në version të përpunuar. Kjo ndodhi, pasi Komisioni Europian dha rekomandimin pozitiv për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Nëse në qershor Këshilli Europian nuk e miraton këtë rekomandim, Rama mund të shfaqet sërish me dajre në dorë duke kënduar: Ra Faja prej fiku”…?!

Prokurori e gjykatë i mohojnë mamasë kujdestarinë, vajza me gjyshërit.

Sot në emisionin “Stop” u trajtua një temë mjaft delikate, largimi i fëmijës nga nëna e tij në mënyrë të padrejtë. Lisiana Hoxha përpos faktit që kaloi një martesë të dështuar, endet prej vitesh për të fituar kujdestarinë e të bijës, Theodhorës.

“Unë kam pasur vajzën të martuar me Renato Xhogun. Nga martesa e tyre lindën një fëmijë, Theodhora Xhogun. Gjatë martesës së tyre patën shumë kontradikta me njëri – tjetrin, ishin shumë të dhunshëm si vetë personi, edhe prindërit e tij, sidomos e ëma dhe e motra. Vajza nuk i duroi dot dhe një ditë mori fëmijën dhe erdhi në Shqipëri. Vjen i ati dhe e merr vajzën me dhunë. Nuk kishte orë që të mos merrnim kërcënime dhe vajzës i thoshte që do ta fuste në qese të zezë dhe do ma sillte në Shqipëri. Për këtë ka tabulate telefonike, janë të gjitha të vendosura dhe të shkruara. Ia la kujdestarinë e tij. Martesa e tyre zgjati deri në vitin 2008”, u shpreh i ati i Lisianës, Naim Hoxha.

Më datë 8 Maj të vitit 2008, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë pranoi kërkesë-padinë e Lisiana Xhogut dhe zgjidhi martesën me të paditurin Renato Xhogu, duke ia lënë kujdestarinë e vajzës këtij të fundit dhe duke i lënë të drejtën paditëses ta takojë dy herë në muaj.

Por ky vendim nuk e respektua, pasi Lisiana Xhogu nuk e ka parë më vajzën e saj, Theodhorën. Naim Hoxha tregoi se më 13 Prill 2017, ish-bashkëshorti i të bijës ndërroi jetë në Greqi, si pasojë e një aksidenti. Familja e tij u rikthye në Shqipëri dhe fillimisht i premtoi familjes Hoxha se do të mund ta takonin vajzën e vogël, por rezultoi krejt e kundërta.

Ndaj dhe Lisiana iu drejtua sërish Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë me një kërkesë-padi për ndryshimin e përgjegjësisë prindërore të Theodhora Xhogut, por gjyqtarja Mirela Mishgjoni e rrëzoi kërkesën e saj, duke ia lënë kujdestarinë gjyshërve nga ana e të atit.

Motra e Lisianës, Eriselda Hoxha tregoi se mbesa e saj ka kaluar kufirin e Shqipërisë me vendim të prokurorit Aurel Zarka, pa qenë në dijeni e ëma. Gjatë një takimi me këtë prokuror, Lisiana ka mundur ta regjistrojë duke i thënë se është ai që vendos se çfarë ndodh me denoncimin e saj.

Lisiana – Si jeni? Mirë?

Prokurori Aurel Zarka – Mirë!

Lisiana – Mund të hyj brenda?

Prokurori Aurel Zarka – Çfarë ke?

Lisiana – Dua të bëj një pyetje!

Prokurori Aurel Zarka – Po!

Lisiana – Kam pasur një denoncim që kam bërë dhe doja të dija, çfarë është bërë me këtë denoncim?

Prokurori Aurel Zarka – Është mosfilluar.

Lisiana – Pse është mosfilluar?

Prokurori Aurel Zarka – Se ashtu e kam vendosur unë!

Lisiana – Si mund të vendosni juve ashtu?

Prokurori Aurel Zarka – Unë jam ai që vendos!

Lisiana – Po kush është arsyeja, që keni vendosur ashtu?

Prokurori Aurel Zarka – Po i kam shkruajtur aty. Ke të drejtën e ankimimit në gjykatë!

