Pas publikimit të rastit të Antonio Avdirajt, “Stop” e ndoqi këtë problem dhe shkoi sërish tek servisi i celularëve. Administratori Kreshnik Rama i lë afat Antonios, për të mbyllur problemin e kredisë me bankën.

Kreshnik Rama: Do ta mbyll unë historinë tënde, se është historia ime. Të hënën deri në orën 10:00 e ke të mbyllur. Do të nis mesazh ty. Ti do vish në orën 10:00 të marrësh mandatin e arkëtimit, kurse ty do të ta nis me foto në Whatsapp.

Do shoh edhe unë atë, që ka vajtur, ka çuar këtë për të firmosur, se unë këto do t’i nxjerr nga xhepi. Unë humba telefonin, do humb edhe lekët e kontratës. Me atë nuk kam punë. Në momentin, që do mbyllet, duhet të jesh edhe ti, që të firmosësh te banka!

Denoncuesi: Unë dua, që kjo kredi të më fshihet mua! S’jam unë.

Kreshnik Rama: Kjo kredi do të të fshihet. Deri në orën 10:00, të hënën, ti nuk ke më në emër, kredi. Unë mund të të fshij edhe nesër. Mund të të fshij edhe pasnesër. Këtij burrit këtu, unë të hënën do t’i nis në Whatsapp, që u mbyll kredia.

Nga ana tjetër “Stop” shtoi në degën e bankës Iute Credit në Vlorë, dhe punonjësja i thotë, që rasti është referuar në polici.

Punonjësja: Kemi raportuar rastin, sigurisht. Ato, që kanë pretenduar për këtë gjë, ne e kemi çuar për verifikim në organet përkatëse. Nuk jemi ne as…

Gazetari: Ka patur probleme ky subjekt?

Punonjësja: Ka patur disa raste, që pretendojnë, që nuk kanë qenë ata, por sesi, se qysh, sesi do dalë, nuk i bëjmë ne verifikimet. U përcjellim kërkesat dhe informacionet.

Punonjësja: Nënshkrimi i kontratës bëhet vetëm fizikisht dhe sigurisht, që është operuar fizikisht.

Gazetari: Pra, ky servisi, pronari, hedh firmën, e hedh edhe ai, që merr huan.

Punonjësja: Sigurisht!

Gazetari: I ka vajtur me postë, thoshte (pronari), në shtëpi.

Punonjësja: Po, qëndron edhe kjo. Personi duhet të jetë me mjet identifikimi. Operohet për të nënshkruar kontratën në fjalë. Për persona, që nuk kanë të bëjnë me ne, palë të treta, nuk di të të them. Nëse nuk ka qenë ky, këto gjëra verifikohen nga organet përkatëse. Ne jemi, gjithashtu, palë e dëmtuar në këtë rast. Pra, ne nga ana jonë, po e ndjekim, sepse ne kemi bërë pagesat për blerjen e produkteve.

Gazetari: E ka bërë kërkesën.

Punonjësja: Është bërë kërkesa. Është ndjekur ligjërisht. Është në prokurori çështja, mesa kam unë informacion. Raste të tilla shkojnë atje. Jemi të parët, që duam ta ndjekim, sepse na dëmtoi neve në radhë të parë.

Gazetari: Nëse ky person (nga servisi) e paguan këtu, zerohet?

Punonjësja: …sepse ka dëmtime të tjera. Unë kam bërë përcjelljen time. Kjo ka marrë rrugë ligjore dhe me siguri do marrë një drejtim.

Pas disa takimeve dhe bisedave edhe me dy personazhe të tjerë, një ish-punonjës i servisit, i quajtur Bledi dhe një i ri i quajtur Ergys, Antonio arrin të largojë barrën e kredisë që nuk e kishte marrë asnjëherë.

Denoncuesi: Mua më pyeti policia: dyshon te ndonjë adresë, që i ke dhënë kartë? I kam thënë, që kështu-kështu “jam ish – e dashura e Ergysit”, që më ka shkruajtur adresa në muajin mars.

Ergysi: Dëgjova sot, në qoftë se do e dëgjoj herë tjetër, do kemi muhabete të tjera bashkë.

Shok i Ergysit: …dhe që ke përmend emra atje, ke bërë gabim, se e merr tjetrin në qafë. Tjetri ta merr personale. Po ty ta mbyll banka, ça kërkon nga ne?

Shok i Ergysit: Ti praktikon edhe një fe. Të fal feja ty, nëse ti fut në burg këtë?

Denoncuesi: S’ka si futet në burg ai, nëse nuk ka gisht, nuk futet në burg.

Shok i Ergysit: Por, përderisa ti po jep emër atje… S’ta lejon feja, që të bësh gjëra të tilla.

Denoncuesi: Dyshoj!

Bledi (ish-punonjës i servisit): Te Niku (servisi) kam vajtur unë. E kam patur unë servisin te dyqani, këtu e para 9 muajsh kam punuar unë. Unë kam punuar nëntor-dhjetor-janar. Janar, e lashë unë tri muaj, sepse filloi nga dallaveret, s’më jepte rrogën. Nuk më dha rrogën në fund e i ika.

Ergysi: Në mënyrë shoqërore dhe në mënyrë, se…,në qoftë se do vesh prapë, do përballesh me gjykata, me polici, do thuash, që Ergysi është ngatërruar në këtë mes.

 Pas kësaj bisede Antonio arriti që të zgjidhje problemin dhe për këtë falënderon emision “Stop”. “Ju falënderoj për emisionin! Kam qenë shumë në ankth dhe ju falënderoj, që kjo çështje u mbyll me sukses!”, thotë denoncuesi./tvklan.al