Mbrëmjen e së martës, emisioni “Stop” në Tv Klan denoncoi rastin e gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu, e cila ka dhënë dy vendime të njëjta për një truall, por ndryshon vetëm sipërfaqja. Në vendimin e parë, bëhet fjalë për 314 dynym sipërfaqe toke, kurse në vendimin e dytë sipërfaqja është rritur në mënyrë fiktive, duke e çuar në 383 dynym.

Qytetarja Dafina Peci, e cila u ankua në emisionin “Stop”, tha se prokurorja e Elbasanit Enkeleida Millonai kishte nisur hetim për këtë çështje, por i kishte pushuar pa përfshirë emrin e gjyqtares Pajtime Fetahu dhe pa bërë një akt-ekspertimi për dy vendimet identike.

Me anë të një eksperti privat të licencuar, u provua se firma e gjyqtares Pajtime Fetahu në të dy vendimet gjyqësore është autentike. Pra, nuk është e falsifikuar. Njëri nga dy dokumentet është i rremë, por që dyshohet të jetë bërë me dijeni të gjyqtares Fetahu, pasi eksperti privat konfirmoi se firma është e njëjtë në të dy rastet.

Sot emisioni “Stop”, bashkë me zonjën Peci, i janë drejtuar institucioneve të drejtësisë për këtë rast. Ndaj gjyqtares Fetahu dhe vendimeve të saj, është depozituar kallëzim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për pezullimin nga detyra.

Dafina Peci:

“Bëra një kallëzim për gjyqtaren Pajtime Fetahu. Dorëzova të gjitha shkresat që kisha gati”.

Gjithashtu, “Stop” ka bërë denoncim në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe ankimim në KPK për gjyqtaren Fatahu dhe prokuroren e Elbasanit Enkeleida Millonai.

Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Stop”, Saimir Kodra ka paralajmëruar se ditën e nesërme dhe ditët në vijim do të ketë të tjera fakte që do të publikohen ndaj gjyqtares së Elbasanit Pajtime Fetahu.

/tvklan.al