Cmimi i naftës “djeg” Parisin, në Shqipëri nuk “ia ndjen” njeriu…

Ditët e fundit Parisi është ndezur nga protestat, për shkak të rritjes së cmimit të naftës në Francë. Por në Shqipëri cmimi gjithashtu është rritur dhe qytetarët nuk ndjehen për shkak të nivelit “më të lartë” të ekonomisë në vendin tonë. Renaldo ka realizuar intervista me humor me banorë të kryeqytetit, për të kuptuar këtë qasje.

Pa të ardhura e me hekur në këmbë, qytetarja perjashtohet nga ndihma ekonomike.

Emisioni “Stop” në Tv Klan ka trajtuar rastin e zonjës Fatime Kadiu, e cila jeton e vetme pranë shinave të trenit në zonën afër burgut në kryeqytet. Shtëpia e saj, nëse do të konsiderohet e tillë, nuk të ofron kushtet e nevojshme për një jetesë modeste. Pa asnjë të ardhur, znj.Fatime na tregon se jeton me vështirësi dhe pjesën më të madhe të ushqimeve ja falin të tjerët.

Për më tepër, ajo është përjashtuar edhe nga skema e ndihmës ekonomike, sepse sipas sistemit, nuk ka plotësuar pikët e nevojshme për të marrë ndihmën ekonomike prej 47 mijë Lekësh të vjetra.

Sikur të mos mjaftonte kjo, Fatime Kadiu ka edhe probleme shëndetësore, pasi ka vendosur hekur në këmbë dhe nuk merr as kemp. Përpos vështirësisë për t’u ushqyer, ajo nuk ka mundësi as të blejë ilaçet. Fatime Kadiu ka rrëfyer për emisionin “Stop” se konsumon vetëm një vakt në ditë.

Fatime Kadiu: Shkova te Njësia 9, më thanë nuk të takon, nuk ke plotësuar pikët. Shtëpinë e ke të banueshme. U thashë hajde shifni se ku banoj. Nuk erdhën! Nuk e fitova. I thashë uji më futet brenda, kam frikë kur bie shi se rri me fshesë në dorë. Ka 5 vjet që jetoj e vetme. Më e vështirë se është nuk di të tregoj. Në këmbë kam vendosur hekur. Nuk marr kemp, asnjë lek. Jetoj me të falura. Një herë në ditë ha bukë, ha drekë edhe drekë më drekë. Ose darkë më darkë. Kërkoj vetëm ndihmën ekonomike, asnjë gjë tjetër. Të paktën të marr ilaçet dhe bukën. S’dua asnjë gjë tjetër.

Gazetarja e emisionit “Stop” shkoi edhe tek zyrat e ndihmës ekonomike në Njësisë 9, për të kërkuar informacion se si ka mundësi që zonja në fjalë është përjashtuar nga sistemi kur në fakt kushtet e jetesës janë mizerabël. Punonjësja e ndihmës ekonomike në këtë njësi thotë se detyra e tyre është hedhin në sistem vetëm të dhënat që janë aplikuesit dhe më pas përllogaritjen e bën vet sistemi.

Ardjana Neziri, punonjëse e ndihmës ekonomike Njësia 9: Pikët janë tërësia që merret që nga mosha, nga gjinia, nga vendndodhja e banesës, nga zona urbane, sa larg ke shkollat, kushtet e jetesës, infrastruktura e të gjitha këto. Zonja në fjalë është refuzuar nga sistemi ekonomik se nuk ka marrë pikët e mjaftueshme. Përsa i përket pikëve, ne këtë gjë nuk e dimë. Është sistemi që i përpunon pikët në bazë të një formule të pikëzuar. Ne hedhim të dhënat, kjo është detyra e administratorëve të hedhi të dhëna të sakta siç i jep qytetari që vjen dhe aplikon. Vendimmarrja i përket Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social.

Emisioni “Stop” u interesua edhe tek Shërbimi Social, e cila shpjegoi se punonjësit shkojnë për të verifikuar kushtet e jetesës vetëm pasi aplikantët shpallen fitues, dhe jo më përpara?! Punonjësja e Shërbimit Social tha gjithashtu se znj. Fatime Kadiu duhet ta kishte apeluar brenda 10 ditësh vendimin që e përjashtoi nga skema e ndihmës ekonomike.

