STOP – EMISIONI 221 (SEZONI 3)

Emision: 9.07.2018

Viktima të mungesës së rojave bregdetare.

Në fundjavë 3 persona u mbytën në bregdetin shqiptar, mes tyre edhe një turiste polake, pasi në plazhet tona mungojnë rojet bregdetare.Në Gjirokastër një cift bashkëkshortësh bëjnë debat me punonjësin e bashkisë, pasi ky i fundit i ve kazanin e plehrave afër derës së shtëpisë.Rruga e shtruar në njësinë bashkiake Allkaj Lushnje është e tillë qe mund të shkulet edhe nga një fëmijë. Këto dhe të tjera vide transmetohen dhe komentohen në pjesën e parë të emisionit të sotëm.

Sarandë, akuzoi shokët për vjedhje me dhunë, dy të rinj në qeli pa prova.

Dy të rinj, Elvis Hasanaj dhe Besmir Uka, mbahen prej disa muajsh në paraburgim në Sarandë, të akuzuar nga Adnan Kaja për grabitje me dhunë. Ngjarja e pretenduar ka ndodhur në 25 Janar të këtij viti dhe personat e sipërpërmendur kanë qenë duke pirë bashkë në lokal deri në mëngjes. Pamjet filmike tregojnë edhe momentin e ndarjes, ku Adnani i mbante shoqëruesit thuajse me forcë.

Nga qelitë e paraburgimit, Besmir Uka tregoi dinamikën e asaj mbrëmjeje, pijen deri në mbarimin e parave dhe këmbënguljen e Adnanit për të marrë “mall” (drogë). Të nesërmen ky i fundit denoncoi dy të tjerët për vjedhje dhe dhunë. Prokurori i çështjes Ilir Hoxha, nuk ka marrë asnjë të dhënë nga të akuzuarit e po kështu nuk pranon të japë asnjë shpjegim, pasi çështja është nën hetim.

Besmir Uka– Jam bashkë me Elvis Hasanajn këtu, me djalin, që na akuzojnë neve. Unë jam Besmir Uka, nga Laçi. Kam 18 vite, që jetoj këtu.(Në Sarandë). Dalim atë natë për qejf me Elvis Hasanajn, ulemi atje, diku nga ora 03:00, mos të gaboj, 03:30, ulemi rrijmë, pi rri, si gjithë rinia, ti e ke parasysh vetë. Në atë moment vjen një djalë i gjatë, pak si kaçurrel, erdhi u ul në tavolinë, pa njohur pa ditur. Nga je ti? Jam nga Lushnja tha, ju njof, tha. Ne këtu jetojmë i thamë. Kjo ka qenë biseda, pi rri, pi rri, deri në orën shtatë e ca, të mëngjesit. Ne ikëm në shtëpitë tona, ai ikën në shtëpi të vet, a ku ikën hesapi i tij. Ai vete në komisariat dhe bën denoncim, jo me emër, ishte interesu, si i kanë emrat, se emrat s’i dinte ai.

Më pas tha: Elvis Hasanaj dhe Besmir Uka më kanë grabitur me shkopa bejzbolli, e më kanë rrahur mbrëmë, e më kanë marrë portofolin, ku di unë, se ça ka ngatërruar ai, ose ça ngatërrojnë këta këtu tani.

Gazetari– E kuptoj! Besmir, të të pyes diçka! Ka ardhur Prokurori i çështjes, ju ka marrë në pyetje aty?

Besmir Uka– Asnjëherë! As do me ia dit fare, jemi apo s’jemi, marrim frymë, apo s’marrim frymë. Kemi 5 muaj, që po na mbajnë këtu, kemi 5 muaj, që po vuajmë burgun, kam lënë një fëmijë të vogël, 20 ditëshe, që e kam lënë në shtëpi.

Sipas deponimit të Adnan Kaja, ka qenë data 25 Janar e 2015-tës, ai ka qenë me automjetin e tij tip furgon për të shpërndarë qumësht në një kopësht në Sarandë dhe ai ka pretenduar se është dhunuar nga 3 persona me shkopinj bejsbolli, por kujtojmë se nga materialet që ne kemi në atë datë në atë orë, se ky person së bashku me dy djem që janë në paraburgim, kanë qenë duke festuar në një nga klabet e natës.

