STOP – EMISIONI 192 (SEZONI 4)

STOP – EMISIONI 192 (SEZONI 4)

21:02 28/05/2019

Midhje me hepatit A nga Greqia, në Shqipëri asnjë njoftim.

Në protestën e fundjavës së opozitës, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, kishte veshur një bluzë me mbishkrimin “Here I am”, një këngë e njohur e grupit muzikor Scorpions.Në qershor 2017, emisioni “Stop” transmetoi kalvarin e familjes Kokalari, që i rrëmbehej prona nga njerëz me pushtet. Por sot, që një pinjolle e kësaj familjeje, Arba Kokalari, arriti të bëhet eurodeputete, politikanë e zyrtarë të rëndësishëm në vend, nxituan të përshëndesin fitoren e saj.Pak ditë më parë, media italiane bëri me dije, se një sasi midhjesh, të ardhura nga Greqia, janë të kontaminuara me hepatit A. Por në Shqipëri, nuk ka as njoftim e as masa për këtë.

Vorë/ denoncuesi me të cara në kokë e brinjë të thyera, dhunuesit të lirë.

Një qytetar është dhunuar rëndë nga një grup prej 10 personash për arsye banale, ndërsa asnjë nga të dyshuarit nuk është proceduar ende. Rasti është denoncuar në emisionin “Stop” në Tv Klan. Ngjarja ka ndodhur në Vorë në datën 8 Maj, kur qytetari Alfred Çuko u sulmua dhe u dhunua nga 10 persona.

Këta të fundit e qëlluan me qytën e pistoletës dhe sende të forta, duke i shkaktuar 3 çarje në kokë dhe dy brinjë të thyera. Qytetari ka thënë për “Stop” se të dyshuarit i janë drejtuar me fjalët “mos kalo nga lagjia ime”. Ky ka qenë edhe shkaku i kësaj ngjarje. Nipi i të dhunuarit ka identifikuar dy prej persona të dyshuar. Ai bëri denoncim në Komisariatin e Vorës, por ende sot nuk ka asnjë të ndaluar.

Alfred Çuko: Në datën 8, duke dalë aty te disqet, hodha disa këngë, sa dola që aty 10 veta më goditën me pistoleta te koka. Edhe më thyen edhe dy brinjë. Dy nga ato persona i njeh nipçja. Njërin e quajnë Azem Elezi, kurse të tjerët nuk i njoh me emra. S’kam pasur asnjë lloj konflikti. E pyeta nipçen, më tha s’kam asnjë lloj konflikti. Unë humba ndjenjat fare, më ka marrë policia, më ka çuar në Spitalin Ushtarak. S’është kapur asnjë. Kërkoj drejtësi nga shteti. Me këto mjete të rënda që jam goditur, të lihen personat rrugëve? Kjo do të thotë që s’ka shtet fare.

Nipi i të dhunuarit: Njoh Azem Elezin, edhe Xhonin. Të tjerët nuk i njoh. Arsyeja që kanë qëlluar, ka qenë vetëm mos kalo nga lagjia ime. Duke qenë daja im në spital, unë kam bërë denoncimin te Arian Mara, OPGJ-ja e Vorës. I kemi bërë deklaratat të gjitha, po masat nuk janë marrë nga ana e OPGJ-së nga Komisariati i Vorës, nuk janë marrë asnjë masë. Personat janë prapë të lirë.

Gazetarja e emisionit “Stop” u interesua pranë komisariatit të Vorës për të takuar oficerin e policisë gjyqësore, Arian Mara, që ka marrë përsipër këtë çështje. Ky i fundit nuk ndodhej aty në momentin që gazetarja shkoi për ta takuar. Megjithatë, në një bisedë telefonike që gazetarja e “Stop” pati me shefin e komisariatit të Vorës, Agron Dosti, ky i fundit tha se materialet i janë referuar Prokurorisë dhe për më tepër informacion duhet bërë kërkesë tek zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Komisariati i Vorës

Gazetarja: Arian Mara, se ky është OPGj-ja e çështjes. Çfarë ka bërë për rastin?

