Protesta e studentëve, Freshistët infiltrohen në studiot televizive.

Protesta e studentëve ka vijuar sot e heshtur e me letra të bardha, në pritje të përgjigjes së kryeministrit për kërkesat e tyre. Mbrëmë në studiot televizive u infiltruan freshistë e militantë partie, për të bërë politikën e qeverisë lidhur me protestën. Rama ishte në Top Channel, ku u përball me shumë të rinj, të cilët rezultuan aktivistë të Forumit Rinor Eurosocialist. Ndërsa në studion e News 24, Rudina Xhunga u detyrua të nxjerrë nga transmetimi një të re, që rezultoi juriste në Ministrinë e Arsimit.Policia nisi procedimin për 25 persona që bënë protestë pa leje e mes tyre ishte dhe profesori i njohur Edmond Tupja.

Studentët mbarojnë shkollën, por nuk marrin dot kartonin e diplomës.

Studentët e drejtësisë denoncuan në STOP se kanë përfunduar studimet, por kanë më shumë se 6 muaj që nuk kanë marrë kartonin e diplomës. Këtë e pranon edhe dekani i Juridikut, Artan Hoxha, i cili thotë, se problemi do të zgjidhet shpejt.

“Unë kam mbaruar studimet në muajin Qershor në Fakultetin e Juridikut, kam bërë mbrojtjen e diplomës, kanë kaluar 6 muaj dhe unë ende nuk e kam marrë kartonin e diplomës. Kjo më penalizon pasi kam pasur synimin për të vazhduar një cikël të dytë studimesh jashtë shteti dhe një ndër dokumentet që më duhet është edhe kartoni i diplomës. Kemi shkuar shumë herë pranë Fakultetit dhe nuk na është dhënë asnjë përgjigje”, tha një studente për mikrofonin e STOP.

Një tjetër studente tha se që në muajin Qershor kanë bërë edhe pagesën për kartonin e diplomës, por që atëherë nuk kanë marrë as përgjigje dhe as karton.

Dekani Artan Hoxha: Kjo nuk është një çështje fakulteti, është një çështje e Universitetit. Janë çështje tenderash, funksionimi. Ne japim vërtetime, të cilat janë të barazvlefshme me diplomën. Për ata, që diploma ju duhet në mënyrë të domosdoshme, ata e marrim diplomën, por nuk është se ne kemi ndonjë problem, që nuk jepen diplomat në Universitetin e Tiranës. Studentet e Bachelor-it, që kanë mbaruar tani, nuk i kanë marrë diplomat. Ata kanë hyrë në ciklin e dytë të studimeve në master shkencor, ose master profesional këtu dhe kudo ku kanë kërkuar. Studentët tanë nuk ikin në institucione të tjera, qëndrojnë tek ne. Kush ka ikur në institucione të tjera, ka marrë vërtetim nga ne dhe nuk janë penalizuar për vazhdimin e studimeve.

Edhe Sokol Horanlli deklaroi se e fejuara e tij ka përfunduar studimet për infermieri në Korrik 2018 në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, por nuk e ka marrë kartonin e diplomës. Ky fakt e penalizon të renë, për licencën në Suedi, ku kërkon të punësohet.

Horanlli: E fejuara ime ka mbaruar shkollën për infermieri-mami dhe nuk arrin të marrë dot diplomën. Unë jetoj në Suedi, nuk jetoj në Shqipëri. Prej dy muajsh edhe e fejuara ime më është bashkangjitur këtu. Tani ideja është që ne duam të bëjmë licencën për të ushtruar profesionin në infermieri, por nuk arrijmë dot të krijojmë asnjë lloj kontakti as me Ministrinë dhe as me Universitetin. Studimet i ka përfunduar në muajin Korrik të vitit 2018, ideja është që të gjithë thonë se diploma del pas dy vjetësh. Ne jemi paraqitur tek zyra e punës këtu, por problemi është që pa diplomën, nuk më bën njeri një përkthim të letrave që e fejuara ime disponon që ta ndihmojnë për të filluar trajnimin dhe praktikën, për të marrë licencën për të filluar profesionin. Ne kemi marrë thjeshtë vërtetim diplome dhe vërtetim notash, por që këtu ma shikojnë si një letër A4 me një vulë në fund.

