Stop – Emisioni 6 (Sezoni 5)

Stop – Emisioni 6 (Sezoni 5)

21:02 09/09/2019

Presidenti Meta, nga misioni i shpetimit te maceve ne komisionin hetimor.

Presidenti Meta ishte sot në Komisionin hetimor parlamentar, të ngritur për shkarkimin e tij, ku për më shumë se dy orë, iu përgjigj pyetjeve të deputetëve për dekretet e zgjedhjeve.Gjatë fundjavës Meta shpërndau në rrjetet sociale një video, ku shfaqej duke luajtur e shpëtuar një tufë me mace.Renaldo u është drejtuar qytetarëve me pyetjen, se kush do të dalë i fituar nga beteja e gjatë Rama –Meta.

Prrenjas, policet dhunojne invalidin me zemer e fshehin autoret.

Emisioni “Stop” në Tv Klan ka trajtuar mbrëmjen e sotme rastin e një qytetari nga Prrenjasi, i cili u dhunua nga dy policë brenda komisariatit të këtij qyteti, pasi kishte shkuar aty për të denoncuar një qytetar.

Bëhet fjalë për Lulzim Hidrin 36 vjeç, i cili vuan nga zemra. Për kamerën e “Stop”, ai sqaron se kishte patur konflikt me një qytetar në Prrenjas dhe gjatë debatit, personi në fjalë i hodhi kovë me ujë 36-vjeçarit Hidri. Ky i fundit, për shkak të probleme me zemrën, u ndje keq dhe thërriti policinë për ndihmë. Aty pranë kaloi një automjet policie, por nuk e ndihmoi. Me vështirësi, Lulzim Hidri u zvarrit deri tek Urgjenca e qytetit, ku mori dhe ndihmën e parë.

“Quhem Lulzim Hidri. Jam 36 vjeç, jam person me aftësi të kufizuar i kategorisë së parë. Vuaj nga një problem i rëndë kardiak, nga zemra, vrimë në zemër dhe mungesë të arteries pulmonare. Kam vajtur për të sqaruar një problem. Kam vajtur për të shpjeguar situatën. Personi në fjalë e sipër është nxehur. Më ka hedhur një kovë me ujë, e cila ka rënduar situatën time ngaqë vuaj nga zemra. Ka qenë ujë i ftohtë. Më pas ka filluar të më godasë duke më larguar nga vendngjarja aty. Kam njoftuar policinë sepse nuk isha në gjendje të mirë shëndetësore për t’u afruar, megjithëse isha pranë spitalit, nuk mund të lëvizja dot. Është afruar policia pranë spitalit, nuk më ka kapur fare me dorë. Zvarrë-zvarrë jam munduar të arrij deri tek Urgjenca, kam ngelur në disa shkallë. Kanë ardhur punonjësit e Urgjencës. Më kanë marrë përkrahu, më kanë çuar në gjendje të rëndë”.

Prej këtej, Lulzim Hidri iu drejtua komisariatit të Prrenjasit për të bërë denoncim për qytetarin me të cilin debatoi. Por, në ambientet e vetë komisariatit të policisë, 36-vjeçari ra pre e dhunës së dy punonjësve të uniformave blu. Ata e goditën me grushte duke i shkaktuar hemorragji dhe probleme frymëmarrje, për shkak se 36-vjeçari vuan nga problemet e zemrës.

“Direkt nga spitali, ka ardhur nëna më ka marrë sepse nuk isha në gjendje të ecja dot, kam ardhur të bëj denoncim në polici. Gjatë dhënies së denoncimit, ishin dy efektivë të policisë dhe personi që unë isha duke denoncuar. Gjatë kohës që isha duke dhënë denoncimin, personi në fjalë vazhdonte të më kërcënonte me jetë. I kam shpjeguar oficerit të policisë, që ju lutem shikoni është duke më kërcënuar akoma në sytë tuaj. Ka vazhduar duke sharë nënën time në moshë 77-vjeçare dhe polici ka nxjerrë nënën time përjashta, jo personin që më akuzonte. Në moment e sipër vazhdonte të shante e të kërcënonte me jetë, duke thënë që në momentin që do dalësh nga policia do të marr jetën. Jam ngritur në këmbë, i kam thënë në sy të policëve, urdhro meqënëse jam këtu. Policat në atë moment më kanë vënë në pranga, më kanë shtrirë përtokë dhe më kanë goditur me grushte në bark edhe supe. Sepse menduan që unë u ngrita për të goditur personin në fjalë. Për shkak të mungesës së oksigjenit, unë mezi arrij dhe të vishem, jo të rrah një person, i cili është dy herë më i madh se unë me trup”.

