Debati i studentes me Ramën në Vlorë dhe kostoja e ruajtjes së universitetit.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Universitetin e Vlorës, për dialog me studentët, lidhur me kërkesat e këtyre të fundit. Por në hyrje të institucionit, Rama u ndalua nga një grup studentësh, të cilët nuk lejoheshin të futeshin në takim. Studentja Ardisa Çobo replikoi me shefin e qeverisë dhe studentët nuk pranuan të hyjnë vetëm disa, ndaj ngelën jashtë.

Gazetarja e “Stop” ka realizuar një vëzhgim në Universitetet e Tiranës gjatë ditës dhe natës, për të parë, sesi ruhen këto institucione. Kryeministri tha pak ditë më parë, se Universiteti i Tiranës shpenzon 6 milionë Euro në vit për shërbimin e sigurisë, por nga vëzhgimi i gazetares, kjo shifër është shumë larg saj, që duhet të jetë kostoja reale për ruajtjen e universitetit.

Fakuluteti i Mjekësisë

Punonjësi i policisë private: S’është mirë të jap informacione në lidhje me punën.

Gazetarja: Vetëm je aty?

Punonjësi i policisë private: Sigurisht! Turni i parë!

Universiteti Inxhinierisë së Ndërtimit

Gazetarja: Sa veta jeni në turn?

Punonjësi i policisë private: 3 veta!

Fakulteti i Shkencave Sociale

Gazetarja: Sa security ka?

Punonjësi i policisë private: 6 veta!

Në Fakultetin e Drejtësisë gazetarja nuk gjeti asnjë roje, njësoj si në Fakultetin Bujqësor.

Universiteti Politeknik

Gazetarja: Sa security jeni për ruajtjen e këtij universiteti?

Punonjësi i policisë private: Ne!

Gazetarja: Vetëm ju të dy? Laj-thaj?

Gazetarja: D.m.th, jeni me turne?

Punonjësi i policisë private: 8 orësh, 2 turnesh,Ka dhe te trau.

Universiteti Ekonomik

Punonjësi i policisë private: Sipas regullores, jemi nga 2 veta, njëri tek kjo derë, tjetri te dera tjetër.

Fakulteti i Gjuhëve të Huaja

Gazetarja: Fakulteti, nga sa roje private ruhet?

Punonjësi i policisë private: 3 jemi ne , 4 me gjithë zëvëndësues.

Vëzhgimi natën

Në Universitetin e Mjekësisë janë të punësuar 5 roje private. Ndërsa në Universitetin Bujqësor nuk ka asnjë roje.

Universiteti i Sporteve

Punonjësi i policisë private: Ne jemi 5 veta me një vënd.

Universiteti Politeknik

Punonjësi i policisë private: Sa punonjës policie?

Gazetarja: Po!

Punonjësi i policisë private: 15!

Universiteti i Drejtësisë

Punonjësi i policisë private: Sa veta jemi? 4 veta jemi!

Universiteti i Arteve

Punonjësi i policisë private: 3!

Fakulteti Ekonomik

Punonjësi i policisë private: Në këtë fakultet janë 12 veta.

Në bazë të vëzhgimit të bërë nga gazetarja e emisionit “Stop” rezulton që të jenë 60 punonjës të punësuar si roje në universitete të ndryshme të Tiranës. Me një llogari të thjeshtë 60 punonjës ku paga e tyre nuk është më shumë se 30 mijë Lekë të reja nuk e justifikon tenderin e 6 milionë Eurove!

Pogradec, hipoteka luan“ngriva-shkriva” me shtëpinë e qytetarit.

Edmond Agolli, një qytetar nga Pogradeci, denoncoi në “Stop” , se në vitin 2008 ka blerë një apartament për 25 mijë Euro, që sot nuk po mundet ta gëzojë. Edhe pse kishte pyetur më parë dhe ishte në rregull, kur do të nxirrte certifikatën e pronësisë, i thanë, se apartamenti i tij ishte i bllokuar nga Tatimet, për shkak të borxheve të ndërtuesit.

Edmond Agolli: Në vitin 2008 kam blerë një apartament me një kontratë sipërmarrje dhe e kam paguar 25 mijë Euro. Kam shkuar tek Hipoteka dhe kam dorëzuar dokumentat. Me edhi certifikata e pallati, e mora dhe bëra kontratë shitje, kur fut letrat e shitjes në 28 Qershor më thonë që do vish përsëri, por aty doli pengesa e cila është se pallati është i bllokuar në llogari të pronarit të pallatit, firma Kreka. Kontrata e shitblerjes është bërë në 2018. Mua automatikisht më është bllokuar hyrja ime. Kontrata e shitblerjes është bërë në 2018. Nuk di ku të gjej zgjidhjen dhe u detyrova të vi tek emisioni “Stop”.

Gazetarja e emisionit “Stop” vajti në Zyrën vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe pyeti lidhur më çështjen e zotit Agolli.

Kryeregjistruesja: Janë bllokuar pasuritë nga drejtoria tatimore.