Punonjësi i policisë: Për momentin nuk ndodhet! Ata tipat janë shoqëruar, janë bërë proceduar të gjitha, janë mbajtur 10 orë këtu. I kanë çuar letrat në Prokurori.

Gazetarja: Si?

Punonjësi i Policisë: Kanë shkuar në prokurori.

Biseda telefonike me shefin e Komisariati Vorë

Shefi Agron Dosti: Shiko! OPGJ-ja është në një detyrë. Për momentin, është tek Drejtoria e Përgjithshme.

Shefi Agron Dosti: Unë jam në një ngjarje. Të gjithë informacionin për rastin që ju po interesoheni, do ta merrni tek zëdhënësja për shtyp në Drejtori.

Emisioni “Stop” u interesua pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku pati kontakt me zëdhënësen, e cila i tha gazetares se nuk ka informacion për këtë ngjarje dhe duhet t’i dërgojë një kërkesë zyrtare për të marrë përgjigje.

Biseda me zëdhënësen e Drejtorisë së Policisë Tiranë

Gazetarja: Unë shkoj tek Komisariati Vorë, të marr informacion tek OPGJ-ja,OPGJ-ja më thotë do ta marrësh tek Drejtoria e Përgjithshme. Çfarë shkrese duhet të bëj? Çfarë interesimi? Ku janë…autorët janë kapur, sepse kam informacion që autorët janë akoma nëpër lagje, bredhin lirshëm.

Zëdhënësja Julia Shota: Të kuptoj, por unë nuk kam informacion! Do ma dërgosh shkresën në mënyrë zyrtare të lutem!

Pas shkresës së dërguar zyrtarisht, mbërriti edhe përgjigjia e Policisë së Tiranës, ku thuhet se materialet për këtë ngjarje i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “plagosje e lehtë me dashje”!? Vetë qytetari shkoi më pas pranë organit të akuzës për t’u informuar në cilën fazë janë hetimet që po kryhen për çështjen e tij. Aty ai nuk merr asnjë përgjigje.

Qytetari: Jam interesuar për kallëzimin e këtij vëllait tim. Desha të marr vesh, a kanë ardhur letrat në Prokurori apo jo?

Punonjësi i Prokurorisë: Kur e ka bërë kallëzimin ai?

Qytetari: Vajti 10 ditë, që e ka bërë kallëzimin. Desha ta merrje vesh, a e kupton? Ka ardhur si denoncim, apo s’ka ardhur?

Punonjësi i Prokurorisë: S’kam, ku të çoj unë.

Qytetari: Nuk ka, nuk ka asnjë prokuror të gatshëm këtu?

Punonjësi i Prokurorisë: S’ka prokuror të gatshëm, nuk marr asnjë lloj të dhëne, prokurori i gatshëm. Sekretaria të çon tek shefja, dhe shpërndahen, kush do ta marri si prokuror, të martë dhe të enjte.

Qytetari: Të martë dhe të enjte?

Punonjësi i Prokurorisë: Po., 2 me 4.

Qytetari: 2 me 4? Ok!

Ndërkohë që sot Prokuroria bëri me dije se materialet i kanë mbërritur dhe kjo ngjarje po hetohet për veprën penale “plagosje e lehtë me dashje”.

Tiranë/ kryen studimet jashtë si ekselente, nuk i kthejnë përgjigje për punë.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu prezantuan sot platformën e re “Mjekë për Shqipërinë” për aplikantët që kërkojnë të punësohen në sistemin shëndetësor në vendin tonë.