Naimi tha se disponon gjithashtu një regjistrim të bisedës së të bijës me ish-kunatën e saj, Entela Mehmetit, e cila është shprehur se ajo dhe prindërit e saj janë kompetentë për vajzën dhe Lisianës do t’i duhej ta harronte kujdestarinë.

Lisiana – Dua vajzën!

Ish-kunata – Ok, lëre kujdestarinë mënjanë!

Lisiana – Si ta lë kujdestarinë?

Ish-kunata – Lëre! Kaq kohë vajza me kë ka jetuar? Kush e ka pasur atë kujdestari? Atë kujdestari e ka pasur Spirua (Renato, ish-bashkëshorti)

Lisiana – E kishte Spirua…

Ish-kunata – Dhe kujdestaria do kalojë automatikisht në… tek mami dhe tek babi. Kjo është 1 milionë përqind e garantuar! Kujdestarinë harroje! Ana, nuk ta lëshojmë dot kujdestarinë, është gjëja më e shtrenjtë që na ka ngelur nga Spirua.

Lisiana – Entela, unë nuk shoh…

Ish-kunata – Ne tek ajo çupë i kemi sytë! Vajzën e kemi ne. Jemi ne kopetentë, Ana. Unë, mami, babi. Asnjë tjetër! Po më dëgjon, çfarë them?

Lisiana – Po, të dëgjoj!

Ish-kunata – Unë, mami dhe babi. S’ka asnjë tjetër në mes! Çdo gjë e kam në dorë! E kemi në dorë, Ana! Do t’i japësh drejtim… do të vazhdosh me gjyqet? Jepi! Do dalësh e humbur! Do dalësh e humbur!

Por sipas nenit 225 të Kodit të Familjes, nëse një nga prindërit ka vdekur, përgjegjësia prindërore ushtrohet automatikisht nga prindi tjetër.

Ndërsa gjykata e ka vlerësuar këtë një natyrë tjetër konflikti dhe kërkesën të pabazuar në ligj dhe prova e si rrjedhojë e ka rrëzuar.

Moderatorët e emisionit “Stop” thanë se gjyqtarja ka bërë parashtrimin e ligjit e më pas e ka rrëzuar kërkesën, çka rezulton e pakuptimtë.

“Kjo është e tmerrshme! Është një paçavure!”, u shpreh Saimir Kodra.

Lisiana rrëfeu historinë e saj të trishtë të martesës së dështuar dhe kërkesës së pashpresë për të qenë pranë vajzës së saj tanimë 12-vjeçare.

“Vajza nuk e dinte që ekzistonte mamaja e saj dhe sot e kësaj dite ajo i flet gjyshes ‘ma’. Pas 12 vitesh m’u dha mundësia ta takoj vajzën time vetëm në Gjykatën e Greqisë”.

Ajo tha se ka kryer tre denoncime për kujdestarinë e të bijës, por nuk ka mundur dot të gjejë zgjidhje.

“Nuk kërkoj asgjë më shumë, kërkoj vetëm fëmijën tim! I drejtohem shtetit shqiptar: Jam nënë! Vjehrri im është marrë me drogë dhe ka bërë 5 vjet burg në Shqipëri. Burri im punonte me punë të pista, me prostituta në rrugë. Si mund të jetoj vajza ime me ata njerëz?”, u shpreh Lisiana Hoxha.

Pamjet makabre: A nuk i vrasin dhe qentë kështu?!…

Emisioni “Stop” sjell sot pamje ekskluzive e makabre të mënyrës sesi janë vrarë qentë dhe më pas janë hedhur në landfillin e Sharrës nga Bashkia e Tiranës në muajin Prill të vitit 2017 dhe të vitit 2018.

Aktivisti – xxx, e mo..!

Roja i Sharrës – Hëëë, ç’bone?

Aktivisti – Si je ti? Si kalove?

Roja i Sharrës – Mirë!

Aktivisti – Eee, shumë erë e keqe mbaka këtu, o burrë! Ça janë gjithë këto qen?!

Roja i Sharrës – Këto të bashkisë.

Aktivisti – Mbaka erë e keqe shumë, o burrë!

Roja i Sharrës – Ka një javë, dy…

Aktivisti – Ëëë…

Roja i Sharrës – Ka një javë a dy që i kanë hedhur qentë.

Aktivisti – Çfarë flet oo?! Po paska sjellë shumë. Ça bëhet?!

