Stop Tv Klan | Një format satiro-investigativ nga Saimir Kodra & Gentian Zenelaj.
“Asnjë dru s’i sheh drurët e tjerë”…elegji dedikuar parlamentit
Parlamenti ditën e sotme u mbush sërish me tym, pasi opozita nuk lejoi as sot mbajtjen e seancës normale.Ne kemi risjellë një poezi të poetit gjerman Herman Hesse “në mjegull”, për të ilustruar atë, që nodhi sot në sallën e të zgjedhurve.
Dëshmi tjetër tronditëse për stafin e “Stinët”, nëna: Fëmijës iu mavijos veshi, më thoshte se ia ka shkulur sanitarja
Pas denoncimit të emisionit investigativ “Stop” në Tv Klan në lidhje me dhunën e ushtruar nga edukatorja ndaj 3-vjeçares, një tjetër dëshmi e një nëne ka mbërritur në redaksinë e këtij emisioni sërish për kopshtin “Stinët”.
Denoncuesja tregon se e kishte fëmijën në këtë kopsht për rreth një vit. Ajo thotë se e mori një ditë djalin me vesh të mavijosur dhe fëmija i tha se ia kishte shkulur sanitarja.
Por nga ana e kopshtit ju tha së fëmija ishte bërë me bojë dhe megjithë insistimet e nënës, nuk ia lejuar që të shikonte pamjet gjatë ditës për të kuptuar më qartë atë që kishte ndodhur. Ajo tregon se mavijosja në veshin e fëmijës së saj vazhdoi për një javë të tërë.
Denoncuesja: Kam pasur fëmijën për rreth 1 vit tek ky kopsht. Kam pasur dyshimet e mia për mënyrën se si trajtoheshin fëmijët aty sepse më ndodhi një rast që fëmija më erdhi me një shenjë tek veshi dhe fëmija pretendonte që i ishte shkulur veshi, ndërkohë që nga edukatorja dhe nga sanitarja që ishin prezentë në atë moment, thoshin që “ jo, e ka bërë me bojë duke ngjyrosur”, ndërkohë që ishte mëse e dukshme që ka pasur dhunë pasi për 1 javë vazhdoi mavijosja.
Gazetari: Dhe ka ndodhur nën kujdesin e cilës edukatore?
Denoncuesja: Ka qenë edukatorja tjetër e cila e ka emrin edukatore Ola. I kërkova me shumë edukatë drejtoreshës që të më vendosë në dispozicion kamerat, por nga ana e saj pata vetëm justifikime dhe në atë kohë u ndërrua edukatorja e djalit dhe nuk kishte më të njëjtën edukatore pas ngjarjes dhe pas asaj ngjarje, vjen edukatore Lina. Më ndodh njëherë tjetër që dëgjoj që ju ngrit zëri fëmijës kur unë po shkoja për ta marrë. Isha tek shkallët. Mësuesja i bërtiti “fillove prapë ti?”, por ishte një ulërimë, nuk e di…
Gazetari: Jeni duke folur për të njëjtën edukatore që ka dalë edhe në transmetimet tona apo jo?
Denoncuesja: Po.
Gazetari: Sa kohë ka qëndruar fëmija juaj me këtë edukatore?
