Stop Tv Klan | Një format satiro-investigativ nga Saimir Kodra & Gentian Zenelaj.

Si e sheh goten gjysmë plot apo bosh, gruaja derdh ujin në fytyrë

Një gotë të mbushur përgjysmë kemi tendencën ta shohim gjysëm plot apo gjysëm bosh. Më mirë të dish apo të kesh. Këto janë disa nga pyetjet, që i kemi drejtuar qytetarëve të Tiranës, përgjigjet e të cilëve, do ju bëjnë të qeshni e të mendoni.

“Kam gjetur gjarpërinj” Nga bunkeri në shkollë, tani familja e pastrehë do të bëhet me shtëpi

Më 19 Janar 2018, emisioni investigativ “Stop” transmetoi rastin e një familjeje me 5 anëtarë në Linzë. Kësaj familjeje, si pasojë e rrëshqitjes së dherave, iu dëmtua banesa dhe për këtë arsye e futën në një bunker.

Por “Stop” kontaktoi me kryetarin e Njësisë Dajt, Kujtim Qefalia, dhe e strehoi familjen në një shkollë jashtë funksionit, ku qëndruan për 5 vite rresht.

19 JANAR 2018:

“Prej 2 muajsh po rrimë këtu. Rrëshqitjet e dheut kanë filluar që në 2013-ën deri tani që jemi këtu. Bunkeri po pikon. Nuk kanë sit ë rrijnë fëmijët. Më shumë nëpër spitale, ftohje, shikojeni vetë si është situata këtu.”

“Kemi shumë vështirësi këtu. Nuk mund t’i bëjmë detyrat këtu, por dalim jashtë dhe i bëjmë detyrat.”

“Dua që të kemi një shtëpi me dritë. Të bëjmë detyrat si të gjithë fëmijët e tjerë”, shprehen anëtarët e familjes.

Po çfarë ka ndodhur sot me këtë familje?

Shedija Noka, nënë e 3 fëmijëve shprehet se kërkon të lëvizë nga shkolla pasi kushtet nuk janë të mira dhe tërmeti e ka dëmtuar këtë ndërtesë.

DenoncuesjaJu kam thirrur prapë sepse para 5 vitesh ju më keni zgjidhur një hall shumë të madh që kam qëndruar në bunker dhe ju më sistemuat në këtë shkollë. Si fillim, ishim mirë, kishim një çati mbi kokë, por lagështirë e madhe. Dritaret ishin pa xhama, dhomat e mëdha shumë, ftohti i madh. Një nga arsyet pse dua të lëviz nga këtu janë këto kushte. Tërmeti i 26 Nëntorit e ka prekur, e ka çarë në anë. Kjo është kuzhina, është e ftohtë, këtu rrimë, dhomat janë shumë të mëdha. Në darkë këtu është shumë ftohtë. Këtu kemi gjetur edhe gjarpërinj, edhe miza. Këtu nuk jetohet. Ja këtu në cep kam gjetur gjarpërinj. Ka gjetur goca duke fjetur gjumë tek ky cepi dhe e kemi nxjerrë jashtë se kishin frikë fëmijët. Këtu nuk jetohet më.

Gazetarja: Çfarë procedure keni ndjekur ju përsa i përket ish-banesës tuaj, asa të parës fare, para bunkerit që ishte dëmtuar si pasojë e rrëshqitjeve të dheut?

Denoncuesja: Aplikova për shtëpinë time tek bashkia dhe tek komuna, u futa në sistem, u shpalla përfituese, por deri më sot nuk kam marrë asgjë. Prandaj ju kam thirrur ju që të ma zgjidhni këtë gjë, këtë hall. Kërkoj vetëm të më strehoni në një shtëpi që ta di se është shtëpia ime. Nuk dua as pallat që të kemi hyrje të madhe apo gjë, port ë kem 2 dhoma, por vetëm t’i kem fëmijët aty. Nuk dua asnjë gjë tjetër.

“Stop” është intersuar sërish tek Kryetari i Njësisë Administrative Kujtim Qefalia, i cili na thotë se familja Noka pasi aplikoi si familje e dëmtuar, u shpall fituese për rindërtim. Por inxhinierët dhe gjeologët konstatuan se aty nuk mund të rindertohej sepse do binte terreni sërish. Ai thotëse me vendim të bashkisë, kjo famije dhe 7 të tjera në Njësinë Dajt do të pajisen me banesa sociale.