Roja i Sharrës – Pooo, tani s’ka sjellë më… këto nja dy ditë.

Aktivisti – Ça thu ti, mo vëlla?! Sa ditë u bënë që s’kanë sjellë më?

Roja i Sharrës – Këto kamionçinat që janë portokalli.

Aktivisti – Ëëëëë i bien këto kamionçinaaat?

Roja i Sharrës – Pooo!

Aktivisti – Ëëëëëëëëë, mbaka shumë erë e keqe mo burrë! Seç dreqin i vrasin këto qentë, pash Zotin!

Roja i Sharrës – Janë kalbësira mo! I vrasin andej rrugëve.

Aktivisti – Ëëëë…

Roja i Sharrës – I vrasin nëpër qytet rrugëve, mo burrë.

Aktivisti – Po pse i lini t’i hedhin këtu në Sharrë mo burrë?

Roja i Sharrës – Po s’i kemi parë.

Aktivisti – S’i kemi parë. A janë të bashkisë ato?! Ato nga bashkia vijnë.

Roja i Sharrës – Janë me autorizim bashkie, ça me i bo ne?!

Aktivisti – Janë me autorizim bashkie? Po gjynaf, mo vëlla! A nuk janë gjynaf gjithë këto qen?!

Roja i Sharrës – Gjynaf janë, po ato i kanë pastru andej rrugëve, kanë autorizimin dhe shkarkojnë.

Aktivisti – Ëëëëëë…

Roja i Sharrës – Po!

Aktivisti – Pooo, kur vjen ajo makina tjetër?

Roja i Sharrës – Vallahi unë njëherë në tre net vij se jam me turne.

Aktivisti – A, je me turne ti?!

Roja i Sharrës – Poo.

Aktivisti – Ëëë….shiko o xxx, do më bësh një nder mua?

Roja i Sharrës – Ëëë…

Aktivisti – Do më bësh një nder vëllait tënd?

Roja i Sharrës – Çfar nderi?

Aktivisti – Po qe se vjen ajo makina portokalli ose jeshile, ma bëj një zile mo vëlla s’të le pa gjë. Do ta jap një kafe vëllai ty.

Roja i Sharrës – Po mooo!

Aktivisti – Ëëë.

Roja i Sharrës – Po mo! S’bëhet llaf!

Aktivisti – Mirë, mirë!

Ambientalisti dhe aktivisti i mbrojtjes së natyrës dhe të drejtave të kafshëve, Sazan Guri tregoi se të njëjtin qen që ka fotografuar në mëngjes në rrugët e Tiranës e ka parë më pas në qese të zeza, gati për t’u hedhur në landfillin e Sharrës. Ai rrëfen se e ndoqi të gjithë situatën, që prej qendrës së trajtimit në Kombinat, që sipas tij, në fakt është “Auschwitz”.

Por emisioni “Stop” ka realizuar edhe një vëzhgim në rrugët e Tiranës për qentë dhe rrezikun që i kanoset qytetarëve prej tyre. Këta të fundit shprehen se janë të pasigurtë nga qarkullimi i qenve pa maska mbrojtëse.

“Ndjehem i rrezikuar sepse mirë që vaksinimin dhe sterilizimin e kanë bërë ata, por është puna që ai nuk të mbron nga kafshimi”, u shpreh një qytetar i moshuar.

Ndërsa një tjetër ngriti shqetësimin për qytetarët që kanë qen shtëpiakë dhe i nxjerrin nëpër rrugë për të kryer nevojat e tyre personale.

“Unë pres tani sa të mbarojë nevojat qeni e pastaj… T’i bëjë në shtëpi, jo ta nxjerrë në qytet!”, tha ajo.

Sazan Guri tregoi se ka kryer kallëzim penal ndaj Klinikës Veterinare të Bashkisë, në Kombinat dhe se është gati për t’u ballafaquar me Bashkinë e Tiranës lidhur me këtë fenomen.

“Një komb i zhvilluar matet sesi ai sillet me kafshët e natyrën në përgjithësi, por me qentë në veçanti sepse qeni në tokë dhe delfini në det janë dy kafshët më besnike, më të afta, më të dashura, aspak xheloze”, e përmbylli ambientalisti.