Një pikë tjetër e rëndësishme e kësaj historie është edhe kjo deklaratë noteriale, e hartuar në datën 25 Shkurt 2018, në qytetin e Sarandës përpara noterit Krenar Abazi.

Dy dëshmitarë, me inicialet E.Z dhe A.M banakier dhe DJ në lokalin ku të rinjtë festuan, deklaruan se:

“Në datën 24.01.2018 kanë hyrë në lokal personat Elvis Hasanaj dhe Besmir Uka, rreth orës 23.30 dhe pak më mbrapa rreth orës 00.30 të datës 25.01.2018 ka ardhur edhe shtetasi Adnan Kaja, i vetëm i cili ka ardhur edhe herë të tjera në klab. Fillimisht personat e mësipërm janë ulur në tavolina të ndryshme, pas një ore nga ardhja në klab, shtetasi Adnan Kaja ka shkuar te tavolina që ishin ulur Elvis Hasanaj dhe Besmir Uka, dhe kanë shkëmbyer qerasje me njëri-tjetrin. Rreth orës 05.00 të mëngjesit shtetasi Adnan Kaja ka ardhur në banak dhe deshi të linte telefonin garanci pasi i kishin mbaruar lekët dhe nuk i kemi dhënë për shkak të rregullit të lokalit. Më pas Elvis Hasanaj ka qerasur për herë të fundit tavolinën, shtetasit e përmendur kanë ndenjur bashkë deri rreth orës 06.30 të datës 25. 01.2018 që është mbyllur lokali dhe kemi dalë si staf së bashku. Deklarojmë se shtetasi Adnan Kaja donte te rrinte akoma në lokal dhe kërkonte me ngulm të linte telefonin peng. Ne dëgjuam shtetasit Elvis Hasanaj dhe Besmir Uka që i thanë se do mbyllej lokali dhe ne jemi larguar për në shtëpitë tona ndërsa ata të tre i kemi lënë përpara diskos duke pirë gotat që kishin marrë me vete”.

Referuar deponimit të shtetasit Adnan Kaja i cili ka thënë se është grabitur dhe dhunuar në datën 25.01.2018 nga tre persona dhe është dhunuar me shkop bejsbolli, “Stop” i është drejtuar spitalit rajonal të Sarandës për të pyetur nëse ky person ka ardhur dhe në çfarë gjendje ka ardhur dhe rezulton se Adnan Kaja është regjistruar në spital një ditë pasi ka ndodhur ngjarja, pra në datën 26.01.2018 dhe diagnoza është: një gërvishtje në gju.

Ndërsa, përsa i përket pamjeve ku Elvis Hasanaj tërheq Adnan Kajën, Besmir Uka personi i tretë që ishte në vendngjarje do t’i tregojë kështu:

Besmir Uka–Tani, unë do ta them më tullë? Do ta them më tullë, si muhabet?

Gazetari– Po, pikërisht, kjo është idea, po pra po, thoje!

Besmir Uka- Ai priste, ai priste…,ai priste me marrë “mall”, o vëlla! Unë isha i lodh, i këput, mezi rrija në këmbë, unë doja të ikja në shtëpi dhe kaq! Kjo ka qenë biseda jonë. Ai priste me marrë “mall” prapë, e kemi lënë aty…

Gazetari- Prokuror? Olsi Cala, Stop, Klan! Kemi ardhur për këtë rastin e këtyre dy djemve, Elvis Hasanaj dhe Besmir Uka.

Prokuror Ilir Hoxha– Kjo çështje është në hetim, bëni një kërkesë zyrtare.

Gazetari– E kuptoj, por jemi në kushtet, që…

Prokuror Ilir Hoxha– Të lutem!

Gazetari-…janë kamerat e sigurisë, që ata në orarin 05:30, që ata…

Prokuror Ilir Hoxha- Për të tjerat, bëj kërkesë, të lutem!

Gazetari– Po jemi në kushtet, që kemi deklaratë noteriale të personave…, ky person, që ka bërë kallëzimin thotë që: Po lë telefonin peng, se s’kishte më lekë. Kemi kamerat e sigurisë, që në 05:30…

Prokuror Ilir Hoxha- Si e kishe emrin ti?

