Banka e Shqipërisë është përfshirë në një skandal, duke dhënë pa procedurë tenderimi dhe pa transparencë projektin e rikonstruksionit të ish-Hotel Dajtit, i blerë nga Banka për nevojat e saj. Si të mos mjaftonte kjo, kostoja është dyfishuar dhe ka kapur shifrën e 18 milionë eurove. Zef Preçi thotë për emisionin “STOP” se duhej ndjekur procedura standarde e prokurimit, siç ndodh për çdo ministri dhe institucion shtetëror. KLSH, thotë Preçi, i ka sugjeruar disa herë Bankës të zbatojë ligjin e prokurimit.

Për shumë vite Hotel Dajti është cilësuar si hoteli më luksoz dhe modern në Gadishullin e Ballkanit, i cili në 8760 metër katror përmbante restorant, sallë balloje, ambiente për konferenca, 85 dhoma dhe 124 shtretër . Ky hotel, deri në vitin 1990, është vlerësuar si një ndër simbolet e turizmit shqiptar, pasi arkitektura e tij ishte unike. Në vitin 2010, Banka e Shqipërisë bleu ish-hotel Dajtin nga qeveria, me vlerën prej 30 mijë eurosh.  Në vitin 2015, këshilli mbikëqyrës i kësaj banke nisi procedurat e tenderimit për rikonstruksionin e këtij hoteli, por KLSH e kapi me shkelje, pasi procedura u zvarrit gjatë.

Por në vitin 2017, kur vëmendja e të gjithëve është tek zgjedhjet dhe jo tek tenderat, Banka e Shqipërisë përfshihet në një skandal financiar, duke dyfishuar fondin që do t’i jepet kompanisë që do ta ndërtojë me prokurim të drejtpërdrejtë.

Gazetari i emisionit “STOP” i drejtohet Bankës së Shqipërisë për të kërkuar një takim me guvernatorin e saj, Genti Sejko, në mënyrë që të shpjegojë se gjithçka nga ky projekt po mbahet sekret.

Gazetari – Si je? Genci Angjellari nga emisioni “STOP”, TV Klan.

Zëdhënësja për shtyp në Bankën e Shqipërisë

E.B nga zyra e shtypit.

Gazetari – Fillimisht duam një takim me z.Sejko në lidhje me Hotel Dajtin, prokurimi pse s’po bëhet publik?Kush e ka fituar? Kur është bërë tenderimi… këto. Pse s’ëshët bërë publike asgjë?

Zëdhënësja për shtyp në Bankën e Shqipërisë

Atëherë, informacioni zyrtar i BSh-së për këtë çështje, ne e kemi publikuar në faqen tonë të internetit.

Gazetari – Jo, atë e kam parë, por s’ka snjë të dhënë.

Zëdhënësja për shtyp në Bankën e Shqipërisë

Atëherë për çdo informacion tjetër do dërgosh një email pranë zyrës së shtypit.

Gazetari – Më kupton? Ka diçka që fshihet. Nuk e di sa transparent jeni dhe çfarë keni publikuar. Se tek ato tabelat atje është vetëm projekti, më kupton? Nuk ka një emër, p.sh. siç ëshët tek stadiumi “Qemal Stafa” që po bëhet projekti, që kush ka fituar, sa është shuma, kur mbaron? Siç bëhen prokurimet dhe pastaj…

Zëdhënësja për shtyp në Bankën e Shqipërisë

Një email zyrtar pranë zyrës së shtypit.

Gazetari – Nuk mund … asnjë të dhënë? Po pse kështu?

Zëdhënësja për shtyp në Bankën e Shqipërisë

 Të flas dhe do të të kthej përgjigje

.

Gazetari – Po të pres prapë këtu.

Zëdhënësja për shtyp në Bankën e Shqipërisë

Jo! Do t’ju marr unë në telefon ose do ju kontaktoj me email.

Zef Preçi shprehet se Banka e Shqipërisë në këtë mënyrë ka proceduar përherë, pasi kushtet e pjesëmarrjes, mungesa e konkurrencës dhe transparenca tregojnë se kjo bankë kryen favorizime për kompani të caktuara.

“Në kushtet kur gjithçka certifikohet përmes Këshillit Mbikëqyrës dhe askush nuk ndëshkohet për dëmin pasuror që i shkaktohet sektorit publik, kuptohet që kjo situatë do vazhdojë. Mendoj se të gjithë aktorët janë të përfshirë sepse bilanci vjetor i BSH-së, pasi miratohet nga Këshilli Mbikëqyrës , certifikohet dhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Ndoshta vlen që të konsultoheni për interes të publikut me burimet e larta të shtetit, pasi siç dihet bazat ligjore, mbi të cilat kryen blerjen e mallrave dhe të shërbimeve, nuk gjendet asnjë  mbështetje të Bankës së Shqipërisë në legjislacionin normal që ka Shqipëria për prokurimet publike.”

Preçi shprehet se Banka e Shqipërisë është një shoqëri me kapital 100% shtetëror dhe si e tillë duhet t’i nënshtrohet procedurave ligjore të prokurimit publik./ tvklan.al