Zgjidhje alternative jepen nga dekanët e fakulteteve për studentët që ju duhet kartoni i diplomës, sidomos kur janë jashtë vendit tonë. Por mungesa e kartonëve të diplomave mbetet një problematikë madhore dhe që kërkon një zgjidhje përfundimtare.

Dekani Shkëlqim Hidri thotë se për raste emergjente do të ketë zgjidhje të shpejtë.

Dekani i Infermierisë, Shkëlqim Hidri: Problemi i diplomave është një problem deri diku i mbetur, pra i vjetër, sepse pati një vonesë në momentin e printimit, pra të prodhimit të kartonit të diplomës dhe ne sapo kemi përfunduar pajisjen më diplomë të studentëve, që kanë mbaruar dy vite më parë. Mbeti si pasojë e mos pasjes së bazës materiale, pra kartonit të diplomës dhe shumë shpejt do të fillojë dhe shpërndarja e studentëve që kanë mbaruar vitin që kaloi.

Gazetarja: Kjo shumë shpejt, ka të bëjë me afatin 2-vjeçar, apo shumë shpejt afati kohor, mujor?

Dekani i Infermierisë, Shkëlqim Hidri: Absolutisht! Bëhet fjalë për afate kohore mujore dhe besoj brenda Janarit, baza materiale, besoj, do të jetë e gatshme dhe do të fillojmë menjëherë plotësimin. Pra, nëse ne na paraqitet një kërkesë për një arsye, ose për një tjetër, personi e do urgjente, do të marrim masa, që ta plotësojmë sa më shpejt të jetë e mundur, që të mos i pengojmë.

Gazetarja: Në rastin konkret, personi duhet të vijë këtu ose…

Dekani i Infermierisë, Shkëlqim Hidri: Të sjellë një familjar me një prokurë dhe shumë shpejt do t’i vihet në dispozicion diploma. Është e drejtë e studentëve, që janë diplomuar, që të marrin kartonin e diplomës.

Gazetarja sqaroi se në përfundim të studimeve, studentët paguajnë një shumë prej 6 mijë lekësh të vjetra për të marrë kartonin e diplomës. Stop u interesua edhe për të mësuar se sa është kostoja e kartonit të diplomës, nga e cila mësoi se nuk e kalon shumën e 2 mijë lekëve të vjetra.

Ndriçim Mehmeti, ekspert i fushës së arsimit, thotë se lekët e diplomave shkojnë për nevoja të tjera të universiteteve dhe kjo po i penalizon studentët në tregun e punës.

Ndriçim Mehmeti: Në rastin e diplomës që ju thoni, kjo ka një kosto të veçantë. Pse ka një kosto të veçantë? Sepse kjo diplomë ka pullën me një holograme, pra që është element i sigurisë siç është në maturën shtetërore dhe stemat e Republikës dhe të Universitetit, që janë pronë e drejtpërdrejtë e Universitetit. Kjo që shohim ne këtu, në konsultimet që unë kam bërë, me njerëz që merren me këtë punë, nuk shkon më shumë se 2 mijë lekë të vjetra. Me përjashtim të Universitetit të Tiranës, të gjitha bordet qeverisen nga Ministria e Arsimit dhe Ministria e Arsimit për këtë është. Pra, shteti është kujdestar i joni, menaxhon jetët tona, nuk është për të na nxjerrë jashtë. Dhe në këtë moment thërret universitetet dhe u thotë, urdhëroni: në rast se atje ka të dhëna që Universiteti lekët i ka bërë “rrush e kumbulla”, ka auditin, ka KLSH-në, që ta nxjerrë para përgjegjësisë dhe ta zbatojë. Por në rast se Universiteti nuk i ka mundësitë, pasi të ardhurat janë të pakta, atëherë shteti ndërhyn. Ministria e Arsimit nuk është vetëm për të zbukuruar veten. Ç’është kjo autonomi kur ti nuk ke mundësi të japësh një karton. Ndërkohë që edhe këtu e merr 6 mijë lekëshin e kartonit, por nuk e menaxhon dot, as shteti dhe as universiteti.

Mos marrja në kohë e diplomës ka sjellë një tjetër shqetësim për studentët, që është firmosja e diplomës nga titullarë që nuk janë në kohën kur studenti ka përfunduar studimet.

