Tinguj ciftelie dhe refuzim dekretesh.

Një qytetar amerikan shfaqet në një video, duke i rënë ciftelisë.Jeff Charest ka zgjedhur ta studiojë këtë instrument të rrallë në Universitetin e Kardifit në Angli.Presidenti Meta ka refuzuar sot të dekretojë propozimin e kryeministrit Rama për ministër të jashtëm, Gent Cakaj.”Zëri i Amerikës” ka transmetuar një kronikë të zgjeruar, ku tregon, se autoritetet shqiptare kanë favorizuar firmën DH Albania , që u shpall fituese për projektin e Unazës së re me dokumente të falsifikuara nga SHBA.

Para dhe seks, dy dëshmi të reja mbi korrupsionin e gjyqtarit Hysi.

Emisioni “Stop” publikoi sot dy dëshmi të reja të korrupsionit financiar dhe seksual të gjyqtarit të Fierit, Roland Hysi. Pas transmetimit të rastit të parë, në sekretarinë e redaksisë kanë vërshuar dëshmitë për Hysin.

Shuma të konsiderueshme eurosh dhe sjellje të pahijshme më sfond seksual duket se kanë qenë kod sjelljeje për njeriun e drejtësisë, që u vu në pranga pasditen e djeshme, bashkë me psikologen Elona Meçani.

Një zonjë dëshmon, se u detyrua t’i jepte Roland Hysit 5 000 euro për të kundërshtuar një akt përmbarimor.

Denoncuesja: Edhe unë kam pas një çështje me këtë gjyqtar dhe më ka kërkuar 5 000 euro, për një çështje, që kam pasur.

Saimiri: I keni paguar 5000 eurot?

Denoncuesja: Po, i kam paguar 5000 euro, fillimisht nuk i bëra dot të tëra 5 000-shen, i kam dhënë 3 000 euro herën e parë.

Saimiri: Zonjë ia keni dhënë atij në dorë, direkt?

Denoncuesja: Po, bashkëshorti im ia ka dhënë atij në dorë.

Saimiri: Për çfarë çështje ishte?

Denoncuesja: Kishim një kundërshtim me veprimet përmbarimore dhe na tha që keni ju të drejtë dhe e keni të fituar dhe në Apel në Vlorë. Kjo dukej me një fjalë edhe pazotësia e tij them unë, se në Apel në Vlorë, unë e humba. Në fakt, kur na ra çështja, që e pamë, që çështjen tonë e kishte gjyqtari Roland Hysi, nga shumë njerëz, që përflitej na thanë që, booo booo… me kë gjyqtar paskeni rënë?!

Saimiri: Pse? Ngaqë donte para?

Denoncuesja: Se ky kërkon lekë dhe nga halli, që kishim, nga problemet, që kishim u detyruam, ramë dakord me ndërmjetësimin e një personi tjetër, vetë nuk e njihnim, i kemi dhënë herën e parë 3 000 euro. Kaloi seanca e parë, e dyta, në seancën e tretë tha: dua dhe 2000-shen tjetër! Ne nuk i bëmë dot 2000 të tjera dhe e la atë seancë, e zgjati vendimin me një fjalë. Deri sa i dhamë edhe 2000-shen tjetër dhe më vonë pastaj e dha vendimin, që e fituam ne gjyqin faktikisht, por unë e di se si i kam bërë ato lekë dhe i kam marrë borxh, kur i thonë.

Ndërsa zonja e dytë tregon se u përball me Roland Hysin për një gjyq divorci dhe kujdestarie fëmijësh me ish-bashkëshortin. Hysi e çoi në hotel dhe i kërkoi dyfishin e tarifës, kur zonja refuzoi raportin seksual me të.