Gazetarja: Si qëndron e vërteta?

Kryeregjistruesja: I janë bllokuar të gjitha pasuritë në emër të Albert Xhemollari, nga Drejtoria Rajonale Tatimore.

Gazetarja: Në ça periudhe?

Kryeregjistruesja: Madje kanë bërë edhe një konfirmim tjetër, për vendosjen e barrës hipotekore. Kanë filluar korespondencat, që në 2011-ën , 2013 e fundit është 24.05.2018 kërkon, që të gjitha pasuritë e pa luajtshme të debitorit Kreka sh.p.k, të cilat mund të ngarkohen me barrë hipotekore, të mbetën me barrë hipotekore.

Gazetarja: Ndoshta a është ky një gabim i Hipotekës, sepse që në momentin, që ka ardhur njoftimi nga tatimet, duhet automatikisht të bllokonte dhe ta hidhte në sistem? A mund ta quajmë në një farë mënyre përgjegjëse edhe zyrën e hipotekës ?

Gazetarja: Si mund të ketë dalë hipoteka, në një kohë, që në 2011-ën nga tatimet keni pasur sinjalizim: O zotëri bllokoje për interes të tatimeve! Si ka dalë kjo Hipotekë? Janë 2 gabime, nëse mund t’i quaj.

Specialisti i Hipotekës thotë, se apartamenti ishte zhbllokuar, por akti u kthye mbrapsht, pasi u gjet me shkelje nga ana e KLSH-së. Në këtë mënyrë për veprimet e papërgjegjshme të Hipotekës së Pogradecit, Edmond Agolli nuk bëhet dot pronar i shtëpisë së tij.

Gazetarja: Si jeni? Kush është Toni këtu?

Specialisti i Hipotekës: Thjeshtë kanë qenë të bllokuara nga tatimet, janë zhbllokuar padrejtësisht nga shkeljet, që na kapi KLSH dhe kanë bërë një shkresë zyrës qendrore. Për rastin e kësaj kontrate, kam marrë një përgjigje, kam shkresën e tatimeve Korçë dhe kam marrë një përgjigje, që të bllokohen sërish. Ishin të bllokuara dhe janë zhbllokuar në 2017-ën.

Gazetarja: Zhbllokuara deri sa dolën certifikatat e hipotekës, pastaj i bllokuat prapë me urdhër të..

Specialisti i Hipotekës: Jo! I ka kapur KLSH në shkelje.

Gazetarja: Hipotekën?

Specialisti i Hipotekës: Po! Sepse ishin zhbllokuar, jo ligjërisht e para! E dyta kam mbajtur një lidhje me zyrën qendrore, që jemi të varur dhe zyrat qendrore më ka orientuar, që t’i bëj një shkresë zyrës së tatimeve. Përgjigja e zyrës së tatimeve Korçë ka qenë të bllokohen sërish dhe në këtë moment, jemi, që do i bllokojmë që të gjitha kontratat e sipërmarrjes, siç është edhe zotëria në fjalë. Nuk është firma e vetme kjo, ka pasur edhe një firmë tjetër, e cila ka pasur barrë tatimore dhe zgjidhja e vetme është një gjyq formal.

Gazetarja nuk e la me kaq shkoi tek noteri Thoma Bici, i cili ka firmosur një kontratë shitblerje midis shitësit shoqërisë Kreka sh.p.k dhe blerësit Agolli.

Gazetarja: Për aq kohë, sa objekti për të cilin bëhet fjalë, ka qenë i bllokuar, si është firmosur kjo kontratë, sepse në 2014-ën…

Asistentja e noterit: Nuk ka qenë i bllokuar objekti.

Gazetarja: Nuk ka qenë?

Asistentja e noterit: Ne e kemi marrë kartelën, biles praktika, është në zyrën e regjistrimit. Kartela është e pastër.

Gazetarja: Është e pastër?

Asistentja e noterit: Po!Po!

“Kjo është vjedhje e shtetit. Ja zhbëhet ky proces hajdutësh nga Tatimet dhe Hipoteka, ja unë dhe Genti plasim”, tha Sajmiri.

Ndalimi i fishekzjarreve, kush e paguan dëmin për stokun?!

Në vitin 2015, ish ministri i brendshëm Saimir Tahiri, nxorri një udhëzim për mënyrën dhe llojin e fishekzjarreve dhe lëndëve piroteknike të lejuara.Por incidenti me policen e disa javëve më parë, bëri që të ndalohen të gjitha llojet e lëndëve plasëse.Megjithatë “Stop” ka mundur të blejë lëndë të tilla dhe një tregtar i tyre shpjegon lëndët e parrezikshme, shoqëruar me tabelë të verdhë.”Stop” iu drejtua doganës dhe mori përgjigje, se nga janari e deri në dhjetor 2018, janë zhdoganuar 8 kontenierë me lëndë shpërthyese dhe për cdo kg paguhet 4 mijë lekë të vjetra akcizë.Tani shtrohet cështja, se kush i paguan dëmet për biznesin, që ka futur këtë mall në vend, konform ligjeve.