STOP – EMISIONI 39 (SEZONI 4)

Emision: 25.10.2018

Teatri i dëgjesave publike të Veliajt, dhunohet gazetari i “Stop”.

Një ditë më parë, në një nga dëgjesat publike të kryebashkiakut Erion Veliaj në Kombinat, aktivisti i shoqërisë civile dhe gazetar e bashkëpunëtor i emisionit “Stop” u nxorr jashtë me dhunë, edhe pse është banor i zonës. Renaldo tregon situatën dhe shpjegon, se ishte në aktivitet, thjesht si një i interesuar për projektet e bashkisë së Tiranës për vitin e ardhshëm.

Krujë, bashkia i rrëmben pronën, policia “që duam”, e dhunon.

Bashkia e Krujës vendosi të rikonstruktojë një rrugë në lagjen numër 2 të këtij qyteti, me vlerën e 7 milionë e 800 mijë Lekëve të vjetra. Por bashkia harroi të llogarisë që po cënonte pronën private të banorëve autoktonë.

Përparim Hocja u ankua në emisionin “Stop” se pajisjet shkuan pa asnjë paralajmërim, duke i marrë 126 metra pronë.

“Bashkia Krujë me investimin që ka bërë, ka bërë një padrejtësi sepse ne jemi pronarë autoktonë dhe e posedojmë këtë pronë me certifikatë. Bashkia erdhi me eskavatorë pa na thënë se për çfarë do bëhet kjo rrugë. Kur u kërkova të na jepnin informacion për shpronësimin, se më thanë që na kanë bërë shpronësimin, nuk më dhanë asnjë informaion, duke thënë vetëm që këto janë punët e bashkisë dhe kjo është pronë e bashkisë. Mua më ka bllokuar biznesin, ndërsa vëllait rrugën e shtëpisë”, rrëfeu i shqetësuar denoncuesi.

Ai gjithashtu tregoi se pas një eksperience të mëparshme me Bashkinë e Krujës, beson se nuk do t’i marrë paratë e shpronësimit. Ndërsa i vëllai, Muharrem Hocja tha se rruga u bë me dy standarde dhe ai tanimë nuk hyn në shtëpinë e tij.

Përsa i përket demshpërblimit për cënimin e pronësisë, ai u shpeh: “As na kanë dëmshperblyer. Vëllait për 26 metra i kanë marrë katërfishin. Mua më kanë hyrë me dhunë, më kanë prerë arën, më kanë prerë murin, më kanë hyrë në pronë. Mua s’më kanë dhënë asnjë lloj shpenzimi, më kanë zënë rrugën!”.

Prokuroria, nëpërmjet një akti ekspertimi, tha që kjo rrugë që nuk plotëson parametrat për t’u konsideruar rrugë automobilistike, pasi nuk ka trotuare anësore, ndriçim, sinjalistikë, kanale të kullimit të ujërave të shiut, si dhe pjerrësia është më shumë se 10%, që është norma e lejuar.

Por si të mos mjaftonin këto, ditën e ekzekutimit të aktit të bashkisë, një prej policëve u konfliktua me banorët, duke përdorur dhunë verbale e fizike.

Gazetarja e emisionit “Stop” komunikoi me shefin e komisaritatit të Krujës, i cili tha se punonjësi i policisë, Shkëlqim Droja është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur procedimi penal.

Gazetarja: Alo! Shefi përshëndetje! Unë jam Gena Haxhiu, gazetarja e emisionit “Stop”, në Tv Klan! Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur para pak ditësh, në lagjen nr 2. Për një punonjës me uniformë policie, që ka dhunuar disa banorë, unë kam në dispozicion videon, edhe të mos flasim pastaj për fjalorin aspak të hijshëm.

Shefi i Komisariatit: Kur kanë fillu punimet, bashkia na ka pru një shkresë që kërkojnë mbështetje, pasi mund të kenë kundërshtim disa banorë. Momentin, kur janë konfliktu, aty ka ndodh edhe polici, tashi simas pretendimeve, ka qenë edhe pak në gjendje të dehur. Direkt kemi njoftu shërbimin e kodit të brendshëm, është pezulluar nga detyra dhe ka fillu procedimi penal ndaj tij. A e kupton? E dimë edhe videon, e kemi dorzu edhe në prokurori.

Gazetarja: Kush është polici?

Shefi i Komisariatit: Punonjësi i policisë së zonës.

Gazetarja: Si e ka emrin?

Shefi i komisariatit: Shkëlqim Droja!

Emisioni “Stop” bëri apel ndaj bashkive të qyteteve, që të mos ndërhyjnë në pronat e banorëve pa asnjë paralajmërim apo pa i dëmshpërblyer, si dhe Policisë së Shtetit që të mos prekin asnjë qytetar, pasi nuk kanë asnjë të drejtë për ta bërë këtë gjë.

Kontrata e chek-upit, dalin në dritë të tjera pika skandaloze.

Javën e kaluar emisioni “Stop” publikoi kontratën skandaloze mes mjekëve të familjes dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ku specifikohet që duhet të përmbushin një normë në planin e check up-it. Këta të fundit gjobiten në rast të mosplotësimit të kësaj norme të përcaktuar për qytetarët që duhet të bëjnë kontrollin shëndetësor.

Nëpërmjet kamerës së fshehtë, vetë mjekët e pohuan këtë fakt, duke shfaqur shqetësim, pasi nuk e realizojnë dot normën e kërkuar.

Por e gjithë kjo situatë është në shkelje të Kodit të Punës, i cili nuk parashikon sanksione të tilla. Ndaj dhe emisioni ”Stop” ia referoi çështjen Inspektoratit të Punës, ku u premtua ngritja e një grupi pune për të kontrolluar të gjitha pikat e kësaj kontrate, pasi nuk kishin asnjë informacion rreth saj, edhe pse kontrata është lidhur që në Janar të këtij viti.

Pas kësaj, kryeministri Edi Rama rendi të bëjë publikisht check up-in në poliklinikën numër 9, për të kundërshtuar të gjithë ata që e cilësojnë të dështuar këtë koncesion në shëndetësi, Rama tha se shkoi që ta shohë me sytë e tij sesi funksionon kontrolli bazë falas në qendrën shëndetësore. Për kryeministrin, rrjeti i krijuar nga koncesionari i check up është shembull i ekselencës.

Por sot emisioni “Stop” publikoi të tjera fakte që thellojnë skandalin e check up-it. Qendrat shëndetësore janë ato që paguajnë qiratë e ambienteve që përdoren për kryerjen e check up-it dhe jo koncesionari, i cili paguhet me 2.1 milionë Euro në vit nga buxheti i shtetit.

Sipas moderatorit Saimir Kodra, qendrat shëndetësore në Tiranë paguajnë rreth 250 milionë Lekë të vjetra në vit për këto ambiente, duke e cilësuar si një skandal të jashtëzakonshëm, të tmerrshëm dhe absurd.

Kategori
STOP
0 Komente

Përgjigju

*

*