Në 8 Prill emisioni “Stop” transmetoi rastin e Bledar Teferiçit, i cili është mësues historie në profesion. Ai ka një eksperiencë 15-vjeçare në mësimdhënie si dhe ka pasur disa ekspereicna e të tjera si drejtues.

Teferiçi për nëntë vjet me radhë ka drejtuar Shkollën Profesionale “26 Marsi” në Kavajë. Por Ministria e Financave, me anë të një urdhri të dy viteve më parë, e liroi nga detyra për mospërputhje të kritereve të pozicionit të punës.

Teferiçi iu drejtua Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Kavajës, e cila vendosi, që ministria t’i paguajë dëmshpërblim, për shkak të prishjes së kontratës në mënyrë të pajustifikuar, gjithsej 18 muaj pagesë.

Po kështu, gjykata kërkoi kthimin e Bledar Tefericit në vendin e punës, ose në një pozicion paralel. Gjykata e Apelit Durrës la në fuqi të njëjtin vendim. Por Teferici nuk u fut në punë dhe nuk u dëmshpërblye.

Pas interesimit të përsëritur të emisionit “Stop” në Agjencinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi dhe Ministrinë e Financave, Bledar Teferici arriti të fitonte të drejtën e tij dhe të ulet në zyrën e drejtorit të shkollës “26 marsi”, Kavajë.

Emisioni “Stop” iu drejtuar me një shkresë zyrtare Ministrisë së Financave dhe përgjigja që mori ishte se kishin nisur procedurat per Bledar Tefericin.

Punonjësi: Do bëhet një shkresë, do bëhet një procedurë dhe do procedohet me Bledarin. Kaq më thanë, kaq mund t’ju them!

Gazetari: Më nxirr dikë tjetër!

Punonjësi: Pa qenë unë aty, nuk  mund të bësh intervistë, se është këshilltare për median. Ditën e martë, mund të vijnë.

Gazetari: Nuk tallet njeri më me Stop-in, me mua, me askënd!

Pas kësaj bisede dhe këtij premtimi, “Stop” shkoi sërish tek Ministria e Financave, ku këtë herë gjetën Drejtorin e Burimeve njerëzore si dhe zëvendës ministren.

Drejtori i Burimeve Njerëzore: Në proces është. Ju e dini, që gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë rrëmujë. Nuk ta them dot, sot ose nesër. Ministrja është në Parlament.

Zëvendësministrja, Dajna Sorensen: As kam qenë e përfshirë në emërimin e zotërisë, as në shkarkimin e zotërisë.

Gazetari: Gjërat janë gati, edhe propozimi është bërë nga AKPA-ja.

Zëvendësministrja, Dajna Sorensen: Nuk ka ardhur tek unë. Pyete, mua ma ka dërguar apo jo?

Gazetari: Nuk jeni ju zëvendësministrja e linjës? Ju jeni zëvendësministrja, ju lutem, me aq kompetencë…E bëni dot, vetëm kaq, t’ia përcillni ministres fjalën tonë?

Zëvendësministrja, Dajna Sorensen: Kur të vijë, komunikoni me të!

Gazetari: Edhe sa herë të tjera do vij unë këtu?

Këshilltarja për media: Derisa të mbarojë procedura.

Drejtori i Burimeve Njerëzore: Jo, nuk do vish fare këtu! Do të njoftojmë vetë!

Këshilltarja për media: Pse duhet të vish ti?

Por edhe pse sërish nga Ministria e Financave nuk u zgjidh problemi, shqetësimi shkoi deri tek ministrja, Anila Denaj, e cila mori vendimin e kthimit në punë të Teferiçit.

Tashmë Teferiçi është rikthyer sërish në vendin e tij të punës ashtu siç gjykatat kishin vendosur për të, pasi vendimi për ta larguar nga puna ishte i padrejtë./tvklan.al