Por emisioni “Stop” në Tv Klan ka sjellë rastin e një studenteje ekselente të diplomuar në Universitetin e Pavia në Itali, ku ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master me rezultate të larta. Rajmonda Rrapaj, mamaja e studentes, tregon gjithë burokracitë që po has e bija për një punë në Shqipëri. Në Universitetin e Mjekësosë kishte 4 vende të lira pune dhe studentja aplikoi për 3 pozicione, duke përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara. Megjithatë, kishin kaluar 20 ditë nga aplikimi dhe ende vajza nuk kishte marrë asnjë përgjigje.

Rajmonda Rrapaj, e ëma e studentes: Vajza ime ka mbaruar studimet në Universitetin e Pavia 3+2. Ka mbaruar me vlerësim maksimal. Duke parë vlerësimin që po u bëhet studentëve ekselentë, punësimin e studentëve ekselentë, aq më tepër ata që vijnë nga jashtë, menduam që të kthehet, edhe për arsyet tona familjare. Në datën 2 Prill pamë që në Universitetin e Mjekësisë ishin hapur 4 pozicione pune për laborante. Përshtypja e parë që më bëri, që nuk m’u duke shumë transparente, ishte fakti që aplikohej vetëm me dosje tek zyra e protokollit, jo online. Ju përgjigjëm për të tëra, siç duhej. Vajza ka aplikuar për 3 pozicione. Në datën 12 Prill ishte data e fundit e mbylljes së aplikimeve. Dhe nuk kemi asnjë përgjigje. Nuk është thirrur as për fazën e intervistës. Jemi drejtuar me disa emaile sekretarisë së universitetit. Na thonë vetëm kaq, që është një komision që merret me vlerësimin e dosjeve. Ka mungesë transparence dhe objektiviteti.

Znj.Rajmonda Rrapaj u interesua pranë zyrës së Burimeve Njerëzore të Universitetit të Tiranës për të marrë informacion lidhur me aplikimin e vajzës. Aty i thonë se duhet të mblidhet fillimisht komisioni që të shqyrtonte dosjet, dhe më pas personat që kanë bërë aplikim do të njoftoheshin. Mirëpo, edhe pse kishin kaluar të gjitha afatet e përcaktuara nga vetë Universiteti, komisioni i përbërë nga 3-5 anëtarë nuk ishte mbledhur.

Burimet Njerëzore: Për çdo vend pune ngrihet një komision, që i vlerëson.

Denoncuesja: Këtë e dimë! Ma kanë thënë të tërë nëpër e-maile.

Burimet Njerëzore: …që përbëhet zakonisht nga 5 veta maksimumi dhe minimumi 3 veta.

Denoncuesja: Kanë kaluar 20 ditë…

Burimet Njerëzore: Tashi rregullat keni ndërmend, t’i caktoni juve, apo i vënë ata?

Denoncuesja: Jo, jo! Nuk caktoj rregulla, i zbatoj rregullat!

Burimet Njerëzore: Po zbatoji atëhere! Unë po të them mos cakto data kot ti, se s’të takon fare të caktosh data!

Burimet Njerëzore: Komisioni kur të mblidhet, ne gjithmonë i lajmërojmë kandidatët, qoftë ata që vijnë për intervistë, qoftë ata,që nuk thirren, domethënë. Përderisa s’keni marrë akoma përgjigje, do të thotë që komisioni nuk është mbledhur dhe nuk i ka parë dosjet.

Gazetarja e “Stop” u takua edhe me Sekretaren e Dekanit të Universitetit të Mjekësisë, për shkak të mungesës së këtij të fundit.

Gazetarja: Vendet që janë hapur vakante, konkurset, që janë hapur për laborante në këtë Universitet.

Sekretarja: Nuk di të të them tashi edhe kancelarin nuk e kemi, është me leje. Ndërsa profesori sapo na doli, është në Ministri.

Megjithatë, pas interesimit të emisionit “Stop” për këtë çështje, duket se gjërat filluan të lëviznin. Zyra e Burimeve Njerëzore të Universitetit të Mjekësisë u dërgoi email të gjithë aplikantëve, duke i vënë në dijeni se ka filluar shqyrtimi i dosjeve të tyre.

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT