Hitparade i absurdit shqiptar.

Mikela bën pjesë tek ata fëmijë, që nuk bën dot pa parë dhe ndërvepruar cdo mbrëmje me emisionin “Stop”. Më pas transmetohen disa video, të dërguara në redaksi nga qytetarë të ndryshëm.Një qytetari i kanë prishur shkallën dhe tani hyn në shtëpi,duke u ngjitur me shkallë druri.Rruga e sapoinauguruar te Shkolla e Bashkuar është përmbytur nga shirat e ditëve të fundit.Në Bulqizë është përmbytur drejtoria e shërbimit pyjor. Këto janë disa nga videot, që transmetohen dhe komentohen në studion e “Stop”, në rubrikën e përjavshme “Hitparade i absurdit shqiptar”.

Nga Lezha në Kodër Marlekaj, 30 minuta rrugë drejt qendrës shëndetësore.

“Stop” është ndalur në qendrën shëndetësore Lezhë, aty ku ndodhet edhe konsultorja e nënës dhe fëmijës. Por mjekët kanë bërë një peticion, me të cilin kundërshtojnë zhvendosjen e kësaj qendre në Kodër Marlekaj. Banorët thonë se nuk mund t’i çojnë fëmijët në qendrën e re, pasi është shumë larg e nuk kanë mundësi lëvizjeje. Gazetarja e emisionit provon distancën me qendrën e re dhe iu deshën 30 minuta për të arritur në destinacion, në Kodër Marlekaj.

Mjekë dhe infermierë të kësaj konsultoreje kanë firmosur një peticion pasi janë urdhëruar që brenda disa ditëve do të lënë këto ambiente dhe do të drejtohen drejt zonës Kodër Marleka, aty ku është ndërtuar një qendër e re.

Në bazë të peticionit mjekët dhe infermierët e kësaj konsultoreje kundërshtojnë largimin, sepse ata deklarojnë se ndoshta nuk është e menduar mirë për vetë faktin, sepse largësia është shumë e madhe.

Qytetarja 1: Me na e çu në Kodër Marlekaj nuk na pëlqen, për arsye se atje ka makina shumë, është autostradë ndodhin shumë aksidente…

Qytetarja 2: Nuk e përballoj dot është e pamundur.

Qytetarja 3: Atje nuk mundemi të shkojmë se kemi dy fëmijë binjakë, është shumë larg… nuk kemi para për taksi.

Mjekja: Gjithë problemi është se çfarë do të ndodhë me komunitetin, vajtje-ardhje e komunitetit deri atje. Ne jemi të gatshëm të punojmë kudo që të jetë, s’kemi asgjë personale as me Drejtorinë as me dikë tjetër, problemi qëndron te nënat.

Gazetarja: Sa larg është ?

Mjekja: Një nënë me fëmijë merr rreth 1 orë.

Qytetarët bëjnë thirrje nëpërmjet emisionit “Stop”, që të anulohet vendimi.

3 vjet në zyrat e Aluzinit, Stop zgjidh problemin e rrobaqepësit Cërrik.

Andrea Çela, banor i Mollasit në Cërrik, denoncon në “Stop” se prej vitesh ALUIZNI Elbasan i mban peng dosjen e pronës. Dikur ka punuar rrobaqepës, gjë që i dha mundësinë të privatizojë godinën. Në kohën e kaosit, godinës i bëri një shtesë dhe tani endet zyrave për legalizimin.

Gazetarja takoi përgjegjësin e ALUIZNI-t Elbasan, Andrea Begu, i cili tha se dosja e Çelës është në shqyrtim, por ai duhet të bëjë më parë një deklaratë prishjeje të objektit ekzistues, më pas do të pajiset me lejen e legalizimit.

Historia fillon nga viti 1991 dhe deri më sot. Bëhet fjalë për vitin ’91 kur godina ka qenë një ish-rrobaqepësi.

“Quhem Andrea Çela, banor i fshatit Mollas. I jam drejtuar emisionit “Stop” për një problem me drejtorinë e ALUIZNI-t Elbasan. Duke qenë rrobaqepës në fshatin Mollas me vite, kam filluar punë në vitin 1977. Nga kjo godinë që trashëgova nga kooperativa, e kam paguar me numër mandati, vendim nr.7 me datë 11.09.’96. Kontrata e shitjes është bërë në prani të punonjësve të komunës. Certifikata e objektit më ka dalë në datën 1 Shkurt 2002″.

Denoncuesi disponon edhe një vërtetim, që tregon se kjo pronë është e tij në të cilën shkruhen edhe kufizuesit ku thuhet se në perëndim të objektit rezulton shesh i lirë.

Dhe duke qenë se perëndimi rezultonte shesh i lirë, atëherë Andrea Çela ndërton një dhomë në katin e dytë. Më pas bën një aplikim te ALUIZNI i qytetit të Elbasanit.

Pas aplikimit të bërë vjen dhe përgjigja nga Srejtoria e Qarkut Elbasan e publikuar në një gazetë, ku në 580 emrat që marrin lejen e legalizimit në Elbasan, figuron edhe emri i Andrea Shyqyri Çela.

Nga ajo kohë deri më sot, për objektin në fjalë nuk rezulton leje legalizimi.

Për rastin e Andrea Çelës, “Stop” i është drejtuar ALUIZNI-t Elbasan ku kërkohet informacion nga përgjegjësi i sektorit të ALUIZNI-t Elbasan, Andrea Begu:

“Unë si përgjegjës sektori e kam shqyrtuar dosjen, zotëria ka një VKM të miratuar në vitin 2015. Në momentin që flasim dosja është në shqyrtim, është shqyrtuar nga ana e specialistëve. Zotërisë i është kërkuar një deklaratë prishjeje të objektit ekzistues në mënyrë që objekti të trajtohet konform procedurave të legalizimit në mënyrë të plotë dy kat social-ekonomik siç ka gjendjen faktike edhe sot. Është i lutur zotëria të na sjellë deklaratën në mënyrë që të konkludojmë edhe procedurat e mëtejshmë të legalizimit”, tha Begu.