Protesta në “Stop” dhe pirueta e qëndrimeve të Ramës.

Protesta e studentëve ka shënuar një tjetër rritje ditën e sotmë, pasi me studentët janë bashkuar edhe nxënës të shkollave të mesme dhe qytetarë. “Stop” jell një përmbledhje të qëndrimit të kryeministrit Rama ndaj kësaj lëvizjeje, që nga momenti, që u shpreh, se nuk negocion me ngelësa e deri te qëndrimi i sotëm përgjërues për një takim dhe dialog me ta. Më pas në studio ftohen një grup protestuesish, të cilët flasin për kërkesat e tyre dhe përshkallëzimin e lëvizjes, pas ndryshuar asgjë nga refuzimi për dialog me Ramën.

Vlorë, studentja blen provimin me 50 euro. Sekseri: ju ngelin kastile!

Kamera e fshehtë e emisionit “Stop” tregon me zë dhe figurë sesi blihen provimet në universitetet tona. Një studente ka gjetur sekserin e duhur në Universitetin e Vlorës dhe ky i fundit i thotë se provimin e ka të marrë, me 50 euro… Madje sipas tij, pedagogu i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Aleks Prifti i ngel studentët enkas, që t’u marrë para. Pasi dorëzon shumën e kërkuar studentja shkon në provim, ku i plotësohet teza dhe e merr provimin. Në fund pedagogu e porosit që nuk duhet të flasë me njeri.

Studentja-Përshëndetje!

Sekseri-Përshëndetje!

Studentja-Si jeni? Mirë?

Sekseri-Mirë! Tani më ka thënë, në 9 e gjysmë. I kam miq të mi.

Studentja-Pse, të gjithë këta kanë paguar?

Sekseri-Ça kujtove ti, se të gjithë këtu kanë mësuar?

Studentja-Çfarë thua? Prandaj kanë ardhur gjithë këta këtu, të premten? Te kush tjetër mund të ndërhysh tjetër, përveç këtij?

Sekseri-Tek të gjithë. S’është problem…

Studentja-Unë zakonisht jam studente e rregullt, nuk them te ekselentët te 9-ta, te 10-ta. Unë 5-ën e marr vetë dhe me k’të s’e kuptoj, si u kap kot. Ore vëlla, edhe këta kanë paguar, që po presin?

Sekseri-Ça t’u bëj?!

Studentja-Ça thua…?! 15 veta- 16 veta…

Sekseri-Ka akoma. Do vijnë të tjerë…

Studentja-Ka akoma?

Sekseri-2 grupe më duket janë…

Studentja-Ku janë?

Sekseri-Letërsia dhe…, po janë shpërndarë…

Studentja-Të iki unë? Ok! Mirë!

E pasi paguan paratë, studentja shkon për të dhënë provimin. Në video dallohet qartë se ajo nuk është e vetmja që nuk ka mundur ta kalojë provimin me pedagogun Aleks Prifti.

Profesori-Këto, që janë këtu, hidhi aty!

Studentja-Po, këtë më tha, ta shkruaj këtu! Mos rri! Hajde bëj një punë, prit të shkruaj unë, që mos vonohem!

Sekseri-(I lexon, ajo shkruan)

Profesori- Mbaroi ajo aty?

Sekseri-E mbaroi!

Profesori-Ok?

Studentja-Ok!

Profesori-Mos bëj fjalë me njeri!

Studentja-Ç’është ai muhabet, presor?!

Në kamerën e fshehtë të Stop tregohet se provimin mund ta marrësh edhe pa shkuar në klasë, mjafton të paguash para.

Sekseri- Ti, të paktën e kishe të shkruajtur. Se futesh deri në 3 herë, te i dyti nuk është problem.

Studentja-Një pyetje kam unë. Ia dhe lekët?

Sekseri-Ikëm, pimë kafe, ia dhashë! Ti kujton, se e kam problem?! Ne bashkëpunojmë, ti ndaç mund të ikësh ta pyesësh, ndaç mund të më…, në qoftë se ke dëshirë!