Denoncuesja: 2-3 muaj. Në momentin që shkon dhe e merr i ati, ditën që ndodhi tërheqja e veshit, thanë që “është bërë me bojë”. Fëmija kur futet në makinë, fillon dhe qan me të madhe “pse nuk më besoni ju mua? Mua ma ka tërhequr sanitarja veshin” dhe ngulte këmbë. Realisht nuk donte që të shkonte, thoshte që “nuk dua të shkoj”. Mund të ishte menaxhuar dhe distancuar në vend që ta fshihte ngjarjen. Fakti që unë kam kërkuar 2 herë kamerat dhe më është mohuar aksesi për të parë kamerat, atëherë ka pasur gjëra të tjera që mbase nuk donin që prindërit t’i shikonin sepse nuk e shpjegoj dot ndryshe. E largova sepse është ajo frika që nëse ndodh diçka, prindërit pastaj nuk përmbahen. Përderisa gjëja degradon në dhunë fizike, nuk besoj se dhuan verbale është një gjë jashtë normales
“S’është zhurmë goditje”, Saimir Kodra: Me shumë gjasë edukatorja duhet të ja ketë tërhequr këmbën fort dhe ja ka thyer
Edukatorja e kopshtit “Stinët”, Majlinda Dehima është arrestuar pasditen e së enjtes. Emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan ka mësuar se Instituti i Mjekësisë Ligjore ka kryer ditën e mërkurë eksperimentin për mënyrën sesi vajza e vogël 3-vjeçare përfundoi me këmbë të thyer pasi prindërit e çuan si çdo ditë në kopshtin privat “Stinët”.
“Burg për edukatoren e kopshtit “Stinët”, Majlinda Dehima. Prokuroria e Tiranës e kërkoi këtë masë pas marrjes në dorë të konkluzionit të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ekspertët e Mjekësisë Ligjore kanë kryer ditën e mërkurë eksperimentin për mënyrën se si vajza e vogël 3-vjeçare përfundoi me këmbë të thyer në 1 Nëntor, ku si çdo ditë, prindërit e çuan në kopshtin privat “Stinët”. Emisioni “Stop” nga burimet e veta, ka mësuar se konkluzioni i dorëzuar në prokurori provon faktin se është shkaktuar një frakturë e shkaktuar nga tërheqja dhe presioni në këmbën e majtë të vogëlushes.”
Konkluzioni i dorëzuar në prokurori përmban faktin se ka ndodhur një frakturë e shkaktuar nga tërheqja dhe presioni në këmbën të majtë të vogëlushes.
Saimir Kodra: Sipas ekspertëve të Mjekësisë Ligjore që kanë bërë raportin, kjo është e rëndë, por duhet ta them, zhurma që dëgjoni është zhurmë e frakturës së kockës së femurit, nuk është zhurmë goditjeje. Me shumë gjasë, duhet të ja ketë tërhequr këmbën fort dhe ja ka thyer. Pas këtij momenti, edukatoret vijnë vërdallë 1 orë e 45 minuta me telefonata, me thënie, me pohime tek njëra-tjetra dhe nuk e marrin vajzën, megjithëse e pranojnë me njëra-tjetrën, nuk e çojnë në spital.
Gentian Zenelaj: Dhe ajo që është më e tmerrshmja, të gjithë këtë 1 orë e gjysëm e kanë parë live dhe të paktën 12 fëmijë të tjerë që kanë qenë aty.
Saimir Kodra: Një situatë e tmerrshme.
Nga ana tjetër, mësohet se edhe Agjensia e Mbikqyrjes Policore ka nisur hetimet dhe ka përcjellë në Prokurorinë e Tiranës, dosjen për 2 efektivë të Komisariatit nr.1
“Apo kur e përplase ti?”, “Stop” nxjerr pamjet si edukatorja u mundua të fshehte ngjarjen: Foli mamit të vajzës…
Emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan ka treguar me video sesi e menaxhuan edukatoret dhe drejtoresha situatën pas thyerjes së këmbës së vogëlushes 3-vjeçare në kopshtin “Stinët” në kryeqytet.
Vihet re që Majlinda Dehima mundohet që të fshehë ngjarjen, duke i rrëfyer edukatores tjetër si dhe drejtoreshës së kopshtit se vajza mund të jetë përplasur tek krevati, ndaj dhe e ka të thyer këmbën.
Më poshtë, ju sjellim bisedën mes tyre:
ORA 15:04 – Futet edukatorja, momenti kur bëhet gati për të dalë nga kopshti.
Biseda mes 2 edukatoreve:
Edukatorja 1: Çfarë ka moj? Çfarë ka?
