Laprakë, banorët në këmbë kundër prishjes së fushës së futbollit.

Banorët e Laprakës protestojnë kundër prishjes së fushës së futbollit në këtë zonë.Sot fadromat kanë shkuar atje bashkë me përmbarimin, për të ekzekutuar një vendim gjykate në favor të pretendentit të pronës. Por zëdhënësi i bashkisë Denis Dedej tha për “Stop”, se fusha nuk do të prishet dhe nuk ka plan për ndërtimin e pallateve në vend të saj.

Klubi i futbollit Tirana, lë pa rrogë sanitaren, që ka ka vendim gjyqi.

Mimoza Qyra denoncoi në emisionin “Stop” Klubin e Futbollit Tirana, pasi ka punuar 3 vjet si sanitare, por nuk ka marrë pagën e 9 muajve që në vitin 2015.

“Kishim një kontratë të rregullt, siguracionet nuk e di a i derdhnin. Mua për vete më lanë 9 muaj pa rrogë. Iu drejtuam Gjykatës së Rrethit Tiranë dhe i hodha në gjyq”, u shpreh denoncuesja.

Ajo e fitoi të drejtën e saj në shkallët e gjyqësorit dhe mori përmbarues për ekzekutimin e vendimit, por paratë ende nuk ka mundur t’i marrë. “Nga viti 2015 e deri më sot unë nuk kam marrë asnjë qindarkë. Se ça ka bërë përmbaruesi, unë nuk di gjë fare”, tha Mimoza Qyra, duke kërkuar ndihmë nga emisioni “Stop” për zgjidhjen e problemit të saj.

Përmbaruesi shtetëror Pjetër Cakaj, nëpërmjet një bisede telefonike me gazetaren e emisionit “Stop”, u shpreh se janë bllokuar të gjitha llogaritë, por as klubi dhe as presidenti i tij Refik Halili nuk kanë lekë në llogari. Edhe nipti i Klubit të Futbollit Tirana është i bllokuar. Ndërkohë që moderatorët e emisionit “Stop” ngritën pyetjen sesi ky klub futbolli i paguan lojtarët e tij.

Biseda me përmbaruesin shtetëror, Pjetër Cakaj:

Gazetarja – Është çështje e juaja që prej 3 vitesh, që në vitin 2015. Pse ka zgjatur sepse procedura përmbarimore 6 muaj e ka limitin.

Përmbaruesi – Po nuk ke, po dëgjo, në qoftë se nuk ka pasuri nuk e gjykon. Pavarësisht se është një klub… është biznes futbolli, nëpër banka nuk rezulton të ketë lekë. Edhe për këtë është bërë një kallëzim penal për zotërinë, për vetë Presidentin e Klubit të Futbollit (Refik Halili).

Gazetarja – Hera e fundit që e keni takuar?

Përmbaruesi – Jo mo, ka nja… nuk e di, një muaj mbase. Klubi i Futbollit Tirana ka një nipt, edhe neve i referohemi niptit. Nuk rezulton të ketë, gjithmonë kanë qenë të bllokuara dhe nga përmbaruesit e tjerë privatë. Po të kishte lekë në llogari, ne e kishim bërë (ekzekutimin e titullit ekzekutiv).

Gazetarja – Të ndodhur në këto kushte, si do ia bëjmë tani? Sepse 3 vjet ka zgjatur. Zonja çfarë t’i bëjë tani vendimit të gjykatës? Ta bëjë kaush?

Përmbaruesi – Neve jemi të detyruar të përsërisim herë pas here sekuestron, nëse ka apo jo, po nuk kemi ç’të bëjmë më gjatë. Edhe kallëzim penal që mund të ketë fshehje pasurie i kam bërë. Tani, nuk e di çfarë të them!

Gazetarja e emisionit “Stop” shkoi në stadiumin Dinamo së bashku me Mimoza Qyren, për të komunikuar me një drejtues në lidhje me këtë çështje, por u përball vetëm me dyer të mbyllura.

Denoncuesja iu drejtua fotografisë të vendosur në mur, ku ndodhej presidenti i Klubit të Futbollit Tirana, duke thënë: “O shoku drejtor, më jep lekët se kam fituar gjyqin. Kam 3 vjet që po pres lekët e tua. O drejtor, të lutem më jep djersën time! O drejtor, të lutem më jep lekët e mia se kam punuar kaq vite këtu, më ke pirë gjakun, më ka hyre reumatizma deri në kockë!”

