Video e rrallë, kur kryeministri Majko provonte gjellën e spitalit.

Disa qytetarë kanë sjellë në redaksinë e “Stop” video, ku tregohet cilësia e ushqimit në ambientet e spitaleve. Mish i kalbur e mollë të prishura, janë ato, që u ofrohen pacientëve në regjim spitalor. Emisioni “Stop” ka nxjerrë nga arkiva një kronikë të 10 shkurtit 1999, kur kryeministri i kohës Pandeli Majko, vizitoi qendrën spitalore e reagoi ashpër, kur duhet të provonte gjellën e spitalit. Sot, 20 vjet më pas, cilësia e shërbimit në spitale nuk ka ndryshuar, por ajo që është katërcipërisht e ndryshme, është propaganda mbi këtë shërbim.

Kronika e 10 shkurtit 1999

Gazetari: Kur bën dialog qeni me macen mos ngeltë kush pa bërë dialog në Shqipëri. Këto janë fjalët e kryeministrit Majko i cili ka braktisur komoditetin e zyrës, për t’u njohur me hallet e të sëmurëve në spitalet e kryeqytetit. Majko është befasuar para gjendjes së mjeruar të spitaleve, madje ai ka zbuluar disa furtare në faqet e murit të kuzhinës së spitalit, ç’ka e ka shtyrë atë të mos e provojë ushqimin që hanë çdo ditë të sëmurët.

Pandeli Majko: Nuk ha dot. Më falni motra, por unë që kur pash atë furtaren aty.

Gazetari: Majko tek ka parë papastërtinë në lavanterinë e spitalit i ka sugjeruar rrobalarëseve të hyjnë në grevë urie për të përmirësuar kushtet.

Rrobalarëse: Do bëjmë grevë urie, të rritet mirëqenia, tre makina larëse janë të prishura, nuk vijnë t’i rregullojnë. Infeksioni i madh, lekë nuk japin. Të sëmurët, jastëk, çarçafë, dyshek i sjellin vet. Asnjë nuk fle me këta. Ushqimit t’i vendosësh mikroskopin të gjesh kokrrën e orizit.

Pandeli Majko: Do t’u thosha qytetarëve, duhet të mendohen mirë para se të sëmuren. Pra pash fytyrën e bukur të cilën ne na pëlqen ta shikojmë në televizor për spitalet tona, por pash edhe fytyrën të cilën neve nuk para na pëlqen ta shikojmë në televizion. Jam i bindur që ky është realiteti dhe për të ndryshuar këtë realitet në radhë të parë duhet të ballafaqohesh me të.

Gazetari: Pse nuk e provuat gjellën e spitalit?

Pandeli Majko: E para njëherë kisha ngrënë bukë,e dyta edhe po të shtroja dikë me atë situatë që pash në kuzhinë edhe unë do bashkohesha si gjithë qytetarët e tjerë për të sjell bukë nga shtëpia.

Korcë, arrestohet e shlyen dënimin, OPGJ-ja i grabit telefonin.

Ergis Zenelak nga Korca, i drejtohet emisionit “Stop”, pasi në vitin 2017 e arrestuan, duke ndihmuar një person të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme.Në momentin e arrestimit kishte me vete 3 telefona dhe kartën e identitetit. Pa shlyerjes së dënimit,OPGJ Edion Stena, e sorollati për të marrë sendet e veta.Ergisi tentoi edhe një herë të merrte sendet personale, por OPGJ-ja i dha telefonin nokia dhe alcatel e jo samsungun. Nga ana tjetër Ergisi detyrohet të firmosë, sikur i ka marrë të tre telefonat.

I vdes gruaja, Mjekësia Ligjore dhe institucionet nuk i tregojnë shkakun.

Xhemil Kararaj iu drejtua emisionit “Stop” për të sjellë shqetësimin lidhur me Prokurorinë e Fierit dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore. Bashkëshortja e tij ka ndërruar jetë në Spitalin Nënë Tereza në Tiranë në 18 Mars, pas peripecive që nisën nga mjeku i familjes, Spitali Rajonal i Fierit e deri në QSUT.

“Më 13 Mars u shtrua në spitalin e Fierit bashkëshortja, ndenji një natë atje dhe më 14 e kemi sjellë në Spitalin Nënë Tereza. Ndërsa në datën 18 ajo ndërroi jetë. Unë nuk bëra asnjë kontakt as tek spitali i Fierit me atë, as rrugës dhe as këtu në Tiranë, iku… Ajo ditë e 13 Marsit kur e çova në spital qe fatale për mua. Ta kisha mbajtur në shtëpi, s’do kish vdekur, do e kisha gjallë sot. Tani unë vij të marr një përgjigje, ishte mëlçia e bardhë, ishte mëlçia e zezë, ishte stomaku, veshka a romatizma? Asnjëri nuk përgjigjet. Ka një muaj e ca. Nga Fieri vij në Tiranë, shkoj në Prokurorinë e Fierit, nuk marr përgjigje. Vij këtu, s’ka dalë akoma. Dua një përgjigje, çfarë problemi pati bashkëshortja jonë? Kaq e re, e na la ne në pikë të hallit, ka lënë 5 veta në shtëpi atje pa njeri”, thotë Xhemil Kararaj.

Ai kërkon të dijë shkakun e vdekjes së gruas së tij, por nuk merr përgjigje nga institucionet prej gati dy muajsh. Në Institutin e Mjekësisë Ligjore i thonë të kthehet njëherë pas 10 ditësh për përgjigjen e autopsisë.

Roja i Institutit të Mjekësisë Ligjore: Bjema emrin e të ndjerës!

Denoncuesi: Lule Qerim Kararaj, ka ardhur bashkëshorti, do…

Roja i Institutit të Mjekësisë Ligjore: Nuk është bo, nuk është bo hala. Hajde mbas 10 ditësh njëherë!

Juristi Çlirim Gjata shprehet se Mjekësia Ligjore duhet të kishte nxjerrë përgjigjen, ndërsa prokuroria duhet të kishte përcaktuar afatin për këtë përgjigje.

“Më fal do t’ia ringjallin ata? Duku nesër, duku pas 10 ditësh? E para, ata duhet ta kishin nxjerrë vetë se ku i kanë përfundimet, e dyta prokurori duhet t’i japë afat, brenda këtij afati duhet të përgjigjesh. Pse nuk e bën as njëri detyrën e vet dhe as tjetri, këtë nuk e dimë. Këtu tani ka diçka. Do e kishin nxjerrë, çfarë problemi ka? Këtu pastaj kemi të drejtë të dyshojmë dhe të ngremë hipoteza nga më të ndryshmet, si për Mjekësinë Ligjore, ashtu edhe për Prokurorin.”

Pas këmbënguljes së emisionit “Stop” në 3 Maj, përgjigja e autopsisë u nis drejt Prokurorisë së Fierit për hetime lidhur me rastin e vdekjes së gruas.