Edukatorja 2 (Majlinda Dehima): O zot! I është enjtur këmba.
Edukatorja 1: Jo, jo.. Nuk e ka thyer ajo. Apo kur e përplase qëpar ti…Jo se ka thyer ajo, kush ja ka thyer?
Edukatorja 2 (Majlinda Dehima): Po pse moj Melisa? Çfarë na bëre moj Melisa. Po më rreh zemra.
Majlinda në telefon me drejtoreshën e kopshtit:
Edukatorja 2 (Majlinda Dehima): He moj Entelë përgjigju. Pse nuk përgjigjet…Ka përplasur këmbën tek krevati dhe e ka të fryrë, por e ka të fryrë goxha tek pjesa e kofshës dhe mezi ecën. Foli mamit të vajzës, e ka përplasur se këtu ishim, këtu ndërmjet 2 krevateve. Po thuaj e ka përplasur se nuk kam çfarë të them unë e shkreta, po tek krevati. Këtu isha unë me Olën. Po deshe hape kamerën.
Edukatorja 2 (Majlinda Dehima): Po sikur ta ketë thyer ajo, se ne do të dalim si të ja bëjmë?
“3 ditë që dëgjojmë “dhunë ndaj fëmijëve”, kjo është alarmuese për shtetin dhe shoqërinë”
Lidhur me skandalin e vajzës 3-vjeçare që iu thye këmba në kopshtin “Stinët”, emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan ka hapur një llogari “gofoundme”, ku mund të kontribuojnë për vogëlushen qytetarë të ndryshëm. Redaksia e “Stop” në mënyrë simbolike u bë kontribuesja e parë.
“Llogaria bankare në të cilën ju mund të depozitoni paratë, është e nënës së vajzës 3-vjeçare. Kemi hapur një llogari në “gofoundme” për të ndihmuar vajzën e vogël 3-vjeçare. Sigurisht, nuk është mungesë modestie, por më duhet ta them se donacioni i parë është i redaksisë së emisionit “Stop”. Ky është momenti për të gjithë ju që keni mundësi të ndihmoni sa të keni mundësi”, shprehet drejtuesi i emisionit, Saimir Kodra.

Siç ishte paralajmëruar, shoqëria civile protestoi sot sërish, këtë herë para Ministrisë së Arsimit në solidaritet me të miturën që u nis për në kopsht në 1 Nëntor si çdo ditë tjetër e u kthye me këmbë të thyer nga edukatorja. Qytetarë të ndryshëm shprehën sensibilizimin dhe revoltën e tyre për këtë ngjarje të rëndë dhe mungesën e përgjegjësive.
“Ne jemi këtu për të mbrojtur fëmijët tanë edhe është gjëja më njerëzore dhe jam shumë e shokuar nga kjo situatë.”
“Ngjarjet që u transmetuan mbrëmë ishin shumë shokuese. Kemi 3 ditë që dëgjojmë nga gjithë kohës “dhunë ndaj fëmijëve” dhe kjo është alarmuese për shtetin dhe shoqërinë.”
“Duke qenë se jam edhe vetë prind kam dalë në protestë për të sensibilizuar dhe të ngrejmë zërin aty ku duhet ngritur.”
“Po protestojmë që fëmijët tanë të kenë një të ardhme më të sigurtë dhe të paktën kur t’i çojmë nëpër kopshte dhe shkolla, të mos kemi frikë.”
“Sot po protestojmë për sigurinë e fëmijëve tanë. Është e vetmja gjë nuk duhet të ketë asnjëlloj tolerimi dhe diskutimi.”
“E ndjeva të domosdoshme për të dalë si prind.”
“Jam pa fjalë si mund të arrijë njeriu në atë lloj çmendurie?”
“Ngjarja na ka tronditur jashtë mase. Shpresa kam shumë pak se do të ndryshojë ndonjë gjë, por ne bëjmë tonën.”
/tvklan.al