Studentja-Kam hallin, se unë s’jam si të tjerët, që s’kanë ditur, se kujt t’i thonë.

Sekseri-Ti je mirë, se je me njeri të besuar, se të tjerët s’kanë as kujt t’i thonë. Ndërsa ti më the: Unë këtë e kam mbaruar, ndaj po të them!

Studentja-Po, pra!

Sekseri-Duhet një njeri dhe një anë e besuar! Nuk mund të japësh 50 euro, kur vjen të marrësh pikët, pa u futur me shkruar ndaj të them. Sa ka si puna jote…, të tjerët… Kishte dhe nga ata, se fusnin nga 2 herë miq njerëz me pushtet, pa u rifutur në provim fare. Nesër-pasnesër, me ardhur një kontroll, ku e ke tezën e këtij, e nxjerr tak, të thotë: me kaq pikë, si e ke kaluar vetëm, se do ti.

Pas këtyre pamjeve, Saimir Kodra tha se rasti i këtij pedagogu ishte për t’i ardhur në ndihmë transparencës që kërkojnë sot studentët nëpërmjet protestës së tyre.

“E gjitha kjo është për t’u ardhur në ndihmë asaj transparence që kërkojnë studentët sot në protestën e tyre. Të gjithë këshillat pedagogjikë, vetting-ut që duhet të kenë ata, qasja që duhet të kenë në botimet periodike, shkencore, etj. Ka ardhur momenti njëherë e mirë, që përveç tarifave që janë absurde, ka ardhur momenti të standardizohet tashmë fakulteti, universiteti pse jo… Sepse asnjë sot në këtë vend, që ka një mundësi, që është një biznesmen, ka fituar ca para me djersë nuk i lë fëmijët të shkollohen në këto fakultete. Pikërisht sepse kanë këtë qasje, sepse ngelin kastile studentët, e dinë që babain e kanë me lekë. Edhe në mos qofshin familje e varfër, por një e mesme që të marrin kredi etj etj, i rrjepin për së gjalli. Këto janë fakultetet tona sot”, tha Kodra.

Konviktet e inxhinjerisë, shumë reklamë por asnjë kusht jetese.

Pak ditë më parë, kur protesta e studentëve kishte nisur, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla inspektoi punën në konvikte, duke folur për kushtet e mira atje. Por 3 studente të Rezidencës Numër 2 te Inxhinieria e Ndërtimit janë ankuar në “Stop” për konviktet.

Ato tregojnë se kanë paguar 650 mijë lekë të vjetra në vit, por nuk kanë ku gatuajnë dhe rrobat duhet t’i lajnë me pagesë. Sipas tyre, edhe kaldajat nuk ndizen dhe ato janë të detyruara të mbajnë rezistenca fshehur.

“Problemi kryesor është kuzhina, të cilën kur kemi ardhur në fillim na kanë thënë që do të keni kuzhinë gatimi në çdo kat, e përbashkët. Nga 5 kate që janë, janë hapur vetëm 2 kuzhina dhe vetëm në njërin kat janë 2 rezistenca. Duhet të shkosh aty që në mëngjes që të zësh radhën që të gatuash për në darkë. Kur kemi ardhur në fillim reklama u bë shumë e bukur, thoshte do të ketë dhomë treshe e dyshe, do të ketë ngrohje, do të ketë lavanteri, rrobaqepësi, internet, dhomë kuzhine e përbashkët në çdo kat, të gjitha këto përfshiheshin në 650 mijë lekë. Kur kemi futur këmbët në konvikt, pamë që kuzhinat nuk ishin hapur. Ne marrim rezistencën, shkojmë gatuajmë në dhomë. Nëse vjen Këshilli i Disiplinës dhe na gjen duke gatuar, na vendosin gjobë dhe nëse kjo përsëritet, ne marrim përjashtim nga konvikti”.

Por sa është vlera që kanë paguar këto studente për t’u akomoduar në këtë konvikt?

