24 maji i Kongresit të Përmetit dhe situata politike sot.

Sic është bërë traditë, shumë prindër kanë filmuar fëmijët e tyre, duke kërcyer bashkë me “fllonxat” e emisionit “Stop” në nisje të programit. Një ditë para protestës së rradhës të opozitës, Renaldo u është drejtuar qytetarëve, duke marrë shkas edhe nga 24 maji, apo Kongresi i Përmetit 1944.Qytetarët përgjigjen në mënyra të ndryshme për ndryshim mes asaj date, që vendosi, kush do ta qeveriste Shqipërinë e pas Luftës së dytë Botërore dhe situatës së sotme, kur pritet dhe mbajtja e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Sarandë/ bashkia nuk “njeh” gjykatën për rifreskim të lejes së ndërtimit.

Emisioni “Stop” në Tv Klan është ndalur në Sarandë për shkak të denoncimit të një qytetari nga Maqedonia, Enver Fetës. Ai tregon se zgjodhi Shqipërinë për të jetuar dhe investuar. Por gjërat i dolën jashtë parashikimeve.

Enveri thotë se i bleu Jorgo Nikolës një tokë me certifikatë pronësie, por që i kishte mbaruar leja e ndërtimit. Pasi kërkuan disa herë në Bashkinë e Sarandës leje rifreskimi dhe gjithmonë iu refuzohej, iu drejtuan gjykatës dhe kjo e fundit vendosi rifreskimin e lejes së ndërtimit. Por Bashkia Sarandë nuk zbaton vendimin gjyqësor dhe nuk e rifreskon lejen.

Enver Feta: Prej 10 vitesh jetoj këtu dhe merrem me shit-blerje të apartamenteve dhe po ashtu në 2017 hapa një interes për blerje të tokës, që faktikisht e bleva nga një zotëri që e ka emrin Jorgo Nikolla. Toka ka certifikatë prone, ka leje ndërtimi, leja e ndërtimit është e paguar, mirëpo pronari që ma shiti tokën më tha që afati për ndërtim më ka kaluar, por do ta rifreskojmë dhe atëherë do të marri diferencën e pazarit që kemi bërë ne. Faktikisht kam kërkuar disa herë në Bashki për ta rifreskuar lejen, ata nuk e kanë dhënë, nuk e di për çfarë arsye. Dhe pastaj iu drejtua gjykatës. Pas disa seancave ka vendosur dhe ka bërë vendim gjykate të rifreskohet leja nga Bashkia. Akoma nuk e kanë rifreskuar lejen, nuk e di për çfarë arsye. Me këto kushte që janë, mundohesh të bësh një punë të drejtë. Faktikisht do të ndërtoja një pallat me atë lejen që kanë, 3 kate + 1 kat, papafingo. Do t’i bëja apartamentet me cilësi të lartë, disa do t’i mbaja e disa do t’i shisja.

Gazetarja e emisionit “Stop” pyeti përmbaruesin Fisnik Bajrami, i cili ishte kontraktuar nga qytetari Enver Feta për të zbatuar vendimin e Gjykatës. Ai tregon se puna e tyre ka hasur në pengesë nga ana e Bashkisë së Sarandës dhe ZRPP Sarandë. Për këtë arsye, përmbarimi ka vendosur edhe një gjobë prej 40 mijë Lekësh të reja.

Përmbaruesi Fisnik Bajrami: Zotëria ka sjellë një vendim për ekzekutim, por kemi hasur në pengesën e Bashkisë Sarandë dhe të ZRPP Sarandë, pasi Bashkia Sarandë refuzon të kryejë zgjatjen e afatit të lejes së ndërtimit, me pretendimin se mbi këtë pasuri rezulton truall masë kufizimi. I referohemi kësaj baze ligjore që i referohet edhe Bashkia Sarandë, një masë kufizimi mund të zgjasë maksimalisht 1 muaj. Pas 1 muaji, regjistruesi është i detyruar të kryejë heqjen e masës së kufizimit. Në rastin konkret kemi kërkuar kartelën e pasurisë nga ZRPP Sarandë. Pasi na është refuzuar të jepet kjo kartelë kemi marrë dhe sanksione për ZRPP Sarandë, i kemi vendosur 40 mijë Lekë të reja për mospajisje me kartelë dhe dhënien e kartelës me masë kufizimi. Bashkia me pretendimin e kësaj mase të kufizimit nuk vazhdon zgjatjen e afatit të lejes me këtë bazë ligjore.

“Stop” u interesua edhe pranë ZRPP Sarandë, dhe gjatë komunikimit që pati me drejtoreshën Romina Pulaj, kjo e fundit është shprehur se gjatë periudhës pas vendimit të gjykatës e deri më tani, prona ka qenë e lirë. Ajo shpjegoi të gjithë procedurën çfarë ka ndodhur me këtë pronë dhe përse Bashkia nuk rifreskon lejen e ndërtimit.

