Stop Tv Klan | Një format satiro-investigativ nga Saimir Kodra & Gentian Zenelaj.

Nis sezoni i plazhit për lopët në Gjirin e Lalzit

Një ari është shfaqur në Lëpushë, duke bërë që të largohen të trembura bagëtitë.Tufa me qen kanë pushtuar sheshin qendror të Fierit. Nënkalimi te zona e City parkut është shkatërruar. Disa qytetarë kanë ndezuar zjarr gjatë një pikniku në Pezë. Janë këto disa nga episodet, që shfaqen e komentohen në pjesën e parë të emisionit, në rubrikën “Hitparade i absurdit shqiptar”.

89-vjeçarja e paralizuar nuk tërheq dot pasaportën për të shkuar tek i biri në Greqi: Prej 18 vitesh jam në krevat

Vasil Ilia, tregon për emisionin investigativ “Stop” në Tv Klan se ka nënën 89 vjeç të sëmurë dhe të paralizuar prej 8 vjetësh. Duke qenë se nuk po gjen një zonjë, për t’u kujdesur për të moshuarën, Vasili ka ardhur nga Greqia, për ta marrë me vete dhe i bën nënës kartën e identitetit. Mezi arrin që ta çojë nënën te zyrat e Aleatit. Tani që duhet të marrë dhe pasaportën në polici, nuk mundet më ta çojë nënën për ta tërhequr.

Denoncuesi: I drejtohem emisionit tuaj për arsye se kam probleme me nënën, është 89 vjeç, është e paralizuar, nuk ka njeri se kush të kujdeset. Unë erdha nga Greqia për të gjetur një sanitare për t’u kujdesur për nënën sepse ato që kisha më ikën, kështu që ngela këtu 8 muaj që rri vetë dhe i shërbej. Mirëpo, unë jam moshë e madhe dhe kam nevojë për vete për ndihmë. Unë jam 66 vjeç. Kam menduar që ta marr me vete, por nuk më japin pasaportën. Fillimisht, kam aplikuar tek zyrat e Aleatit, për kartën dhe për pasaportën. Kartën e mora, e çova nënën me skarifica të mëdha. 2 djem e ngritën, e sollën këtu në rrugë dhe e çova.

Në fakt, 89-vjeçarja jeton në një pallat që ndodhet në Laprakë, në Njësinë Numër 11, me parkime para dhe me ferra të lëna ta prerë nga shërbimet publike.

Denoncuesi: Bashkia ka vënë një tabelë këtu që “lejohet parkimi”. Unë i thirra, edhe policinë bashkiake dhe atë rrugore dhe i paraqita problemin dhe më thanë që “ne nuk kemi kompetencë sepse bashkia i lejon”. Unë i bëra pyetjen se “nëse bie zjarr në pallat, nga do të kalojë zjarrfikësja?”. Aty u bllokuan, nuk dinin të jepnin përgjigje. 8 muaj që kam unë këtu, këto makina nuk kanë lëvizuar ndonjë ditë.

Gazetarja: Përveç vështirësive fizike që të janë krijuar me këto pengesa tek pallati yt, ti ke edhe pengesa të tjera sepse ti nuk e lëviz dot nënën.

Denoncuesi: Nuk e lëviz dot. E lëviza njëherë për ta çuar tek “Aleati” që është këtu afër dhe u sëmur më keq. “Aleati” është në Laprakë, kurse Policia është në Tiranë.

Gazetarja: Tani, për të tërhequr pasaportën, ty të duhet të shkosh tek…?

Denoncuesi: Tek Policia e Tiranës dhe ajo është e pamundur. Më thanë që duhet të bëj një prokurorë të posacme. Nuk e bëra sepse kam probleme ekonomike sepse janë kushtet që jetoj vetëm me pensionin e nënës. Nuk ju intereson fare, gjallë a vdekur duhet ta çoj nënën atje unë që të vendosë gishtin.

Gazetarja e “Stop” ka shkuar tek banesa e të moshuarës, Panaja Ilias dhe ajo dergjet në krevat, e pamundur për t’u ngritur.

Nëna: Jam shumë e sëmurë. Nuk lëviz. 18 vjet që jam në krevat dhe nuk ngrihem dot. Ika herën e parë, atje rashë me gjithë karrocë, u vrava unë e u vra dhe ai djali që më mbante. Kërkoj nga policia, por nuk po vjen njeri. Nuk kam me kë të ngrihem e të shkoj. Djalin e kam sakat me një veshkë, me tension. Ai mbeti me mua gjithë ditën. Unë duhet të lahem, duhet të ha, të gjitha i bën ai, nuk kam njeri tjetër. Po të marr pasaportë, do të shkoj tek djali. Atje kujdesen e gjithë familja.

Denoncuesi: Ju lutem shumë më ndihmoni që ta marr e të iki prej këtej. Po ta marr pasaportën, do të iki.