Kujtim Qefalia, Kryetari i Njësisë Administrative: Sot e kësaj dite, ato banojnë tek kjo shkolla që ne i strehuam. Në momentin që ndodhi tërmeti, në vitin 2019, ata menjëherë bënë një aplikim pranë njësisë bashkiake dhe ne i trajtuam si të gjithë banorët e tjerë me të gjithë procedurat, shkuam në vend dhe komisioni i urbanistikës, edhe nga instituti i ndërtimit. U bënë të gjithë procedurat, i hapëm një dosje. Zotëria është shpallur fitues i DS5 për ndërtim të ri të shtëpisë. Kemi dosjen përpara, ka dalë edhe vendimi i këshillit bashkiak që është fitues. Në momentin që ishin gati për të marrë lejen e ndërtimit, shkuan inxhinerët, bënë një studim gjeologjik. Ishte shembur dhe dheja siç thatë dhe ju dhe nxorrën si konkluzion që aty nuk ndërtohet shtëpia. Na e sollën ne raportin, ne ja nisëm bashkisë dhe bashkia tani do e anulojë vendimin e këshillit bashkiak për rindërtim shtëpie dhe mendojmë se pas kërkesës tuaj dhe mundësive të bashkisë ta trajtojmë me shtëpi tek socialet që bashkia bën.  Sipas premtimit që na ka dhënë edhe kryetari i bashkisë, për këto familje që nuk ndërtohen shtëpiat, do t’i pajisim me banesa sociale. Kjo banesë do të jetë e tyrja në emër të banorit me certifikatë pronësie.

“Desh vdiq djali ti do lekët”, pas ndërhyrjes së Stop palët gjejnë gjuhën

Në 8 Mars, emisioni investigativ “Stop” transmetoi një denoncim nga Vlora. Demir dhe Donika Jazo, treguan se në Nëntor 2021 i kanë dhënë makinën tip “Fiat Punto” shtetasit Gentjan Merkaj. Ky i fundit në Dhjetor 2021 ka bërë aksident në Elbasan. Demiri tha se për këtë aksident ka marrë 1000 Euro dëmshpërblim, por Gentjan Merkaj nuk i ka kthyer mjetin dhe nuk i përgjigjet.

Demir Jazo: Ja kemi dhënë makinën një të njohuri tonë ose një miku të familjes tonë, Gentjan Merkaj dhe që në atë datë që është përplasur makina dhe deri sot ne nuk dimë se ku gjendet kjo makinë. Makina është përplasur dhe këtë unë e kam marrë vesh nëpërmjet rrjeteve sociale. Fajin nuk e di kush e ka marrë, por mua më ka dhënë siguracioni 1 mijë Euro të makinës dhe lekët i kam marrë unë dhe pastaj nuk di asnjë gjë tjetër. Unë vete te familja e tij, kam takuar prindërit e tij dhe sot e kësaj dite nuk di ku është makina. Unë dua makinën time, targat e mia të vete në KSHA të mbyll dokumentet.

Donika Jazo: Shumë hall i madh se tani unë dua t’i paguaj dokumentet. Ai mund të marrë targat e makinës të bëjë një krim. Ajo është në emrin tim.

“Stop” shkoi te banesa e Gentjan Merkajt dhe takoi të atin, i cili me arrogancë tha se i biri desh humbi jetën, ndërsa Demiri kërkon para e makinë.

Denoncuesi: Të kam ardhur 300 herë!

Babai i Gentjan Merkaj: I more 1 milionë lek nga ajo që të dha siguracioni.

Denoncuesi: Po s’bën makina 1 milionë.

Babai i Gentjan Merkaj: Kur të kemi ne, do të japim. Ai desh vdiq, apo vari lesht? Po me spital, që hoqëm dynjanë ne?

Denoncuesi: Ç’faj kam unë?

Babai i Gentjan Merkaj: Ç’faj ke ti?!

Gazetarja: Ku është djali?

Babai i Gentjan Merkaj: Djali në punë, në Himarë!

Gazetarja: Më jep një numer telefoni të flas me djalin! 

Babai i Gentjan Merkaj: Nuk e mbaj mend jam plak, pensionist. 

Më pas, “Stop” iu drejtua Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor, ku drejtuesi Nimet Dapaj tha se që të frenohet shtimi i taksave, duhet bërë denoncim i humbjes së dy targave dhe dokumenteve të makinës. Në këtë mënyrë bëhet çregjistrimi i automjetit. Ndërkohë duhen paguar taksat e 2022-shit dhe 3 muaj të 2023-shit.

Pas transmetimit të këtij rasti, “Stop” merr lajmin e mirë që makina është kthyer dhe palët kanë rënë dakord për pagesën që do i bëhet të dëmtuarit Demir Jazo

Denoncuesi: Faleminderit shumë prej jush, prej emisionit Stop sepse unë arrita të merrja dokumentet e mjetit dhe makinën time. Makina ishte totalisht e prishur. Edhe për punën e lekëve, që më përkisnin mua, kemi bërë një pakt bashkë dhe kështu unë jam i kompletuar nga kjo anë. Po gjithmonë kjo falë jush! Kjo ishte vetëm falë jush, se unë me atë nuk e kisha të zgjidhshme punën. Ju përshëndes dhe një ditë të mbarë!

/tvklan.al