Hitparade i absurdit shqiptar.

Emisioni “Stop” në Tv Klan, si çdo të hënë sot ka publikuar video të çudirave shqiptare. Do të ndalemi në Elbasan, që mesa duket po “lundron” në ujë.

Në videon e parë duket një rrugë që po përmbytet për shkak të rrjedhjes së tubacionit. Në videon e dytë jemi sërish në Elbasan, ku në rrugën “1 Maji” uji po del nga poshtë asfaltit, edhe pse është përuruar së fundmi.

“Rruga 1 Maji, e sapo inauguruar”, theksoi Saimir Kodra, drejtuesi i emisionit. “E bëjnë qëllimisht për të gjetur ku janë vrimat e rrugëve. Elbasani si kullesë makaronash”, u përgjigj me ironi bashkëprezantuesi Gentjan Zenelaj.

Pas Elbasanit kalojmë në Lezhë, ku koshat e plehrave janë pagëzuar me mbishkrimin “monument kulture, ruhet nga kryetari i bashkisë”. Sërish në Lezhë, veç plehrave edhe një shtyllë elektrike ka “mbirë” në mes të rrugës pranë shkollës “Nënë Tereza”.

Ndërkohë, një infermiere është filmuar në përpjekje për të shkulur e marrë një pemë nga një ambient publik.

Këto janë disa nga situatat, që shfaqen e komentohen në emisionin e sotëm “Stop”, në rubrikën e përjavshme “Hitparade i absurdit shqiptar”.