Gazetarja komunikoi nëpërmjet një telefonate me përgjegjësin e stadiumit, Ksenofon Haskoçela, i cili tha se nuk është ai përgjegjësi për ndjekjen e kësaj çështjeje.

Gazetarja – Që në vitin 2015 është shkarkuar nga puna sanitarja Mimoza Qyra.

Përgjegjësi – Mimoza?

Gazetarja – Ka punuar gjatë periudhës tuaj 2 muaj.

Përgjegjësi – E di! Më dëgjo, unë jam përgjegjës klubi, përgjegjësi i stadiumit dhe nuk kam lidhje fare me këtë punë!

Gazetarja – I detyrohet klubi.

Përgjegjësi – Atëherë, më kupton edhe mua? Unë kam pozicionin tim, po nuk merrem me këtë punë. E dashur, më pret dot 5 minuta që të vij aty?

Ndaj dhe gazetarja së bashku me denoncuesen pritën përgjegjësin e stadiumit, i cili këmbënguli për fikjen e kameras, në mënyrë që të mos regjistrohej biseda e tyre. Por kamera e emisionit investigativ nuk fiket asnjëherë.

Përgjegjësi – Ju lutem, mbylle kameran!

Gazetarja – Jo, jo pa merak!

Përgjegjësi – Mbylle kameran!

Gazetarja – Klubi i Futbollit Tirana është pala.(e paditur)

Përgjegjësi – Në rregull!

Gazetarja – Kupton? Prandaj, nuk erdha kot tek juve.

Përgjegjësi – Tani, dëgjo këtu, këto metodat gazetareske s’më pëlqejnë. Drejtohu drejtpërdrejtë të të kthej përgjigje!

Gazetarja – Jo, jo! Pa merak!

Përgjegjësi – Të lutem më përdhunon mua ashtu edhe marr policinë e të them: vëlla i dashur unë s’dua ta jap(intervistën), personale pastaj. Kjo është e drejtuar tek Presidenti (Refik Halili).

Gazetarja – Po!

Përgjegjësi – Tirana ka trashëguar borxhe, që kur e ka administruar bashkia dhe ato borxhe janë të bashkisë. Është shlyer pjesa më e madhe e borxhit. Akordoi një fond 400 milionë lekësh bashkia dhe lekët nuk i mori klubi, vetëm çuam listën e borxhlinjve, ku kishim borxhe dhe u kalojnë lekët direkt.

Gazetarja – Ka që në 2015-tën more zotëri. Kush është shlyer, kush pjesë është? Kush është shlyer se kjo ka 3 vjet?

Përgjegjësi – Ti e kupton se çfarë borxhi kishte Tirana? S’e ke idenë?

Gazetarja – Jo, s’e kam idenë.

Përgjegjësi – Po them 30 milionë lekë tek OSSH-ja, të papaguar..

Gazetarja – Ëhë, OSHEE-ja.

Përgjegjësi – OSHEE-ja. Presidenti i ka thënë që avash- avash, mesa di unë..

Gazetarja – Refiku?

Përgjegjësi – Personalisht, sa kam dëgjuar, është akorduar një fond prapë i konsiderueshëm që do të marrin. Këto lekë nuk kalojnë në klub..

Gazetarja – Kur?

Përgjegjësi – Klubi i ka llogaritë e bllokuara. Unë sa di të them, janë shlyer një pjesë e borxhit dhe pjesa tjetër shlyhet prapë me këste siç është shlyer.

Pra, Mimoza Qyres i duhet të presë sërish, derisa t’i vijë radha për t’iu shlyer paratë e 9 rrogave, që nuk i janë dhënë nga Klubi i Futbollit Tirana.

Shisnin qetësues kafshësh, në pranga cifti Kokunja.

Mbrëmjen e të martës emisioni “Stop” transmetoi kamerën e fshehtë, ku denoncohej shitja e ketaminës nën dorë, në mënyrë ilegale. Po mbrëmë, bashkëshortët Telhat dhe Shpresa Kokunja, u vunë në pranga e bashkë me ta edhe një 18 vjecar, që po blinte anestezikun e kafshëve.Ndaj ciftit, që tregtonte lëndën e rrezikshme, rëndon akuza e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.