Denoncuesja: Kam pas çështjen e gjyqit, ndjek nga Roland Hysi, në Fier para 3 vjetësh e gjysmë. Kur gjyqtari më sheh, kur futem, që e përshëndes, e nxjerr ish-burrin jashtë edhe fillon dhe më thotë, që mos e ki problem, mos rri në stres, sepse unë do të ndihmoj. Ti qenke gocë e mirë. Mbarojmë gjyqin aty, ikim. S’zgjat as 10 minuta, që jemi largu nga zyra e gjyqtarit kur shikoj më merr në telefon, e kishte pas gjet numrin tim tek letrat e gjyqit atje kemi lënë dhe numrat e telefonit. Ky më merr në telefon dhe më thotë: dua me të taku. I thashë: “Ok! Por për çfarë?” “Për të sqaruar gjërat e gjyqit ”- më tha mua, “çfarë do vazhdojmë këtej e tutje”. Më merr në telefon pas 10 minutash edhe më thotë: hajde tek “Bar Rinia” në Fier. Futem në makinë edhe më thotë mua: “Meqenëse është shumë nxehtë jashtë, a shkojmë diku me pi diçka, me u qetësu, me bo muhabet, me ndejt rehat”?! Ok!- i them unë.

Më çon për tek Bar-Hotel “L’amour” në Fier. Futemi brenda, kyç derën. I thashë- “po, urdhëro, fol”! Aty filloi pastaj me më ngacmu, po unë do të ndihmoj, po se ti qenke gocë e mirë…e ku di gjë unë, këto kështu. Më tha mua – “unë dua 2 500 euro me fillu çështjen tate. Nuk ke nevojë as për avokat, as për psikologe me kap asnjë gjë ti, sepse do të ndihmoj unë. Ti do më japësh 2 500 euro edhe unë çështjen tënde e vazhdoj unë”!

Ok! – i thashë, po mirë! Si ashtu pastaj, ka porosit nga një pije freskuese me pi, t’na i sjellin te dhoma. Pastaj aty filloi me ngacmu. Jo me prek, jo këtu te kofsha, po jo me prek si pa dashje te koka…, gjëra të tilla…

Pastaj, i them – “ O zotëri, tani muhabetin e kemi mbaruar. A mundem me dalë”?

“Po jo” – më tha mua. –S’të pëlqej unë ty si mashkull, po unë mundem me të kënaq, mundem me t’mbajt mirë, do të mbaj, siç nuk të ka mbajt burri jot”.

I thashë – Jam tu kërku, me aq sa kam pa deri këtu, jam tu kërku me ndryshu gjyqtarin e çështjes.

Më tha mua – “Gjyqtarin e çështjes nuk të lë unë me e ndryshu ti”.

Më ke kërku 2 500 euro, unë me të dhënë 3000, veç unë me vazhdu çështjen dhe mu me m’lër rehat.

Më tha- jo! Në qoftë se ti më ke ul mua si mashkull, t’kam sjellë deri në dhomë hoteli, edhe mos me m’dhënë asnjë puthje, ke me pagu 5 000!

I thashë – Ok! Po 5000 euro i kam dhënë atë ditë në dhomë të hotelit, i kam dhënë 3 000 euro, dhe 2 000 euro të tjera ia kam nis më vonë.

Saimiri: Përfundimisht i ke paguar 5 000 euro?

Denoncuesja: Po i kam paguar 5 000 euro dhe ia kam nis me bankomat, ia kam nis me Wester Union. 5 000 euro nuk janë pak, por ama, kur llogaritet jeta e fëmijës, se kur të kërcënon me jetën e fëmijës të thotë: në qoftë se që këtu del gjë, ti s’ke me i pa ma ata fëmijë. Atëherë i bie, se ato, për fëmijët, janë shumëzim me zero.

Grabian, ikën nga puna e fiton të drejtën e 20 pagave, nuk merr dot paratë.

Agim Buzi, nga Divjaka, tregon në “Stop”, se ka punuar prej 17 vjetësh në Grabian, në zyrat e gjendjes civile.Në vitin 2014 e kanë hequr nga puna dhe me vendim gjykate ka fituar të drejtën e 20 pagave të barasvlefshme me 8 milionë lekë të vjetra.Por paratë nuk po i merr dot, edhe pse duhet t’i kishte tërhequr në korrik 2017.Juristi i bashkisë së Divjakës, Andi Bullari, thotë, se zoti Buzi nuk ka qenë në organikën e bashkisë, ndaj nuk mund të dëmshpërblehet prej saj.Sipas tij, paratë duhet t’i jepen nga drejtoria përkatëse e Ministrisë së Brendshme.Por kjo e fundit thotë, se vendimi gjyqësor ngarkon me përgjegjësi ish-komunën, sot njësia administrative Grabian.