Romina Pulaj, drejtoresha e ZRPP Sarandë: Jorgo Nikolla është regjistruar truall me kontatë shitje nga Bashkia, me vendim gjykate ku detyron Bashkinë për t’i lidhur kontratën e shit-blerjes. Është regjistruar në Hipotekën e Sarandës në 21 Qershor 2017. Ka marrë certifikatën e pronësisë, është pajisur me certifikatë dhe pasi e ka marrë këtë certifikatë, pasuria ka qenë pronë e vetë me certifikatë pronësie në emër të Jorgo Nikollës. Më pas, në zbatim të auditimit të KLSH, në 3 Tetor 2018 kanë ardhur rekomandimet dhe rasti i Jorgo Nikollës ka qenë një nga rastet ku është rekomanduar vendosja e masës së kufizimit. Gati 1 vit e gjysmë nga periudha që ai është pajisur me certifikatë pronësie, është vendosur masa e kufizimit në zbatim të rekomandimeve të KLSH-së. Dhe janë 3 arsye. Arsyeja e parë është sepse çmimi i përcaktuar në kontratë është në kundërshtim me dispozitat ligjore. Dhe KLSH ka përcaktuar një detyrim monetar për të paguar nga subjekti konkret. Arsyeja e dytë është fakti sepse mungon vendimi i Këshillit Bashkiak. Dhe e treta është që nuk mund të lidhej palë shitëse Bashkinë Sarandë dhe palë blerëse një subjekt tjetër në kushtet kur mungon një objekt në të. Këtu tek ne, prona gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë e lirë.

Pas ZRPP Sarandë, gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua Bashkisë për të marrë një reagim përse ky institucion nuk zbaton vendimin e Gjykatës dhe zvarrit çështjen e qytetarit Enver Feta. Por, as në zyrën e kryetares, as të nënkryetarëve dhe të zyrtarëve të tjerë, nuk gjeti asnjë person. Edhe pse ishte zyrtarisht orar pune, titullarët e Bashkisë së Sarandës nuk ndodheshin në detyrë. Për të disatën herë, Bashkia e Sarandës punon me dy standarde. Pak kohë më parë, emisioni “Stop” dokumentoi se kjo bashki kishte dhënë leje ndërtimi me masë kufizimi. Por sot nuk e bën këtë, duke shkelur edhe vendimin e gjykatës.

Tiranë, u martua në 2008-ën, por në gjendjen civile rezulton beqar?!

Amarildo Palaj, është një qytetar shqiptar që jeton në Itali. Ai iu drejtua emisionit “Stop” në Tv Klan për një problem që ka mësuar së fundmi.

Në vitin 2008, Amarildo Palaj u martua në Tiranë me Kristina Memajn, pranë gjendjes civile të Njësisë Nr.4. Tani ai ka mësuar se nuk rezulton i martuar, por beqar. Në Njësinë Nr.4 ku kishte bërë kërkesë për të tërhequr një certifikatë martese, punonjësja e vuri në dijeni se ai është beqar.

Amarildo Palaj: Jam me origjinë shqiptare, gjithashtu kam edhe nënshtetësi italiane. Kam një problem përsa i përket një certifikate martese. Në vitin 2008 unë jam martuar në Tiranë, kam kryer celebrimin në Njësinë Nr.4. Në prezencën e nëpunëses së gjendjes civile Sonila Çela, në prezencën e dy dëshmitarëve kam hyrë në zyrën ku bëhet celebrimi, kemi firmosur aktin e martesës si unë dhe bashkëshortja ime. Akti i martesës është regjistruar në librin themelor të martesave të Bashkisë të Njësisë Nr.4. Pasi kemi kryer celebrimin, pas 2 orësh jemi kthyer përsëri në Njësinë Nr.4 ku aty kam tërhequr certifikatën e martesës. Këto ditë unë kisha nevojë përsa i përket një certifikate martese, kam dërguar një të afërmin tim në Njësinë Nr.4 në Tiranë për të kërkuar një certifikatë martese dhe ndodh që punonjësja e Njësisë Nr.4 të Bashkisë thotë që kjo martesë nuk ekziston në sistemin martesor. Nuk ekziston fare. Unë kërkoj që ky problem të zgjidhet sa më shpejt sepse më ka krijuar tepër probleme në Itali.

Gazetarja e emisionit “Stop” shkoi pranë Njësisë Nr.4 të Bashkisë Tiranë për të kërkuar informacion lidhur me këtë situatë. Punonjësi i vë në dispozicion gazetares së “Stop” një kopje të regjistrit themeltar, ku duket se nuk është bërë asnjë shënim për martesën e vitit 2008. Ky është dhe ngërçi i këtij problemi të krijuar.

Punonjësi: Kjo është fletë-familja e zonjës deri në vitin 2009, para se te dilte në regjistrin kombëtar në NCR. Fleta e dytë s’ka asnjë shënim për martesë.

Gazetarja: Pra në 2008-ën është bërë akti, është martuar, por nuk është shënuar në regjistër.

Punonjësi: Në asnjë vend. As në sistem nuk është, as në regjistër nuk është.

Gazetarja: Por ama është depozituar në bashki.

Punonjësi: Eshtë depozituar në arkivë.

Megjithatë ka një sinjal pozitiv. Për fat të mirë, akti i martesës së Amarildo Palajt me bashkëshorten e tij është në arkivin e Bashkisë. Për këtë problem, emisioni “Stop” iu drejtua edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, që premtoi të bëjë pasqyrimin e aktit të marrë nga arkivi i Bashkisë së Tiranës.