STOP – EMISIONI 53 (SEZONI 4)



STOP – EMISIONI 53 (SEZONI 4)

21:02 14/11/2018

Rama: njerëzit e krimit kokat hëngshin! Unë marr frymë thellë!

Një tjetër vrasje mafioze tronditi sot qytetin e Shkodrës. Mbrëmë në një studio televizive, i pyetur për këtë situatë, kryeministri Rama tha se njerëzit e krimit le të hanë kokat e ai merr frymë thellë, duke u lutur ta bëjnë.Në përballje me gazetarët, botuesi i “Koha Jonë”, Nikollë Lesi,i tha kryeministrit , se do të ketë të njejtin fat si Nano e do të arratiset si fshatar. Sipas Lesit, Rama do të ketë fundin e Gruevskit.

Skandali, dënohet dy herë për të njejtën vepër, pala shqiptare nuk informoi.

Në vitin 2003 me informacione nga shteti italian ra në pranga në Shqipëri një bandë, për kultivim dhe tregtim lëndësh narkotike. Mes të arrestuarve ishte dhe Shkëlqim Sufja nga Lezha. Gjykatat shqiptare e dënuan me 12 vjet heqje lirie Shkëlqimin dhe ky i fundit e bëri dënimin të plotë. Por në Maj 2018, pas 6 vjetësh në liri, Shkëlqimi u arrestua sërish me kërkesë ekstradimi nga shteti italian. Gjithçka ndodhi, sepse pala shqiptare nuk informoi shtetin fqinj për dënimin e kryer nga Shkëlqim Sufja. Shkëlqimi nga burgu i Shën Kollit dhe bashkëshortja e tij çeke, Pavla Prokopova Sufja, shpjegojnë situatën për emisionin “Stop”. Shkeljet në këtë rast, i shpjegon edhe avokati Çlirim Gjata.

“Jam akuzuar për trafik internacional droge. Jam dënuar në Shqipëri për shtetin italian me 12 vite heqje lirie si organizator i organizatës dhe e kam kryer dënimin. Nga 2003 deri në vitin 2011 kam qëndruar në burg, e kam përfunduar krejt burgun me 12 vite. Pasi jam liruar nga burgu, 8 muaj më vonë, më ka dënuar sërish Gjykata e Rimnit me 22 vite burg, për të njëjtën vepër penale.”

Po ndërkohë, shteti shqiptar, Ministria e Drejtësisë ose edhe vetë ju, a jeni interesuar që të çoni dokumentacionin e duhur në Itali për të treguar që e keni kryer këtë dënim?

“Jo, sepse unë kam menduar se këtë gjë e rregullon shteti, përderisa unë kam bërë burgun kam menduar se jam me çdo gjë në rregull tani.”

Konventa Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut ka parashikuar disa të drejta edhe për personat që mund të kenë pasur vepra penale, por çfarë thotë kjo konventë?

Neni 7: Askush nuk mund të gjykohet rishtazi për të njëjtin fakt penal, për të cilin është gjykuar me vendim të formës së prerë.

Neni 34: Askush nuk mund të dënohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale.

Bashkëshortja e Shkëlqimit, çekja Pavla Prokopova Sufja, në shqip shpjegoi se “burri im doli përjashta thjeshtë me pi një kafe tek lokali, kur e ka rrethu policia dhe e futi brenda. Atëherë kemi marrë vesh se e kanë futur në burg për të njëjtën çështje penale që e ka kryer, e ka bërë burgun për atë punë. Sjena duke kuptuar përse po e kryen edhe një herë për së dyti.”

Ndërsa vetë i dëmtuar tha se “Jam arrestuar me 11 Maj të vitit 2018, me një urdhër arresti për ekstradim në Itali. Të gjitha pretendimet i kam shprehur edhe në gjyqin që është zhvilluar në Gjykatën e Lezhës dhe si prokurori, si Gjykata më thonë se është vepër tjetër dhe janë episode të tjera, në një kohë që kjo është e njëjta vepër, të njëjtit persona, të njëjtat data, e njëjta sasi droge, i njëjti vit. Dy ndryshime ka, numri i vendimit të Shqipëri është numër 50, atje është një numër tjetër dhe Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë, atje thotë Gjykata e Rimnit. Vetëm këto ndryshojnë, kurse përmbajtja dhe akuza është e njëjta. Unë kërkoj vetëm të më njihet burgu që kam bërë në Shqipëri dhe jam i gatshëm të shkoj vetë në Itali nëse ma njohin këtë burg. Nuk kam pse bëj më burg atje, sepse e kam bërë një herë. Dhe nuk dua as shteti të shpenzojë diçka për mua, jam i gatshëm që edhe biletën ta pres vetë, vetëm të paktën burgun që kam bërë të ma njohin, sepse s’po ma njeh as shteti jem, e nëse nuk ma njeh shteti jem, si ka me ma njofto një shtet i huaj?…Unë jam në burgun e Shën Kollit dhe kam 5 muaj që jam këtu.”

