Nga parada e 1 majit, në indiferencën e sotme të ditës së punëtorëve.

Sot është 1 maji, dita ndërkomëtare e punëtorëve. “Stop” sjell në vëmendje mënyrën, sesi festohej kjo ditë në kohën e diktaturës më parada e parakalime festive para tribunës së udhëheqjes. Por sot edhe përkujtimi i 1 majit ka ndryshuar. Në kryeqytet ka patur një përpjekje të vakët për tubim, por shumica e qytetarëve janë indiferentë ndaj saj. Edhe nëpër ministri, ngaku janë hequr pa të drejtë qindra punonjës, askush nuk ka protestuar, apo ngritur sot zërin.

Me diagnoza të ndryshme në Vlorë e Itali, sorollatet 4 vjet për kemp.

Shqetësimi i radhës na ka çuar në Vlorë, ku një qytetare ka rezultuar me diagnoza të ndryshme nga spitali shqiptar dhe ai italian. Remzi Limo tregon se prej 4 vjetësh gruaja e tij sorollatet pa zgjidhje.

Mjekët e Spitalit Rajonal të Vlorës e diagnostikuan me astmë, ndërsa spitali italian “San Bennedetto”, me dy diagnoza: aortë të zgjeruar dhe tumor në veshka. Remziu u ballafaqua me mjekët në Vlorë dhe takoi edhe Shefin e Patologjisë Skënder Alushaj. Pas kësaj, gruaja u shtrua 11 ditë në spital për ekzaminime të tjera dhe sërish e nxjerrin normale.

Vetë pacientja, Edlira Limo tregon se ka shumë probleme me shëndetin dhe i duhen 60 euro në muaj për ilaçe. Ajo kërkon që të paktën të përfitojë Kempin.

“Nga frymëmarrja unë nuk mbushem dot me frymë, po të mos kem këto ilaçet. Unë nuk kam me çfarë t’i marr. Tensioni më rri i lartë, sado që po pi këto ilaçe. Kam edhe ilaçin e pasdites, që po të mos i kem, nuk marr dot frymë. Të gjitha këto medikamente, shkojnë tek 60 mijë lekë. Unë nuk kam me çfarë t’i marr. Ndërsa 50 euro shkon vetëm pompa që kam marrë në Itali. Pompë si tip oksigjeni .Kam edhe aparatin e frymëmarrjes në shtëpi. Mua më vjen zor tani që të m’i blejë mbesa këto ilaçe. Duke qenë se nuk kam me çfarë t’i marr i lutem që të më japin vetëm Kempin, që unë t’i bie prapa sëmundjes time”, thotë Zonja Edlira Limo.

Për rastin në fjalë, emisioni Stop iu drejtua Spitalit Rajonal të Vlorës. Burrë e grua, me anë të kamerës së fshehtë zhvilluan këtë bisedë me Shefin e Pavionit të Patologjisë:

Qytetari-Unë nuk e di përse nuk e dhanë këtë fletën e Kempit?

Shefi i Pavionit të Patologjisë-Po se s’doli asnjë gjë këtu!

Qytetari-Si s’doli asgjë?

Qytetarja-Unë kam ato të Italisë!

Qytetari-Po pse çfarë janë këto dokumente? Kot i kam unë këto dokumente?!

Shefi i Pavionit të Patologjisë-Po, unë isha që i argumentova.

Qytetari-Dakord! Unë jam dakord me ty, po këto të tjerët, këto të tjerët s’kanë bërë asgjë! E fillojmë, që tek doktori poshtë, ky Agimi ta thashë që ma ka bërë normale. Kur bënë të dytën doli e rregullt, po tha, është e vërtetë. E shtrove ti, e bëri prapë normale. Ai dokumenti merret për bazë, apo jo?

Shefi i Pavionit të Patologjisë-Po pra!

Qytetari-Atëherë si i bie tani? I bie, që këto tallen!

Pas kësaj bisede, për të biseduar me Shefin e Pavionit shkoi gazetarja e Stop.

Gazetarja-Përshëndetje! Si kalove?

Kryeinfermierja-Përshëndetje!

Gazetarja-Odeta, gazetare nga emisioni “Stop”!

Kryeinfermierja-Uh, të njoha!

Gazetarja-Juve jeni?

Kryeinfermierja-Unë jam kryeinfermierja. Ke gjë për mua? Jo. Diagnozat i vë mjeku.

Gazetarja-Kuptoj!

Kryeinfermierja-Mund të flasësh me shefin nesër!

Gazetarja-Mund t’i bëjmë një telefon?

Kryeinfermierja-Ta marr unë, që ta besosh që nuk është këtu?

Gazetarja-Po!

Kryeinfermierja-(I telefonon shefit) Ë në Kemp je? Po, po…

Gazetarja-Të lutem zotëri! Jam Odeta Gjevori, gazetare nga emisioni Stop. Mund të bëjmë një bisedë?

Kryeinfermierja-Jo, jo, nuk mund të flasësh…

Gazetarja-Një bisedë, po tani…të lutem!

Kryeinfermierja-Jo, nuk mundesh!

Gazetarja-Po një bisedë telefoni do të bëj, sa ta pyes!

Kryeinfermierja-Janë gazetarët e Stop-it dhe duan të komunikojnë me ju! Po shef?

Gazetarja-Atë vij tek Kempi poshtë tani?

Kryeinfermierja-Ku jeni? Ah, ik tek KML-ja!

Gazetarja u takua me shefin e Pavionit Skënder Alushaj, i cili pranoi problematikën e këtij rasti dhe premtoi ta rishtrojë pacienten dhe t’i plotësojë të gjitha procedurat për Kemp.

Zoti Alushi çfarë ka ndodhur konkretisht?

“Unë rastin e njoh shumë mirë. Është shtruar, është ekzaminuar, por gjatë ekzaminimeve ka lindur një problem, një diskordancë midis ekzaminimeve të bëra në Itali dhe ekzaminimeve të bëra në pavionin tonë. Nga ekografia kardiake ka rezultuar që aorta nuk është e zgjeruar, është brenda kufijve të normës, 38 mm, kurse nga një ekzaminim që kemi aty, të bërë në Itali, ka rezultuar 50-51 mm. E sëmura ka një adenom kistoze, e cila është jo sekretive, pra nuk ka aktivitet. Kemi arritur në konkluzionin që këto ekzaminime kanë një diskordancë në lidhje me ato të bëra në Itali. Do ta rishikojmë, nuk është se mbaruam punë me të dhe e shmangëm. Unë do të bëj të pamundur që të bëj një rishtrim, një riekzaminim dhe një ridrejtim në Kemp”.

Domethënë ky rast do të marrë zgjidhje? Do të rishikohen edhe njëherë analizat, duke qenë se janë të diskutueshme dhe…

“Dhe do ta drejtojmë në Kemp.”

Paskuqan, në qendrën shëndetësore s’bëhen analizat: dukuni pas një muaji!

Shumë banorë të Paskuqanit janë ankuar në “Stop”, se në Qendrën e tyre shëndetësore, nuk bëhen analizat.E njëjta gjë edhe për gratë, që duhet të ndjekin ecurinë e shtatzanisë.Infermierja e laboratorit të analizave, thotë, se të paktën edhe për një muaj, do të vazhdojë e njejta situatë.Edhe drejtoresha e Qendrës Shëndetësore pranon, se nuk ka reagentë, për shkak të mosardhjes së fondit.