Kurse e ëma e 36-vjeçarit tregon se ishte prezent në ambientet e policisë, kur djali i saj u dhunua.

Nëna: Unë nuk i njoh ata policat, për të tjerët kam respekt. Si s’më rrahu mua, e goditi djalin. E morën djalin dhe po thoshja unë. Ai polici më kërcënoi. U ngrit polici, e qëlloi këtë. Kur e pa pastaj të operuar, kur e pa keq morën ambulancën në telefon. Dola në derë të marr ujë, tha ‘bo bo ç’na bëtë. Na morët në qafë’. E mori ambulanca pastaj, e çoi në spital. Jam me stres. Ky i sëmurë, unë grua plakë. Fëmijët nuk i fut dot në telashe. E dinë ata po s’kanë se ç’bëjnë”.

Lulzim Hidri dhe gazetari i “Stop” shkuan në komisariatin e Prrenjasit për t’u interesuar lidhur me identitetin e dy policëe të cilët e dhunuan dhe për të bërë ndaj tyre kallëzim. Por, Policia e Prrenjasit nuk i tregon emrat e efektivëe. Aty na thonë se çështje është referuar në Prokurori dhe na drejtojnë për në Policinë e Librazhdit.

Inspektori i Krimeve, Prrenjas- Ju nuk keni asnjë raport, se kush ka qenë në datën 18 Gusht 2019 në shërbim?

Polici- Unë s’e di, se kush ka qenë!

Inspektori i Krimeve, Prrenjas- Mirë, faleminderit! Mirupafshim!

Polici- Kalofsh mirë!

Lulzim Hidri- O, Pëllumb…!

Inspektori i Krimeve, Prrenjas- Si kalove?

Lulzim Hidri- Kam ardhur, të pyes cikë për emrat e atyre dy policëve.

Inspektori i Krimeve, Prrenjas – I ke, të thashë njëherë, në prokurori.

Lulzim Hidri- Në prokurori?

Inspektori i Krimeve, Prrenjas- Po!

Lulzim Hidri- Unë dua, të marr emrat e atyre, që më rrahën atë natë! Kush ishin ata të dy…?

Inspektori i Krimeve, Prrenjas- Do shkosh, thashë, i ke tek prokuroria, i ke emrat atje. Dakord?

Lulzim Hidri- Pëllumb! Po pse nuk më jepen emrat e atyre dy policëve?

Inspektori i Krimeve, Prrenjas- Do shkosh, ta thashë, atje! I ke atje.Do shkosh atje! I ke të gjitha, cfarë është bërë…

Gazetari- Kemi një denoncim nga një qytetar i Prrenjasit. Është dhunuar këtu në datën 18 gusht 2019, këtu. Ka bërë një denoncim për një qytetar tjetër dhe është dhunuar nga dy punonjës polici. Ne, thjesht duam emrat e atyre.

Polici- S’prish punë, s’prish punë …,ore cfarë të kërkoni ju, do t’ja u japim ne.

Gazetari- Po pse nuk ia jepni këtij, se gjynah?

Policia- Letrat e tij kanë shkuar në prokurori.

Gazetari- Kanë shkuar për atë tjetrin, por jo për policët, se e pashë unë! Jo për policët, jo për policët.

Polici– Ëeee…zbrit njëcikë poshtë, se kanë ardhur ca të televizionit. Inspektori i krimeve .

Inspektori i Krimeve, Prrenjas- Hajde, hajde!

Gazetari- Procedurën, që është bërë për dy policët, që e kanë dhunuar këtu brenda ambienteve të Komisariatit Prrenjas. Zotërise i lind e drejta, minimalisht, që të marrë emrat, që të bëjë një kallzim ose në SHCCBA…?