Për këtë problematikë, gazetarja e “Stop” flet me drejtorin e Policisë Tiranë, Tonin Vocaj dhe ky i fundit pasi bisedon dhe me “Aleat”, zgjidh në mënyrë administrative rastin.

Gazetarja: Si kalove? Odeta jam, gazetarja e “Stop”.

Tonin Vocaj: Hë Odeta, a je mirë?

Gazetarja: Mirë jam unë, por dua që të më ndihmosh për një rast. Këtu në Laprakë, të një 89-vjeçareje që nuk lëviz nga vendi sepse ka 8 vite në karrocë invaliditeti, është e vetme në shtëpi. Ka ardhur djali i vet nga Greqia ta marrë me vete. Ka bërë të gjithë ato precedura, por kur duhej të paraqitej zonja tek “Aleati”, e ka marrë zonjën me makinë, e ka transportuar dhe është ndjerë shumë keq. Është pajisur me kartë identiteti. Ka probleme me pasaportën tani sepse duhet të paraqitet tek Policia e Tiranës.

Tonin Vocaj: I është prodhuar pasaporta ë?

Gazetarja: Ideja është se nuk e sjell dot. Unë e pashë vetë. Zonja përveç se është e sëmurë dhe invalide, është edhe peshë e rëndë.

Tonin Vocaj: M’i ço të dhënat me mesazh. Mirë?

Gazetarja: Dakord, të falenderoj.

“Stop” ia dorëzon të birit pasaportën dhe të moshuarës.

Denoncuesi: E mora pasaportën, ju uroj shëndet dhe sukese në punën tuaj, faleminderit shumë dhe ju keni bërë një “urë në det” për mua sot. Sukses dhe shëndet të keni gjithmonë.

Nëna: Qofsh mirë edhe ti o djali. U bëfshi nga 100 vjeça. Mos i paçi këto hallet e mia. Jam shumë e lumtur dhe juve të ju japë lumturi Zoti. Faleminderit shumë. Zoti ju japë fuqi e çdo të mirë.

18 vjeç e divorcuar dhe me foshnje të sëmurë, historia e të resë: Marr borxh, nuk ia dal as të blej qumësht për djalin

“Stop” ka shkuar në Kombinat pasi Ilda Rryçko, 18 vjeç, nënë e një foshnjeje 5 muajsh, ka kërkuar ndihmën e emisionit. Ajo tregon se eshtë divorcuar nga bashkëshorti dhe jeton te prindërit e saj. Por Ilda nuk ka të ardhura për të mbajtur beben e saj të sëmurë.

Ilda Rryçko: Kërkova një ndihmë për djalin që e kam 5-muajsh dhe nuk kisha të ardhura, jam e divorcuar. Nuk kam kontakte fare me burrin dhe nuk kisha mundësi për djalin. Ka lindur prematurë, kam qenë 6-muajshe, kam qëndruar 3 javë në spital.

Gazetarja: Çfarë problemi ka?

Ilda Rryçko: Ka një hernie tek kërthiza, ka edhe një qese me ujë që ajo e acaron shumë, si dhjamë e ka tek kërthiza, e ka shumë të madhe. Ajo qesja me ujë i ngjitet lart. Më ka thënë kirurgu që kur të bëjë 3 vjeç duhet ta operojmë nëse nuk i ikën.

Gazetarja: Ilda me kë jeton?

Ilda Rryçko: Me mamin dhe babin.

Gazetarja: A vazhdon shkollën?

Ilda Rryçko: Jo.

Gazetarja: A punon?

Ilda Rryçko: Jo, jo.

Gazetarja: A ke ndonjë ndihmë nga ish-bashkëshorti?

Ilda Rryçko: Sa ka mundësi, më ndihmon. Nuk është se më përgjigjet shpesh, por sa ka mundësi më ndihmon. Për këtë gjë dhe jemi ndarë sepse nuk kishte mundësi, nuk punonte.

Gazetarja: Po tek familja jote si janë të ardhurat?

Ilda Rryçko: Edhe këto nuk kanë të ardhura të mira. Babi punon në parking, mami është e operuar. Marr borxh. Në fillim e kisha me gji djalin. Kur dola nga spitali më iku gjiri fare nga stresi, i fillova formulën, por nuk ja dilja dot me formulë sepse kushton dhe i fillova qumështin. Nuk ia dal dot sepse me bidon ky e çon një ditë, ditën tjetër do bidonin tjetër. Pampersat ja kam marrë të lira, me copa. Nga emisioni “Stop” kërkoj ndihmë deri kur të bëhet djali 3 vjeç që të ushqehet.

Pas apelit të së resë, “Stop” dhe “Fundjavë Ndryshe” ndihmojnë 18-vjeçaren me ushqime, veshmbathje dhe pampers. Ndërsa qytetari, Gëzim Beka i dhuron 100 Euro./tvklan.al