Punime pa cilësi, mbyllet “Dhora Leka”/Stop zgjidh problemin me OSHEE.

Ndonëse viti shkollor ka nisur prej javësh, kjo nuk mund të thuhet për shkollën “Dhora Leka” në zonën e ish-fushës së aviacionit.Nxënësit janë detyruar të shkojnë në shkollën “Ahmet Gashi” në Laprakë.Drejtoresha e “Dhora Leka” thotë, se janë vërejtuar probleme me dritaret dhe punimet elektrike, ndaj dhe sapo firma t’i riparojë shkolla do të bëhet funksionale.Nesmi Magjari nga Pogradeci, por me banim në Tiranë, pretendon se është faturuar padrejtësisht nga OSHEE për 2 vjet pas mbylljes së kontratës. Gazetarja e “Stop” takon Elton Sevranin, drejtor i divizionit tregtar dhe pas verifikimeve, ai pohon se është bërë një gabim dhe tashmë Nesmi Magjari është cliruar nga detyrimi rreth një milionë lekë të vjetra.

Lezhë, me probleme mendore dhe pa ilace i riu mbahet në paraburgim.

Gjergj Gjeta tregoi në emisionin “Stop” se i biri 36-vjeçar, Gardiani, është me probleme të shëndetit mendor. Ai tha se djali ishte larguar nga shtëpia, ndaj dhe u detyrua të njoftojë komisariatin. Por djalin e futën në paraburgim, duke e privuar nga ilaçet.

“Kam një djalë 36 vjeç me sëmundje psiqike. Djali më është larguar nga shtëpia 3 ditë më parë dhe nuk ka marrë mjekim. Duke patur frikë se mos bën gjë nga sëmundja që ka, i jam drejtuar komisariatit për të ma ndaluar djalin dhe të futet në mjekim. Që nga ajo ditë, ai mbahet në qeli në paraburgim. Por unë kam kërkuar që të mjekohet dhe jo të mbahet në burg”, shpjegoi zoti Gjergj.

Ai shtoi se i biri nuk ka kryer asnjë vepër penale për t’u mbajtur në paraburgim, ndaj dhe kërkoi ndihmë nga emisioni “Stop”. Ndërsa shefi i komisariatit pretendon se djali ka kundërshtuar punonjësit e policisë, duke mos marrë parasysh gjendjen e tij.

Kamera e fshehtë

Shefi i komisariatit: Janë kryer të gjitha veprimet për kundërshtim të punonjësit të policisë. Mosbindje ndaj urdhrit të policisë, për t’u çuar në prokurori dhe janë dërguar materialet në prokurori. Është bërë shpallja në kërkim e djalit.

Qytetari: A mund të bëhet vepër penale për një të sëmurë psiqik?

Shefi i komisariatit: Po, patjetër! E kemi ndaluar, siç është ligji.

Qytetari: E mban në burg 6 ditë, pa mjekim?

Shefi i komisariatit: Sa ditë ka që nuk ka marrë mjekim?

Qytetari: Me qenë, e kisha mbajtur te shtëpia unë, prandaj jam ankuar te ti…

Shefi i komisariatit: Po!

Qytetari: Që aman ta çojmë në mjekim.

Shefi i Komisariatit: Po pra! Pse s’ja sollën mjekimin? Kush të ndaloi ty t’ia sjellësh mjekimin? T’ia jap me zor unë.

Qytetari: Po të çohet atje ku ja japin.

Shefi i Komisariatit: Atje do të shkojë sot, ose kur të vendosë gjykata do të shkojë.

Qytetari: Mirë, mirë! Hajt mirupafshim!

Veprat penale të Gardian Lekës, “përndjekje” dhe “mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”, iu referuan prokurorisë.

Në datën 19 Shtator 2018, ora 11:00, u zhvillua seanca gjyqësore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, ku u vendos dhe masa e sigurisë për të pandehurin.

Gjyqtari: Gjykata vendosi pranimin e kërkesës për të ndaluarin Gardian Leka. Masa e sigurisë “trajtim pranë spitalit psikiatrik në Tiranë”. Urdhërohet shtrimi i përkohshëm i të dyshuarit Gardian Leka në spitalin e burgut në Tiranë. Seancën e deklaroj të mbyllur!

Falë interesimit dhe këmbënguljes së emisionit “Stop” Gjergj Gjeta gjeti zgjidhje për të birin e sëmurë.

