Vlorë, fiton dëmshpërblimin, por përmbarimi nuk e ekzekuton.

“Stop” ka udhëtuar drejt Vlorës, në lagjen “10 korriku”, për një problem të zonjës Feride Dini.Në vitin 2012 pronarët e truallit kërkuan lirimin e tokës, ku kishin ndërtuar 6 familje.Një prej tyre ishte dhe Feride Dini, e cila iu drejtua gjykatës për dëmshpërblim. Zonja Dini fitoi në dy shkallët e gjyqësorit, mori urdhrin e ekzekutimit dhe iu drejtua përmbarimit.Por gjithcka ndaloi në këtë pikë.Gazetarja e “Stop” iu drejtua zyrës përmbarimore Tiranë, për të takuar përmbaruesen Lindita Kusi, Në zyrën përmbarimore në fjalë, nuk dolën të flasin, por me shkrim, u shprehën, se po procedohet dhe konform kodit të procedurës civile, kjo cështje do të zgjidhet.

Dëmshpërblimet, ish-të përndjekurit sorollaten nëpër institucione.

Emisioni “Stop” në Tv Klan i është rikthyer çështjes së dëmshpërblimeve të ish të përndjekurve, të cilët sorollaten për vite me radhë nëpër institucione dhe ende nuk po marrin atë që u takon.

Servete Gaxha, e bija e Idriz Gaxhës, i internuar në Tepelenë, është ankuar pranë emisionit “Stop” se ka dorëzuar dosjen për dëmshpërblim që në vitin 2011, por përballet me ping-pongun e institucioneve.

Edhe Panajo Qirjaqi nga Gjirokastra, tregon se bashkëshorti i saj vuajti 25 vjet burgim pasi u martua me të dhe e akuzuan se kishte grua grekofolëse.

Në vitin 1995 ata morën 20 milionë Lekë të vjetra. Por sot zonja është në mëshirë të fatit, e paralizuar dhe pa asnjë përgjigje për dëmshpërblimin që në total i është caktuar 160 milionë Lekë të vjetra.

Servete Gaxha: “Jam e bija e Idriz Gaxhës, i cili vuajti në Tepelenë 3 vite burg. Ne i kemi bërë të gjitha dokumentet që kanë kërkuar. I kemi dorëzuar te Ministria e Financave. Nga Ministria e Financave i kemi dërguar tek Ministria e Drejtësisë. Ngelëm duke bërë ping-pong. Asnjë lloj përgjigje deri sot. Që në vitin 2011 deri sot nuk kemi asnjë lloj përgjigje”.

Panajo Qirjaqi: “Kam qenë në internimin e Gjirokastrës. U martova me një burrë që ishte mekanik i Ministrisë së Brendshme. Edhe pas 9 muajsh, kur isha 3 muajshe shtatzënë, atë e arrestuan. Nuk bëmë asnjë vit bashkë. I thanë pse ke marrë atë grekofonen, ti do të ikësh në Greqi. Bëri 25 vjet burg. Edhe dokumentet të gjitha i kam atje. Mora 5 milionë Lekë dëmshpërblim, 5 milionë i mori djali dhe vajzat e tij morën nga 5 milionë. Dëmi i shkaktuar në total ishte 160 milionë. Ne morën 20 milionë, të katërt. Kemi që në ’95, s’kemi marrë më. Unë tani jam e paralizuar, s’kam asnjë ndihmë”.

Bilal Kola, drejtor i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë, shpjegon ndryshimet që ka pësuar ligji ndër vite për këtë kategori.

Bilal Kola, drejtor i Institutit të Përndjekurve Politikë: “Ligji i vitit 2007 në thelb ka parashikuar shpërndarje të gjithë dëmshpërblimit në total brenda 8 viteve të ndarë në 8 këste të barabarta. Më pas, në vitin 2009 i është bërë një ndryshim këtij ligji, dhe thelbësisht ndryshimi ka patur këtë objektiv dhe ka arritur këtë qëllim. Është hequr tavani i 8 viteve dhe është lënë fushë e lirë. Mund të bëhej për 8, po mund të bëhej për 18, por edhe për 80, në varësi se sa lekë alokonte buxheti i shtetit. Në vitin 2014 është bërë një ndryshim i cili ndau në kategori të përndjekurit politikë. Në kategori parësore dhe jo parësore me një qëllim dhe objektiv të caktuar, që të bënte një diferencim në shpërndarjen e dëmshpërblimit për personat që jetonin dhe kishin qenë në burg vetë në raport me trashëgimtarët.

Dhe përcaktoi 70% të fondit që miratohej nga qeveria në buxhet t’i kalonte atyre që ishin gjallë dhe që kishin bërë burgun vetë, dhe 30% trashëgimtarëve të ish të burgosurve që nuk jetonin më apo të pushkatuarve. 10 mijë Lekë të vjetra është shuma që merr një i internuar në kampin e Tepelenës për ditë internimi. Ndërkohë që një i burgosur ku ka vuajtur dënimin merr 20 mijë Lekë të vjetra në ditë. Shuma që jepet një dosje të një të ekzekutuari, pra trashëgimtarëve të tij, është e barazvlefshme me 8 vite burgu. Ndërkohë që kur i falej jeta një të ekzekutuari dënimi minimalist për të ishte 25 vite”.

