STOP – EMISIONI 45 (SEZONI 4)

Emision: 02.11.2018

Ngeli në klasë dhe nuk e regjistrojnë sërish, Stop zgjidh problemin.

Qeveria dhe të gjithë anëtarët e saj, flasin cdo ditë për rritje ekonomike, madje gjatë prezantimit të buxhetit, është deklaruar edhe objektivi për rritjen ekonomike më të madhe në vitin e ardhshëm. Renaldo ka realizuar intervista me qytetarët për “mirëqenien”, që ata përjetojnë.Daniel Këllezi iu drejtua emisionit “Stop”, pasi ka ngelur në klasë në vitin e dytë në gjimnazin “Raqi Qirinxhi”.Por drejtoresha e shkollës nuk pranon ta regjistrojë, me pretendimin, se ka masë disiplinore dhe kjo bie ndesh me rregulloren e shkollës.Në drejtorinë arsimore, drejtori Kristaq Grabocka,premton zgjidhje, pasi vendimi është i padrejtë. Në fund Daniel Këllezi arrin të regjistrohet në gjimnazin “Raqi Qirinxhi”.

Aplikon për kujdestarinë e babait, rezulton në sistem me ndihmë ekonomike.

Rezearta Ujkashi iu drejtua emisionit “Stop” pasi figuron me ndihmë ekonomike, por nuk e përfiton këtë pagesë mujore. Ajo kërkoi të merrte kontributin e kujdestarisë për të atin e sëmurë, kur mësoi se rezultonte me ndihmë ekonomike, edhe pse ka rreth 7-8 vjet që nuk e merr.

“Përderisa rezulton në sistem me një shigjetë që unë e marr ndihmën ekonomike, doja të merrja vesh realitetin sepse nuk më pëlqen që dikush ta marrë në emrin tim”, u shpreh denoncuesja.

Përgjegjësja e sektorit të ndihmës ekonomike në njësinë administrative numër 6, Arikla Çela tha se Rezearta nuk trajtohet me ndihmë ekonomike, pasi i është refuzuar në vitin 2014.

Gazetarja: Rezearta është drejtuar tek emisioni “Stop” përsa i përket një problemi që figuron me ndihmë ekonomike, ndërkohë pretendimet e zonjës janë që nuk jam me ndihmë ekonomike sepse unë nuk marr lekë.

Sektori i Ndihmës Ekonomike: Problem i sistemit që nuk e ka ndryshuar, duhet ta sqarosh te Zyrat e Punës pse del ashtu në sistem, sepse ndihmë ekonomike Rezearta ka vite që nuk merr. Ja ta hap sistemin! Problem sistemi që është vetëm te librezat shëndetësore.

Gazetarja: Kjo është nga sistemi i ndihmës ekonomike në njësinë administrative?

Sektori i Ndihmës Ekonomike: Nuk është përfituese që në atë muaj që ka bërë aplikimin, s’ka dalë përfituese dhe s’merr pagesë.

Gazetarja: Ju thoni që këto ndryshime i bën vetëm Zyra e Punës?

Sektori i Ndihmës Ekonomike: Vetëm Zyra e Punës e pasqyron në sistemin e saj, sepse i vetmi problem që i del kësaj ka ngel nga sistemi. Ajo kur ka marrë kartonin, ka qenë me ndihmë ekonomike, ka qenë e klikuar për ndihmë ekonomike dhe i ka ngel ndihma ekonomike.

Gazetarja e emisionit “Stop” sëbashku me denoncuesen iu drejtuan Zyrës së Punës në njësinë administrative numër 6 për t’u informuar në lidhje me këtë çështje, por u përballën sërish me të njëjtën përgjigje. Punonjësja tha se Rezearta Ujkashi është çregjistruar nga Zyra e Punës, ndaj dhe nuk ka mundësi që të marrë ndihmën ekonomike.

Punonjësja: Ndihma ekonomike ka një punonjës social, që e vlerëson zonjën nëqoftëse është e aftë për punë, apo nuk është e aftë. Nëqoftëse është e aftë për punë, e ka detyrim ligjor të vijë në Zyrë Pune dhe të kërkojë punë dhe duhet të vijë në çdo muaj të kërkojë punë. Nëqoftëse Zyra e Punës nuk i jep një ofertë pune dhe nuk i gjen dot një punë, ajo mund të kalojë për ndihmë ekonomike, domethënë merr atë statusin”Punëkërkuesi Pa Punë”.

Nëqoftëse Zyra e Punës e referon në punë, e referon në një kurs formimi, duke e vlerësuar që ajo nuk ka një profil dhe e referon në një kurs formimi, automatikisht nuk e merr statusin e “Punëkërkuesit pa Punë”. Nëqoftëse e refuzon, nuk merr shërbim nga Zyra e Punës.

Ndihma ekonomike e ka më thjeshtë t’i thotë shko në Zyrën e Punës dhe regjistrohu si i papunë, jo si i papunë, por si punëkërkues.

Gazetarja: Ne jemi bazuar te sistemi i mjekut…

Punonjësja: Nuk e di ku e ka gjetur se është e çregjistruar. Në momentin, që asaj i hidhen lekët në sistem në ndihmën ekonomike, duhet se s’bën të jetë në Zyrën e Punës si punëkërkues, sepse është një ndër kriteret.

Por në Qendrën Shëndetësore numër 6 në Kombinat, mjekja e familjes shpjegoi se Rezearta rezulton me ndihmë ekonomike në sistem. Sipas saj, sistemet janë të integruara nga Gjendja Civile dhe Sigurimet Shoqërore.

Mjekja: Këtu del me ndihmë ekonomike, por ky nuk është sistemi jonë. Ky është i Gjendjes Civile, ky është i Sigurimeve Shoqërore, se kemi sisteme të integruara. Më kupton?

Gazetarja: Te Gjendja Civile është pa ndihmë ekonomike, te Zyra e Punës është e çregjistruar nga sistemi.

Mjekja: Ne nuk bëjmë dot asgjë, ne thjesht futemi dhe marrim të dhëna. Se ku çalon puna, se kush nuk e ka update, s’e ka update bashkia, ISSH, s’e ka update Fondi, këtë nuk e zgjidhni dot me ne. Më kupton? Këtu del “me ndihmë ekonomike”.

Ndërsa në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor u përgjigjën zyrtarisht se rifreskimi i të dhënave bëhet në sajë të bashkëpunimit online të disa institucioneve shtetërore. Por mesa duket ky bashkëpunim nuk rezulton i suksesshëm…

Apeli për familjen e varfër në Pezë/ solidaritet nga shkolla “Vajdin Lame”.

“Stop” dhe “Fundjavë ndryshe” janë ndalur në Pezë, në familjen Bilali, që përbëhet nga 5 anëtarë: dy bashkëshortët, gjyshja dhe dy fëmijë të vegjël.Ata jetojnë në varfëri ekstreme dhe përmes emisionit bëhet apel, për t’i ndërtuar shtëpinë, që nuk ka as dyer e as dritare.Më pas “Stop” e “Fundjava” shkojnë në Domje, në shkollën “Vajdin Lame”, pasi nxënësit e klasave të 6-ta,kanë mbledhur ndihma për familjen në Mokër të Pogradecit.Drejtori i shkollës, Sherif Hyseni, thotë, se kjo nismë do të vazhdojë.

Kategori
STOP
0 Komente

Përgjigju

*

*