Njësitë bashkiake 1 dhe 2 pa “Aleat”, banorët “emigrojnë “ për pasaporta.

Çdo njësi administrative, pranë zyrave të gjendjes civile, ka dhe një zyrë të firmës “Aleat” për aplikimet e kartave të identitetit e pasaportave. Por kjo nuk ndodh në njësitë administrative numër 1 dhe 2.

Zyrat e aplikimit për karta identiteti dhe pasaporta në këto njësi ishin jashtë çdo lloj standardi dhe jokomode. Sipas një rregulloreje, këto zyra duhet të jenë sa më të përshtatshme për aplikuesit.

Zgjidhjen e këtij problemi e ka marrë përsipër Bashkia e Tiranës, por prej 3 vitesh nuk ka ndodhur asgjë. Banorët e njësisë numër 1 përshkojnë 3 km për të kryer shërbimet në njësinë numër 3, ndërsa ata të njësisë 2 përshkojnë 5 km për të shkuar te njësia 5.

Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua këtyre njësive administrative për të vëzhguar nga afër situatën.

Njësia administrative numër 1 dhe 2:

Gazetarja – Si jeni?

Punonjësja – Mirë!

Gazetarja – Odeta, gazetare nga emisioni “Stop”.

Punonjësja – Po!

Gazetarja – Interesohemi për zyrat e “ALEAT-it”, kanë pas qenë dikur para 3 vitesh…

Punonjësja – Nuk janë.

Gazetarja – Pse?

Punonjësja – Sepse ishin kushte të papërshtatshme. Ja, ku i ke. Kanë qenë aty dikur. Nuk janë më, kanë 2 vjet që nuk janë më.

Njësia administrative numër 3:

Gazetarja – Njësia 1 këtu aplikon për karta identiteti dhe pasaporta?

Punonjësja – Po!

Gazetarja – Tek 3-shi?

Punonjësja – Zyra e “ALEAT-it”, pranë njësisë 3 dhe 4.

Njësia administrative numër 5:

Gazetarja – Më fal! Si jeni?

Punonjësi – Mirë! Si je ti?

Gazetarja – Aplikimet për karta identiteti apo pasaporta të 2-shit, këtu bëhen?

Punonjësi – Po!

Gazetarja – Këtu tek 5-sa?

Punonjësi – Po!

Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua Bashkisë Tiranë për të marrë një informacion për fatin e banorëve të njësisë administrative numër 1 dhe 2.

Gazetarja – Njësia 1 dhe 2…

Informacioni – Po!

Gazetarja – Si çdo njësi, ka zyrën e vet të “ALEAT-it”, pranë gjendjes civile, që aplikojnë qytetarët për karta identiteti, për pasaporta…

Informacioni – Po, po, po…

Gazetarja – Ndërkohë, këtu ka 3 vjet që nuk funksionon zyra sepse nuk kishin kushte komode, të përshtatshme dhe i kanë mbyllur këtu. 1-shi dhe 2-shi duhet të përshkojnë gjithë atë rrugë, që të shkojnë tek njësia 3 dhe 5.

Informacioni – Objektet në bashkëpronësi janë atje…

Gazetarja – Atje?

Informacioni – Tek grupi i task-forcës, që merret me…

Gazetarja – Tek “Zëri i Popullit”?

Informacioni – Po! Më saktë, është në katin e 3-të, njësia 9.

Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua njësisë administrative numër 9, ku ndodhej zyra e koordinimit të të gjitha njësive administrative.

Specialisti Moisi Çala tha: “Bashkia Tiranë për momentin po merret me strukturimin e të gjithë njësive të saj. Ne kemi spostuar njësinë 8, e kemi hequr nga këtu dhe e kemi çuar më pranë komunitetit. Përsa i përket ‘ALEAT”-it, kjo është një çështje që duhet të flas më eprorët e mi për ta konfirmuar realitetin e mungesës së zyrës së “ALEAT”-it, gjë që praktikisht është pjesë e Ministrisë së Brendshme. Vetëm godina, konstruksioni dhe mirëmbajtja e tyre janë pjesë e bashkisë”.

Pas 3 vitesh pritje nga banorët e njësisë administrative numër 1 dhe 2, tanimë u ngelet të presin edhe disa ditë të tjera për të marrë një përgjigje…