Stop Tv Klan | Një format satiro-investigativ nga Saimir Kodra & Gentian Zenelaj.

Stop/ Live shorti i Albmarket, mësohen fituesit e 3 makinave Volswagen

Sot në studion tonë është hedhur live shorti i Albmarket.Të gjithë ata, që kanë blerë në rrjetin e supermarketeve Albmarket, produkte me vlerë fature 2 mijë lekë të reja në brandet partnere, janë bërë pjesë e këtij shorteu.Albmarket ka shpërndarë nga studio e emisionit “Stop” tre makina, dy volsvagen ID3, dhe një volsvagen ID4.


Godina e dëmtuar nga tërmeti ende e pashembur, humb jetën 36-vjeçari

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar emisioni “Stop” në Tv Klan shkoi në zonën “Misto Mame”, tek pallatet Çabej, për problematikën e qytetarit Astrit Maci, i cili është bashkëpronar në një ndërtesë 4-katëshe, e ndërtuar prej vitesh dhe e certifikuar. Ai tregoi se vlera e shtëpisë ka shkuar 400 mijë euro dhe nga tërmeti i vitit 2019 u shpall me dëmtim Ds5, që do të thotë rrezikshmëri e lartë.

Qytetari kreu të gjitha procedurat dhe iu drejtua njësisë administrative nr. 6, Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe IKMT për prishjen e objektit. Gjithashtu mori lejen e ndërtimit dhe do të merrte vlerën 80 milionë lekë të vjetra për rindërtim. Edhe pse ka kërkuar prishjen, ende nuk ka gjetur zgjidhje, pasi i kanë thënë se duhet ta prishë vetë. Firmat ndërtuese nuk ia kanë marrë përsipër pasi ka ngjitur banesa të tjera.

Sot në ndërtesën e braktisur flenë të pastrehë ose shkojnë përdorues të lëndëve narkotike. Atje ka shiringa të shpërndara, mbetje ushqimore duke e kthyer ndërtesën në vatër infeksioni. Dy ditë pas transmetimit të emisionit, njëri prej përdoruesve të lëndëve narkotike ka ndërruar jetë në këtë godinë të rrezikshme në moshën 36-vjeçare.

Vëllai i viktimës: Më duket se e ka gjetur policia. Ne rrinim këtu, flinim këtu se s’kishim ku flinim. Më përpara flinim aty poshtë.

Gazetarja: Edhe ti strehoheshe këtu?

Vëllai i viktimës: Po! Me atë rrija këtu, me atë flija, e ruaja. I thosha ik vizitohu, “jam mirë” ia bënte, që të shtrohej se nxirrte gjak nga goja.

Gazetarja: Ishte përdorues i lëndëve narkotike vëllai?

Vëllai i viktimës: Më përpara po.

Gazetarja: Prej sa kohësh strehoheshit këtu?

Vëllai i viktimës: Këtu kemi dy vjet.

Gazetarja: Sa vjeç ishte vëllai?

Vëllai i viktimës: 36 vjeç.

“Stop”  iu drejtua bashkisë së Tiranës që tha se për shkak të rrezikshmërisë së objektit, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile i ka drejtuar shkresë IMT-së për të iniciuar shembjen e ndërtesës. Më pas, IMT në varësi të buxhetit do të veprojë ose do të kërkojë ndihmë nga një kompani e specializuar për ndërhyrje./tvklan.al