Punonjësja e Shërbimit Social, Njësia 9: Me ligjin e ndihmës ekonomike, brenda 3 muajve të parë pasi familjet dalin përfituese, ne shkojmë dhe kryejmë vizitën në familje. Vlerësimi Social Ekonomik që quhet.

Gazetarja: Po si vajtët ju në një kohë që kjo ishte e refuzuar nga skema e ndihmës ekonomike?

Punonjësja e Shërbimit Social, Njësia 9: Jo nuk kemi shkuar pra, këtë të thashë! Ne nuk kemi shkuar, sepse ne shkojmë në familjet përfituese.

Ndërsa deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma thotë se në skemën e ndihmës ekonomike, koeficienti përcaktues duhet të jetë publik në mënyrë që aplikuesit ta dinë se çfarë i skualifikon. Mungesën e koeficientit, madje edhe në Fletoren Zyrtare, Grida Duma e konsideron “një nga krimet më të rënda”.

Drida Duma, drejtuese e Sekretariatit të Marrëdhënieve me Publikun: Me llogaritë tona, neve na rezulton një dalje nga skema rreth e 21 mijë familjeve në nevojë. Ne i jemi drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për t’i thënë që jeni duke shkelur me të dyja këmbët të drejtat e njeriut, sepse nuk i tregoni njerëzve kush është koeficienti ta dijë ai. Minimalisht ta dinë pse futen dhe pse dalin nga skema. Gjë e cila sot është një nga krimet më të mëdha. Dhe në Fletoren Zyrtare totalisht i kanë hequr koeficientët.

Pas denoncimit të bërë nga emisioni “Stop”, Shërbimi Social bën me dije se Fatime Kadiu do të trajtohet me fondin 6% bllok të ndihmës për familjet në nevojë. Gjithashtu i ofruan edhe vakt ushqimor pranë qendrës multidisiplinare, si dhe mbështetje me paketa ushqimore nga Njësia 9.

Pacientët e dializës pa transport që nga mesi i tetorit, drejtori: duhet zgjidhje!

Një urdhër që ndalon shërbimin e ambulancës për transport, ka alarmuar pacientët që kanë nevojë për këtë shërbim. Rasti që denoncoi emisioni “Stop” në Tv Klan mbrëmjen e sotme vjen nga Elbasani.

Sanije Myftari iu drejtua emisionit “Stop” pasi ka të shoqin të paralizuar prej 5 vjetësh, ndërsa ka dy vjet që Emin Myftari trajtohet edhe me dializë. Nga Drejtoria e spitalit të Elbasanit i kanë thënë se nuk do ta ketë më shërbimin e ambulancës për transport. Por Sanija nuk kërkon para për këtë shërbim, pasi kjo nuk ia zgjidh hallin. Që nga data 15 Tetor, shërbimi i ka kaluar qendrës kombëtare të ugjencës, ndërsa urgjenca nuk trajton raste të tilla.

Sanije Myftari: Emisionit “Stop” i jam drejtuar se kam burrin prej 5 vjetësh të sëmurë. Edhe 2 vjet ka që e dëmtoi diabeti, u paralizua dhe tani i bëj dializën këtu në spital, 3 herë në javë; të martën, të enjten dhe të shtunën. Tani e kam problemin se nuk më vjen ambulanca, do na i ndërpresin fare më datë 15. Tani unë çfarë do bëj? Ky s’më lëviz fare. Me çfarë ta çoj? Ky duhet me barrelë se është ambulanca që vinte ma merrte. Tani si do ja bëj? Me çfarë ta çoj? S’di ku ta zgjidh këtë! Apo të rri në shtëpi edhe të vdesi fare në shtëpi? Ne na është thënë që merreni me mjetin tuaj. Unë s’kam mjet! Le që dhe të kem, unë s’e fus dot. E kam thënë që në fillim nuk e dua pagesën e transportit se unë dua ambulancë, edhe ma dhanë. Shërbimin ma dhanë, kur erdha nga Tirana ma dhanë shërbimin e ambulancës. 15 Dhjetor do të ndërpritet fare.

Bashkëshorti i saj i sëmurë thotë se nuk është në gjendje të lëvizë dhe ai transportohet nga shtëpia në spital dhe anasjelltas vetëm me barelë. Emin Myftari kërkon vetëm t’i sigurohet shërbimi i ambulancës për transport, teksa thekson se ka punuar 40 vjet për këtë shtet.