Inspektori i Krimeve, Prrenjas- Po janë emrat, edhe në SHCCBA janë.

Gazetari- I ke referuar?

Inspektori i Krimeve, Prrenjas– Po, po!

Gazetari- Edhe për dy policët?

Inspektori i Krimeve, Prrenjas- Jo, për atë i referon SHCCBA-ja. Po kanë vajtur kopje të raport-shërbimit, të gjitha të dhënat kanë shkuar. Do interesohet tek Komisariati Librazhd, se atje është varësia.

Nga ana tjetër, blutë  e Librazhdit thonë në mënyrë konfidenciale se nuk ka asnjë raportim për këtë incident nga dy punonjësit e Policisë së Prrenjasit. 

Ndërkohë, mjeku Sami Agolli shpjegon kushtet në të cilat mbërriti në spital Lulzim Hidri, ditën e incidentit.

Doktori Sami Agolli – I shoqëruar me policë erdhe ti atë natë në 18-të?

Lulzim Hidri- Atje, po s’e mbaj mënd, se unë isha i përhumbur, më nxorrën për krahu. Aq mbaj mënd, kur më vunë oksigjenin.

Gazetari- Po cfarë ka pasur, shkruhet aty?

Doktori Sami Agolli – Shkruhet “merret me ambulancë,kur ka ardhur doktori i ka dhënë kështu një xxxxx bllokuese”,- quhen këto mban edhe vetë nga këto…

Gazetari- Po s’ia kishin dhënë atë atje.

Doktori Sami Agolli – Kur ka këtë, rrafjen, ajo e normalizon dhe zemra clodhet, punon më avash.I ka bërë njëherë për dhimbjen, një voltaren. Pastaj të nesërmen ka ardhur me xxx dhimbje gjoksi.

Gazetari- Hemoragji?

Doktori Sami Agolli – Po! Pështynte gjak.

Lulzim Hidri ka një apel për të gjithë duke marrë shkas nga ajo që i ndodhi.

“Rasti im të jetë i fundit që dhe të tjerët të mos dhunohen në këtë gjendje. Gjithmonë në Shqipëri, personat me aftësi të kufizuar janë cilësuar si persona që nuk arrijnë të kuptojnë, janë gjithmonë fajtorë dhe janë gjithmonë përgjegjës dhe shkaktarë për probleme. Nuk është e vërtetë! Është e nevojshme dhe urgjente që ata të përkrahen dhe të mbrohen me të drejtat që ju takojnë, ashtu si në çdo vend të Europës dhe të botës“, apelon 36-vjeçari Lulzim Hidri. 

 Golem/Pishat rrezikojne banoret, drejtoria pyjore premton zgjidhje.

Drejtoria Pyjore premton zgjidhje! 

Myzafer Zeneli, me banim në Golem, thotë, se dy pisha ngjitur me shtëpinë e tij, rrezikojnë të bien, pasi janë tharë e nuk priten. Bashkëshortja e tij tregon, se kanë shkuar të bëjnë ankesë në komunë dhe më pas në drejtorinë e pyjores në Kavajë, por u është thënë,se duhet të paguajnë faturën e prerjes në shumën prej 25 mijë Lekësh të vjetra dhe më pas t’i presin vetë. Kostoja financiare është e papërballueshme për këtë familje, vijon ajo.Ne jemi drejtuar në Drejtorinë e pyjeve në bashkinë Kavajë, ku na thuhet, se qytetari nuk e ka truallin e tij.

Myzaferi duhet të bëjë dhe pagesën e faturës dhe prerjen vetë, pasi kjo nuk është detyrë e Drejtorisë pyjore. Gjithsesi pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, na u tha, se pishat do të priten nga drejtoria e pyjeve.