Juristi Çlirim Gjata tha se prokuroria dhe gjykatat janë të detyruara që brenda 40 ditësh të bëjnë verifikimet. “O ekstradohet, o nuk ekstradohet. O rri në burg në Shqipëri, o nxirret përjashta. Ju thoni se ka 5 muaj, atëherë këtu kemi hapur shkelje të të drejtave të njeriut, proces të parregullt ligjor nga ana e prokurorisë edhe nga ana e gjykatës.”

Për rastin e Z. Shkëlqim Sufja, i cili po përballet me një tjetër dënim për të njëjtën vepër penale, fajin e ka Ministria e Drejtësisë, e cila nuk ka bërë punën ashtu siç duhet.

“Rasti konkret që ju thoni, ai për një vepër për të cilën është dënuar, e ka vuajtur dënimin në Shqipëri. Tani kur e ka arrestuar Prokuroria me çfarë motivi e ka arrestuar? Me motivin për ta ekstraduar. Po, po, por fakti se ka ardhur kërkesë nga Italia për ta ekstraduar, nuk do të thotë se ka ardhur nga Zoti. Kur vjen një kërkesë ekstradimi, kontrollohet mor zotëri. Dhe unë mund t’ju jap ju të paktën 5 raste kërkesash ekstradimi, kur gjykatat shqiptare nuk kanë lejuar ekstradimin, sepse dokumentet nga Italia nuk janë të rregullta, madje disa prej tyre janë flagrante në shkelje të ligjit nga ana jonë. Tani këtu kemi të kundërtën. Pra, prokurori duhet bashkë me gjykatën të kontrollojë se çfarë kriteresh plotëson ky ekstradim. Nga dokumentet na del që ky paska vuajtur dënimin në Shqipëri për të njëjtën vepër penale. Atëherë, shikohet ky person për çfarë është dënuar? Mbi ç’vendim gjykate? Mbi vendimin e një gjykate italiane. Tani mbi të njëjtin vendim kërkohet ekstradimi. Si mund të bëhet? Është thjeshtë e verifikueshme. Le të jetë ai krimineli më i madh, ka të drejtën e një procesi të rregullt. Ta thotë Konventa Evropiane, ta thotë Kushtetuta, ta thotë ligji shqiptar. Dhe e fundit… do të shkojë në Strasburg dhe do të vijë fatura nga Strasburgu, do i paguajmë unë e ti. Jemi mësuar tashmë me këto çështje, për të tilla gjëra që bëjnë gjykatat dhe prokuroria bashkë me Ministrinë e Drejtësisë që nuk duhet ta lejojë.”

Gazetari i Stop ndoqi seancën për Sufajn në Gjykatën e Apelit në Shkodër. “Sapo përfundoi edhe seanca gjyqësore në Apelin e Shkodrës në lidhje me ekstradimin e Shkëlqim Sufjas. Apeli la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, pra e ka lënë përsëri në burg zotin Sufja. Në këto momente, pala e dëmtuar do të bëjë rekurs pranë Gjykatës së Lartë dhe ne do të ndjekim hap pas hapi se çfarë do të ndodhë me këtë rast, kur për të njëjtën vepër penale një person vuan dy herë dënimin.”

Bashkëdrejtuesi i emisionit Stop, Saimir Kodra tha se janë 1 600 persona sot që vuajnë dënimin kot në burgjet shqiptare. “Mbahen përtej afateve ligjore në paraburgim, dënohen për herë të dytë a për herë të tretë, mbahen në burgje megjithëse u ka përfunduar dënimi, sepse Drejtoria e Burgjeve nuk bën një shkresë. 1 600 persona.”

“Dental It”, ping-pong me kompetencat, pritet verdikti i Ministrisë.

Pak ditë më parë transmetuam rastin e klinikës dentare “Dental It”, dhe kërkesën e Urdhrit të Stomatologut, që kjo klinikë të mbyllet, për dëmin ndaj zonjës Dhimitrula Nasto.Kryeinspektori i Inspektoriatit Qendror, Shkëlqim Hajdari,thotë, se është njohur me rastin dhe i ka kërkuar Ispektoriatit Shëndetsor Shtetëror të marrë masa. Por kreu i këtij inspektoriati, Gjergji Koja,tha, se për mjekët pa licensa, që punojnë në “Dental It”, përgjegjësia është e Urdhrit të Stomatologut.Edhe pse institucionet bëjnë ping pong me kompetencat e përgjegjësitë, fjala e fundit i takon Ministrisë së Shëndetësisë, që ka kërkuar dokumentacion të plotë për rastin.







Të ngjashme