Nga ana tjetër, radhët në sportelin e Ministrisë së Financave vetëm shtohen dhe të interesuarve askush nuk u jep një sqarim. Gazetarja e emisionit “Stop” kërkoi takim me drejtorin, por nga zyra e shtypit të Ministrisë së Financave i erdhi përgjigje se për të pasur takim duhet të bëjë fillimisht kërkesë.

Ndërkohë, drejtori i Institutit të ish të Përndjekurve Politikë shpjegoi edhe çështjen e dokumentacionit që duhet për personat të cilët kanë vuajtur internime në telat me gjemba.

Bilal Kola: “Sa i përket çështjes së internimeve në tela me gjemba, që janë ato dosje që i përkojnë vitit 1945 deri në vitin 1954, asnjë prej tyre nuk ka marrë asnjë këst. Kjo për një arsye krejt qesharake. Ne kemi kërkuar që të bëhet një ndryshim në ligj, ku asnjërit prej këtyre individëve që kanë qenë në internim në tela me gjemba, mos t’ju kërkohet dokumentacioni që provon dënimin. Pse? Askush prej tyre nuk ka një dokument që provon dënimin. Askush prej tyre nuk është dënuar nga një gjykatë shqiptare, sepse në Tepelenë, në Berat, apo në Porto Palermo, ishin familjarë të armiqve të popullit”.

Të prekur nga diabeti, por nuk përballojnë dot kostot e mjekimit.

Saimir Dozhe, është vetëm 35 vjeç dhe vuan nga diabeti. Rastësia e bëri të mësojë dhe të kuptojë problemin e tij. Saimiri kërkon rimbursimin e fishave për diabetikët, pasi në një muaj i kushtojnë 80 mijë Lekë të vjetra.

Arsim Toro, nga Shoqata e Diabetikëve thotë, se numri i të prekurve nga kjo sëmundje, po rritet çdo ditë. Vetëm të deklaruar zyrtarisht janë 75 mijë vetë. Ai thotë, se një person me diabet ka një kosto vjetore prej 3 milionë e 800 mijë lekë të vjetra, kurse dëmtimi i syve, që vjen si pasojë, ka kosto prej 1 milionë e 200 mijë lekë të vjetra.

Saimir Dozhe: Rastësisht zbulova se jam me diabet dhe e kam pasur mbi 700 kur shkova në spital. Aty bëra të gjitha analizat dhe më doli 10.6 nga 6.5 që duhet të ishtë. Ju drejtova emisionit “Stop” që zonja ministre të hapë sytë dhe për në dhe të na rimbursojë fishat, pasi një fishë e tillë shkon 500 Lekë të vjetra. Unë harxhoj 8 fisha në ditë dhe në muaj më shkon 80 mijë Lekë fisha, me një rrogë minimale që kam unë nuk ja dal dot. Kur na bije sheqeri e shikojmë, kur ulet na dridhet trupi, kur rritet djersitim. I kërkoj zonjës ministre të na rimbursojë fishat pasi si unë ka dhe shumë shqiptarë të tjerë.

Arsim Toro, nga Shoqata e Diabetikëve: Në duke qenë vetë pacientë dhe shoqatë pacientësh kemi vënë re se numri i personave me diabet po rritet shumë dhe po bëhet si një grip i paparandalueshëm. Veç personave që janë me diabet 75 mijë mendohet që të jetë dhe një 10 % i pazbuluar. Ne kemi bërë peticione, kërkesa pafund për rimbursimin e fishave. Zotëria në fjalë ka shumë të drejtë, pasi ai nuk është mësuar me jetën e diabetit dhe duhet të bëjë sa më shumë matje që të ketë një diabet në kontroll. Nëse ky diabet i del jashtë kontrollit i fillojnë dëmtimet e panumërta që fillojnë që nga venat e gjakut, gërryhen që nga dëmtimi i syve që nga dëmtimit i prerjes së gjymtyrëve, apo me trurin dhe zemrën. Problemet e komunitetit tonë janë shumë që mëdha duke filluar që nga fishat, etj. Ministria duhet të na ulë në një tryezë që të na dëgjojë dhe të marri masa me afate që të gjejnë zbatim. Të gjitha këto probleme janë shqetësime që ne i vuajmë dhe me shpenzime ekonomik, dhe kostoja vjetore e një personi me diabet shkon në 3 milion e 8 mijë Lekë të vjetra, kurse dëmtimi i syve që vjen nga diabeti dhe që është më i përhapur arrin në 1 milion e 200 mijë Lekë të vjetra, dhe po ti kesh të dyja shkon në 5 milionë Lekë të vjetra. Pyetja për shtetin shkon se si do i paguajnë këta njerëz këto shuma të mëdha.