Ndriçim Mehmeti: Ky është një problem shumë i madh pasi në rast se ti shkon jashtë shteti dhe thua kam përfunduar studimet në vitin 2016, por diploma është dhënë në vitin 2017 me emra të tjerë, vihet një pikëpyetje e madhe nëse diploma jote është origjinale apo jo, sepse në atë periudhë kanë qenë të tjerë titullarë. Kështu penalizohet studenti sigurisht. Jashtë shteti kjo mund të krijojë probleme shumë-shumë të mëdha.

Propaganda për shkollat profesionale, por bursat nuk jepen prej një viti.

Ramadan Kasa tregon në “Stop” se e regjistroi djalin në shkollën profesionale “Gjergj Canco”, që të merrte një zanat. Djali, Shkëlqim Kasa me banim në Prezë thotë se aplikoi për bursë dhe e fitoi, por nuk e merr prej një viti. Dhe ky problem nuk është vetëm i Shkëlqimit, por i 69 nxënësve të kësaj shkolle. Ymer Kodra, drejtor i ZA Vorë thotë se Këshilli Bashkiak e trajton Shkëlqimin me bursë dhe paratë duhet t’ia japë shkolla, ndërsa sekretarja e kësaj shkolle shprehet se lista i është nisur Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, por nuk ka ardhur ende një përgjigje.

“Quhem Ramadan Kasa. E kam regjistruar djalin në shkollë profesionale që të marrë të paktën një zanat. Kam takuar nëndrejtorin dhe më ka thënë përfundimisht, deri më datë 15 Shtator do të përfundojë gjithçka, do të likuidohen të gjithë nxënësit”, tregon babai i Shkëlqimit, Ramadan Kasa.

Por Shtatori iku dhe problemi nuk u zgjidh.

“Kam marrë informacion edhe në Bashkinë e Vorës, tek Zyra e Arsimit dhe më kanë thënë që këtë vit ia kanë lënë në kompetencë Bashkisë së Tiranës. Zyra e Arsimit të Vorës i ka nisur të gjitha listat dhe ato ekzistojnë në Zyrën e Financës. Duke llogaritur të ardhurat e mia dhe ato 25 mijë lekë të reja në muaj nuk e çoj dot në shkollë dhe iu drejtova emisionit Stop”, tregon më tej babai i Shkëlqimit.

Vetë ky i fundit kërkon të marrë paratë që i takojnë: “Kërkoj të drejtën time, shpresoj që t’i marr”, shprehet i riu.

Bursat që nuk kanë ardhur ende, nuk janë vetëm problem për Shkëlqimin, por edhe i nxënësve të tjerë të kësaj shkolle. Për “Stop”, këta nxënës tregojnë se në shkollë kanë ardhur me paratë e tyre: “S’kemi çfarë bëjmë”, thonë ata.

Gazetarja e “Stop” iu drejtua Bashkisë së Vorës, për të parë nëse e gjithë procedura ka shkuar në rregull.

“Kemi marrë vendimin e Këshillit, ku e kemi trajtuar dhe këtë nxënës me bursë dhe ia kemi nisur shkresën përkatëse shkollës, sipas të gjitha procedurave. Dhe lekët më pas do të merreshin tek shkolla”, thotë Drejtori i Zyrës Arsimore Vorë, Ymer Kodra.

Gazetarja e “Stop” shkoi në shkollën profesionale “Gjergj Canco”. Sekretarja e kësaj shkolle tha se lista me 69 nxënës i është nisur Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave që në mes të Shtatorit, por nuk ka ardhur ende një përgjigje.

Ndërsa Drejtoresha e kësaj shkolle, Hajdie Bejtja u shpreh se nuk është interesuar për vonesën e bursave, sepse nuk ka pasur ankesë nga asnjë prind.

Gazetarja-E kuptoj, për ju si shkollë, si drejtuese shkolle, nuk keni bërë një përpjekje pse janë vonuar kaq shumë këto bursat? 2017-2018 nuk kanë marrë bursat.

Drejtoresha Hajdie Bejtja-Nuk ka pasur ankesa nga asnjë prind!

Gazetarja-Nuk ka rëndësi zonjë, kemi një rast konkret. Në përgjithësi janë vonuar bursat, por kjo është problem, edhe mos ketë ankesë.

Drejtoresha Hajdie Bejtja-Unë nuk kam ankesë!

“Unë nuk di të të them pse i kanë marrë, apo nuk i kanë marrë bursat. Megjithatë duke marrë dhe denoncimin që ka bërë qytetari, ne do ta shqyrtojmë rastin”, tha në fund Drejtoresha Bejtja.