“Problemi qëndron këtu: Kemi 12 vite që jetojmë këtu dhe kemi 2 pisha rreth shtëpisë dhe ato janë shumë të rrezikshme. Ato janë tharë dhe janë shumë të rrezikshme nga momenti në moment janë duke rënë mbi shtëpi, mbi fëmijët. Vajtëm në komunë u interesuam. Na thanë bëni një kërkesë, dy fotografi dhe dërguam në pyjore. Erdhën këtu, i verfikuan, na thanë janë të rrezikshme do ti presim dhe si përfundim nuk ka ardhur njeri. Kemi shkuar sërish dhe na kanë thënë se duhet të paguajmë 25 mijë lekë fatura dhe nuk e kemi paguar sepse nuk kemi para. Morëm atë të vinçit dhe tha dua 50 mijë Lekë të vjetra orë, ai do rrijë tre orë do 150 mijë Lekë dhe 60 mijë i do ai që do i presë. Para një jave frynte shumë erë dhe ra pisha për pak i zuri fëmijët tek shtëpia përballë që jemi. Ne jemi të tmerruar tani, se vjen vjeshta dhe nis furtuna. Ne jemi të tmerruar, kur fryn erë duket sikur lëvizin themelet, pasi ato i kanë rrënjët tek shtëpia. Unë 200 mijë Lek marr, ti heqin që aty. Ti marri kush të dojë, vetëm të mos më shkulin themelet e shtëpisë”.    

Drejtori: Ka ardhur në zyrë, ka shkuar komisioni i punës, ka shku, ka verifiku situatën në vend. Ky, në certifikatë pronësie, ka vetëm objektin, ndërtesën, nuk ka truallin. I ka dalë tarifa, të cilit i është thënë, ai s’ka pranuar. Domethënë, pisha kur pritet, llogaritet volumi, matet gjatësia.

Gazetarja: Totali, sa i ka dalë zotërisë?

Drejtori: Totali i ka dalë 2191(Lekë të reja). Shkon dhe bëhet damkosja për prerje dhe mbasi damkoset kjo, qytetari bën prerjen.

Gazetarja: E bën vetë?

Drejtori: E bën vetë.

Gazetarja: Ju më thatë, që ai ka vetëm ndërtesën dhe nuk e ka truallin.

Drejtori: Po!

Gazetarja: Atëherë, pse i takon qytetarit ta presi?

Drejtori: Shiko! Unë nuk e di situatën, por kërkesën ai e ka bërë për prerje.

Gazetarja: Ju, nuk e keni përgjegjësi?

Drejtori: Përse?

Gazetarja: Për të shmangur rrezikun, që kanos qytetarin?

Drejtori: Tek komplekset turistike, që janë në disa fshatra turistikë, ne kemi dërguar administratorin. Mirëpo, nuk paguajnë lekët njerëzit.

Gazetarja: Po njerëzit, disa kanë mundësi, disa nuk kanë mundësi.

Drejtori: Po jo pra, se s’është me mundësi, se ajo është rrezik.

Gazetarja: Po është me mundësi, ashtu siç mund të jetë për shembull, që mund t’i vendosësh pikën, që nuk është në truallin e tij dhe ju keni për detyrë ta prisni.

Drejtori: Rrezik ajo është në këmbë akoma!

Gazetarja: Ne duhet të presim, që të bjerë, që të themi “Dëgjo, se ra kjo pisha, se ishte tharë pak”?!

Drejtori: Po mirë! Zotëria, meqë është interesuar, pse është tërhequr ai?

Gazetarja: Pse është tërhequr? Po, sepse nuk ka mundësi zotëri, ta paguajë.

Drejtori: S’ka mundësi, me zonë në shtëpi turistike…

Gazetarja: Po e ke parë shtëpinë e atij ti?

Drejtori: Jo, unë s’kam qenë vetë. Megjithatë…

Gazetarja: E di, si është shtëpia e tij? Do shkosh ta shofësh, që të kuptosh pastaj…Po gjithsesi, ne të arrijmë në përfundimin, që pema nesër të bjerë, por ta parandalojmë këtë.

Drejtori: Po! Dhe kush duhet të merret me këtë punë, thuaj ti?

Gazetarja: Kush duhet të merret me këtë punë? Qytetari?

Drejtori: Pse e ka prurë këtë ai? (Për certifikatën e shtëpisë)

Gazetarja: Sepse i është kërkuar dokumenti, pra.

Drejtori: Tani, meqë ju ndërhyni kaq shumë, po e presim ne atëherë.

Gazetarja: Do ta prisni ju?

Drejtori: Po! Do ta marr përsipër unë.

Të ngjashme