Qendra “Egi Center” në zonën e Unazës së Re në Tiranë, po strehon banorë të prekur nga tërmeti, banesat e të cilëve janë shembur. Pronari i godinës, Flamur Dajçi thotë se e ka ndërmarrë këtë akt human duke mbuluar gjithçka me shpenzimet e tij.

Por, ai kërkon ndihmën e emisionit “Stop” në Tv Klan, pasi nga banorët që ka strehuar, shumë prej tyre janë të sëmurë dhe duhet shërbime mjekësor. Ai kërkon që në godinën ku ka strehuar banorët e prekur nga tërmeti, të qëndrojë një staf mjekësor.

Z.Dajçi tregon se një disa mjekë e infermierë, së bashku me një punonjëse të Ministrisë së Shëndetësisë i kishin thënë se qendra ka nevojë për vëzhgim 24 orë, megjithëse i ka kushtet shumë të mira. Ditën tjetër ky staf ishte larguar.

Flamur Dajçi: Këtu te qendra jonë janë strehuar rreth 110 persona nga zonat e Thumanës, Durrësit. Dhe deri tani ne ja kemi dalë me banorët e Unazës së Re dhe familjarët tanë. Po punojmë 24 orë këtu. Për momentin e kemi bllokuar pasi mund të strehojmë edhe 100 të tjerë, por nuk kemi mundësi dhe është e pamundur të përballohet nga ana jonë. Kemi edhe frikë për ndonjë epidemi, pasi këtu janë mbi 30 fëmijë, të gjithë janë të sëmurë. Problemi jonë është sepse nuk ka staf mjekësor, duhet dora e shtetit sepse duhet të vijnë patjetër t’i asistojë me shërbim se këta duan të hanë, të pastrohen, të lahen. Ditën e djeshme kanë ardhur tre ambulanca për të marrë fëmijët pasi janë shumë sëmurë. Erdhi një përfaqësuese e Ministrisë së Shëndetësisë. Më pyeti si është situata. U fut në të gjitha dhomat dhe ajo tha është ambient shumë i përshtatshëm, shumë i mirë. Ne do instalojmë mjekët dhe doktorët këtu, tha. Erdhën, u instaluam, ja u krijuam ambientin shumë të mirë. Po sot nuk e morëm vesh pse i kanë larguar që këtu. Edhe më shqetësoi shumë fakti sepse ata u dorëzuan, thanë ne nuk mund të rrimë. Unë edhe dritat edhe çdo gjë i kam në llogarinë time, do përballoj çdo gjë. Por ama të thotë shteti që nuk ja dal dot tek objekti jot edhe unë do t’ia dal vetë me njerëzit e Unazës së Re, me familjarët tanë. Por është shumë e rëndë situata. Kryeministri tha çdo objekt do ketë nga një ministër nga mbrapa. Këtu s’vijnë këta të vegjlit. Këtu është e tmerrshme. Si është e mundur gjithë ky komunitet këtu, nuk vjen njeri.

Emisioni “Stop” u interesua për këtë shqetësim dhe komunikoi në telefon me përfaqësuesen e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila thotë se duhet që më parë qendra të certifikohet nga Bashkia.

Punonjësja: Jo, nuk e kanë hequr stafin. Stafi shkon herë pas here, sepse ne nuk kemi një certifikim nga Bashkia për atë qendër.

Gazetarja: Pse duhet të ketë certifikim edhe kur është një rast emergjent?

Punonjësja: Dakord pra, po për emergjencën ne e dhamë shërbimin e duhur dje te të gjithë qytetarët, që ishin aty. Tani patjetër, që duhet një certifikim nga Bashkia, se ku e dimë ne nga kanë ardhur këta njerëz, si kanë ardhur.

Gazetarja: E kuptoj, por këtu ka shumë të sëmurë. Nga mjekët tuaj ishte thënë që duhet vëzhgim 24 orë.

Punonjësja: Jo, mos thuaj shumë të sëmurë, se unë kam qenë vetë në të gjitha dhomat dje dhe aty kishte vetëm një vajzë që ishte shtatzënë, që sot do t’i jepet shërbimi, dhe një djalë, një fëmijë 10 vjeç. Të tjerët nuk është se kishin probleme shëndetësore. Mos thuaj ka shumë të sëmurë. Mjekët, që janë aty, janë për të dhënë shërbim urgjence.

Gazetarja: Mos lini një staf, të paktën të lini një mjek.

Punonjësja: Ka staf, ka kaluar dhe paradite stafi, do kalojë herë pas here, se aty afër është qendra shëndetësore. Për më tej mund t’i drejtoheni Ministrisë!

Por pas këmbënguljes së gazetares së “Stop”, ky problem u zgjidh dhe pranë kësaj ndërtese ku që janë strehuar banorë të prekur nga tërmeti, stafi mjekësor u rikthye.

Flamur Dajçi: Pas ndërhyrjes që bëtë ju si emision, doktorët bashkë me infermierët u rikthyen në qendrën tonë dhe janë instaluar po aty, megjithëse na kontaktuan na thanë mund të jemi me orar më të reduktuar pasi kemi shumë emergjenca. Të paktën tani jemi në të qetë, pasi këta 100 persona do kenë dorën e mjekëve.  /tvklan.al