Emin Myftari: Gjendja ime është kjo që shikoni që unë nuk lëviz dot nga vendi. Përveç shërbimit të gruas, unë jam i mbaruar. Unë kam punuar 40 vjet për këtë shtet, ama mos kem një ndihmë sado pak të thjeshtë. Është gjynah të vdesi robi për një makinë.

Emisioni “Stop” mësoi gjithashtu se si z.Emin Myftari, janë edhe shumë pacientë të tjerë që preken nga heqja e shërbimit të transportit të ambulancës. Drejtori teknik i spitalit të Elbasanit, Luan Rrapi jashtë kamerave tregon se kjo është një situatë që duhet të marrë zgjidhje. Sikurse thotë edhe vet ai, ky është një shërbim që u takon me detyrim pacientëve, dhe jo për gjynah.

Gazetarja: Qytetarët, që janë vetë, ose kanë të afërmit e tyre, që bëjnë dializë, ankohen për lajmin, që është dhënë, që pas datës 15 tetor, nuk do të ketë më ambulancë në shërbimin e tyre.

Drejtori Teknik: Për mua, duhet dhënë zgjidhje urgjente! Pra, siç e ka marrë qendra, pra ajo 127-a, duhet të përgjigjet, si çdo pacienti tjetër! Aq më tepër, që gjithmonë të sëmurët e dializës, kanë qenë më afër për ndihmë, gjithmonë janë parë si primarë.

Drejtori Teknik: Edhe unë vetë e shikoj si një zgjidhje provizore, që mund t’i kemi dhënë si drejtori, se kanë një muaj, që hajde të mos i lëmë.

Drejtori Teknik: Duhet të bëhet një pikë marrëveshje nga ministria, që ka bërë këtë koncesionarin me privatin, duhet të zgjidhet në një formë.

Drejtori Teknik: Nuk do ikim me fjalën më vjen gjynah! Atij i takon të marrë shërbimin. Finalen e presim nga ministria me privatin, që e ka marrë atë. Problemi është marrëveshja, sesi është marrëveshja për zgjidhjen e kësaj, kur ne kaluam në Urgjencën Kombëtare.

Drejtori Teknik: Unë shoh, që zgjidhja përfundimtare do të vijë nga 127-a. Çdo urdhër nga 127-a.

Drejtori Teknik: Nuk është, se është vetëm i Elbasanit, se e keni tek të gjithë. Detyrimisht do të merret një vendim, ose do të përgjigjet 127-a.

Ndërkohë, emisioni “Stop” kërkoi përgjigje edhe nga Urgjenca Mjekësore, e cila sqaron se të gjitha pacientët që marrin shërbimin e transportit përmes ambulancës, mund të telefonojnë në numrin 127, por që në fakt kjo përdoret për rastet e urgjencave.

Urgjenca Mjekësore 127: Republika e Shqipërise, jeni në linjë me njësinë e koordinimit të Urgjencës Mjekësore.

Gazetarja: Përshëndetje!

Urgjenca Mjekësore 127: Përshëndetje!

Gazetarja: Shërbimi i ambulancës i ka kaluar 127-ës dhe janë ata, që do vendosin, ku do shkojë ambulanca. Si do të veprohet, në rastet, kur qytetari kërkon shërbimin e ambulancës, për pacientin, që bën dializë?

Urgjenca Mjekësore 127: Eshtë e vërtetë, që shërbimi paraspitalor i urgjencës, është nën menaxhimin e 127-tës. Në rastet, që nuk përbën urgjencë mjekësore, nuk shkon ambulanca.

Gazetarja: Si mund të veprohet në rastet, që personi mund të jetë i paralizuar?

Urgjenca Mjekësore 127: Nuk jam unë personi kompetent për këtë. Personi mund të jetë i paralizuar, por është i paralizuar prej disa vitesh, nuk është urgjencë paraliza.

Urgjenca Mjekësore 127: Gjithsesi, ju nëqoftëse doni informacion më shumë, mund ta kërkoni në mënyrë zyrtare pranë Qendrës Kombëtare të Urgjencës. Ky është numri i shërbimit.

Drejtuesi i emisionit “Stop”, Saimir Kodra bëri apel që të nxirret një shkresë nga Ministria e Shëndetësisë që të urdhërohen ambulancat për t’u ofruar transportin pacientëve në nevojë.