Gazetari- Olsi Çala!

Prokuror Ilir Hoxha– Ta gëzosh!

Gazetari- Rrofsh!

Prokuror Ilir Hoxha– E kupton, cfarë po them unë? Të thashë është çështja në hetim. Për aq kohë, sa çështja është në hetim, unë e kam të ndaluar të të informoj.

Gazetari– Të paktën si prova, janë mbledhur, si materiale…

Prokuror Ilir Hoxha– Kalofshi mirë!

Gazetari– Videot? Sepse në 05:30…thotë më kanë grabitur, ndërkohë në 05:30 është në…

Prokuror Ilir Hoxha– Zotëri, KALOFSHI MIRË!

Jemi në kushtet që ka një kamera sigurie që tregon se 3 djemtë kanë qëndruar bashkë deri në orën 5.30 në ambientet e lokalit. Ndërsa ekziston edhe një deklaratë noteriale nga dy persona të tjerë që janë në cilësinë e dëshmitarëve, banakieri dhe DJ i lokalit pohojnë se Adnan Kaja ka kërkuar të lërë peng telefonin në mënyrë që të konsumonte më shumë pije alkoolike. Jemi në kushtet që djemtë ka 5 muaj që janë në paraburgim dhe prokurori i çështjes nuk jep asnjë sqarim.

Iku nga puna me reformën në burgje, në pritje të pagave kalimtare.

Renato Faskaj tregon në “Stop”, se prej 5 vjetësh ka punuar në sektorin e forcave operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Në këtë kohë kërkoi të dalë në reformë dhe i duhet të marrë pagat kalimtare prej 50 përqind, siç e parashikon ligji. Gazetarja u interesua në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ku i thanë, se fondi i kaluar për miratim Ministrisë së Drejtësisë. Janë rreth 160 punonjës që pritet të marrin pagat kalimtare dhe sapo fondi të bëhet aktiv në degët e thesarit, do të nisë likujdimi.

Renato Faskaj: “Kam punuar në Drejtorinë e Burgjeve, te sektori i forcave operacionale për afro 5 vjet, për arsyet e mia personale iu drejtova Drejtorit të Përgjithshëm për kërkesë për të dalë në reformë. Kërkesa u aprovua, kështu unë u lirova nga detyra, mora shpërblimin prej dy pagash që më takonin, po që nga ajo ditë, 15 Prill fillonte pagesa kalimtare, por ka 4 muaj që këto pagesa nuk kryhen.

Pyes sektorin e financave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, thotë që kemi dërguar kërkesë te Ministria e Financave për fonde se s’kemi fonde, këto të dyja ia kalojnë përgjegjësinë njëra-tjetrës. Ministria i Financave thotë s’ka ardhur akoma asnjë kërkesë, kurse këta thonë kemi dërguar kërkesën po s’kemi marrë përgjigje.

Prandaj iu drejtova edhe emisionit “Stop”, unë nuk kërkoj asgjë më shumë përveç urdhërit të zbatimit të drejtorit të përgjithshëm, për pagesat kalimtare, për afro 436 mijë Lekë. Me çfarë do jetoj, me çfarë do kaloj jemi familjarë, pagesat duhen bërë. S’po kërkoj asgjë më shumë sesa atë që më takon sipas ligjit në fuqi, lekët e mia kërkoj”.

Lidhur me rastin në fjalë “Stop” iu drejtua drejtorisë së burgjeve për t’i pyetur sepse nuk është bërë kalimi i pagave kalimtare. Në një përgjigje nga kjo drejtori, thuhet se fondet kanë kaluar për miratim te Ministria e Drejtësisë. Janë afro 160 punonjës, ushtarakë në sistemin e burgjeve që priten të marrin pagat kalimtare. Aktualisht sipas shkresës së dërguar, thuhet se “jemi në pritje të fondit, sapo të bëhet aktiv fondi në degën e Thesarit, do të vazhdojmë me likuidimin e detyrimeve, për të gjithë punonjësit që trajtohen me pagë kalimtare, në sistemin e burgjeve”.

Kategori
STOP
0 Komente

Përgjigju

*

*