“650 mijë lekë të vjetra. Është konvikti më i shtrenjtë në Tiranë dhe kur kemi ardhur në fillim kemi kërkuar të shohim kuzhinën, na kanë thënë që e kemi mbyllur, se mund të bëhet pis, domethënë janë justifikuar. Plus tjetër, kemi edhe ngrohjen, kaldajat nuk i ndezin”.

Sa i përket rrobave, vajzat tregojnë për mikrofonin e “Stop” se i çojnë në shtëpi, apo te ndonjë shoqe.

“I çojmë në shtëpi javë për javë, sepse aty lavanteria është me lekë dhe është 500 lekë kg të lagura”, tregon njëra prej tyre, ndërsa tjetra shton: “Rrobat i kam çuar sa te shoqja, sa te kushërira, por disa i lajmë dhe vetë aty fshehurazi, kur vjen kontrolli i heqim i fusim të lagura në dollap.

“Lavanteria është me lekë, rrobaqepësia është me lekë, interneti është me lekë…”

Kamera e “Stop” arriti të futej brenda këtij konvikti, për të parë nga afër situatën e denoncuar nga studentët…

Studentja: Këtu jemi në katin e pestë. Siç e shikoni, këtu thotë “dhomë gatimi”, ndërkohë që dhoma e gatimit është e mbyllur. Këtu jemi në katin e katërt: dhoma e gatimit është e mbyllur. Kati i tretë: këtu jemi në dhomën e gatimit, dhoma e gatimit ka vetëm dy rezistenca, dy rezistenca, një lavaman, pastaj e gjithë kjo hapësira këtu, është bosh. Jemi në katin e dytë: dhoma e gatimit është e hapur, por përsëri ka vetëm një prizë.

Studentja: Dua të laj ca rroba të zeza. Kam ardhur, për të pyetur. Punonjësja e lavanterisë: Më vete do i lash, apo kështu?

Studentja: Si?

Punonjësja e lavanterisë: Po i lave më vete, 250 lekë dy mijë e 500. Po i lave me të tjerët, i lan me peshë. Me të tjerët, 50 lekë/ kg.

Drejtori i Marrëdhënieve me Median, Marjon Gorica për gazetaren e “Stop” thotë se godinat kanë kosto mirëmbajtjeje, megjithatë ai nuk pranon verifikimin e kushteve me kamera.

“Godinat në këtë sektor janë të reja dhe normalisht kanë një kosto të lartë dhe mirëmbajtjeje, për shkak edhe të kushteve tepër komode të cilat janë”.

Gazetarja: Ne dimë që në çdo kat ka dhoma për të gatuar, por nuk janë funksionale, vetëm dy prej tyre janë funksionale dhe janë vetëm 2 vatra. Për 500 studentë, a mund të jenë funksionale 4 vatra gatimi?

“Sa i përket pyetjes që ju po ngrini, ta thashë që është një projekt në zbatim, nuk e kam informacionin e plotë, duke qenë se unë jam zëdhënës për median, për sa i përket këtij pretendimi që keni ngritur. Të bëra të qartë sa i përket pjesës së tarifës që për mua është një tarifë tepër modeste, sepse janë 6300 lekë të reja në muaj, gjë e cila për kushtet që janë është tepër minimale për të mbuluar shpenzimet dhe sa i përket mirëmbajtjes”.

Gazetarja: Besoj se ka ngrohje?

“Normalisht që ka ngrohje”.

Gazetarja: A mund të hyjmë që t’i shikojmë pak, sepse në ankesën e tyre thuhet që nuk ndizet kaldaja.

“Normalisht që ka ngrohje sepse është një investim i ri. Autorizimin nuk e jap unë për lejimin tuaj për të hyrë brenda godinës”.

“Projekti është edhe në zbatim, nuk është përfunduar i gjithi. Për çdo informacion tjetër mund të bëni edhe një kërkesë zyrtare dhe mund të merrni një përgjigje më të detajuar”.