Emisioni Stop në Tv Klan ka udhëtuar drejt Vlorës për të trajtuar problematikën e një vajze 15-vjeçare me çrregullime të spektrit autik. Babai i vajzës denoncon neglizhencën e stafit të qendrës komunitare të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Ai thotë se vajza e tij ka rreth 4 muaj që nuk e frekuenton qendrën, duke humbur dhe terapinë, për shkak të neglizhencës së mësueses, e cila merrej me vajzën në qendër.

“Unë jam babai i një vajze 15-vjeçare, është fëmijë që vuan nga spektri i autizmit. Ne si prindër kemi një shqetësim që faktikisht kemi disa kohë që e çojmë në një qendër ku bëhet terapi për fëmijët që vuajnë nga spektri i autizmit. Kjo qendër fillimisht u hap nga shoqata “Mbro fëmijët”. Në qendër atje është punuar mirë, ka patur rezultate të mira dhe ne si prindër kemi qenë të kënaqur. Një ditë mos shkonte fëmija, merrnin në telefon, shqetësoheshin. Ajo që ne na shqetësoi është se filluan gjërat po ndryshonin. Problemi që neve na shqetësoi është se më vonë filluan gjërat të ndryshonin. Në momentin që “Save the Children” mbaroi kontratën e vetë me këtë qendër, kjo qendër kaloi në varësi të bashkisë. Ata të shoqatës “Save the Children” kanë patur kërkesa më të mëdha, kanë qenë më strikt, më kërkues në punën e tyre. Duke parë se kaluan në varësi të bashkisë, njeri nuk i kontrollon dhe po shikoja që tek vajza shumë gjëra nuk po më ecnin. Gjëja që na ra më shumë në sy ishte gatishmëria e mësueses ose e personit që merrej me terapinë e vajzës. Kjo filloi tregohej më indiferente, po i shmangej më tepër punës me çupën tonë, justifikohej jam sëmurë, jam e pamundur. Ne po e shikonim që interesimi për vajzën tonë nuk ishte më ai i pari. Vajza po bën aktualisht 4 muaj pa e frekuentuar qendrën. Shkak ka qenë mosinteresimi i kësaj qendre dhe i vetë punonjëses që zhvillonte terapinë me vajzën tonë”.

Gazetari i emisionit “Stop” shkon bashkë me babain e vajzës në qendrën e fëmijëve, për të takuar mësuesen e vajzës. Prindi dhe mësuesja debatuan para kameras për kujdesin e munguar ndaj 15-vjeçares.

Adrian Selimaj-Ja, se do të ketë vajtur këtej, dhoma, që bënte terapi çupa është këtu, ku bënte terapi çupa është kjo këtu, në thonjëza terapi.

Silva Çobo-Mund të flas me zotërinë njëherë?

Adrian Selimaj-Me kë zotëri? Po unë jam i zoti i hallit.

Silva Çobo-Po, mund të vijë edhe Diti?

Adrian Selimaj-Po hajde, unë s’kam ardhur për t’u zënë me juve.

Gazetari-Ideja është këtu, që të bëjmë diçka pozitive për rastin në fjalë.

Silva Çobo-Okej, rasti në fjalë të kontaktojë, domethënë fëmija është ndjekur nga mua 5 vjet rresht.

Gazetari-Po që keni qënë te “Save the Children”.

Silva Çobo-Jemi, domethënë po, kemi qënë.

Gazetari-Tani jeni në varësi të Bashkisë?

Silva Çobo-Po në varësi të Bashkisë, kemi dy vjet.

Gazetari-Tani problemi…

Silva Çobo-Nuk ka ndryshuar asnjëherë terapia e fëmijës, është ndjekur nga mua, terapia gjithmonë ka qënë dy herë në javë.

Adrian Selimaj-Ti mua më ke mbyllur derën, ma ke mbyllur në fytyrë, atë që më ke bërë herën e fundit mua ti…

Silva Çobo- Zoti Adrian..

Adrian Selimaj-Atë, që me ke bërë ti mua herën e fundit…

Silva Çobo-Absolutisht..

Gazetari-Po ku qëndron problemi?

Silva Çobo-Atëherë fëmija kishte dy muaj, që kishte munguar në qendër. Normalisht atë ditë kishim ditën, që ishte dita e sindromës “Doën”, kishim një aktivitet në sheshin “Pavarësia”, në teatrin Petro Marko, zotëria domethënë nuk ishte njoftuar, që ne nuk bënim terapi në qendër dhe vijnë në orën 14:00. Kjo ka qënë gjithë episodi, zotëria ka ardhur…

Adrian Selimaj-Jo, jo, ti më the mua, ti the: “Pse e solle fëmijën, se ti s’do e sillje më” dhe unë të thashë…

Silva Çobo-Jo absolutisht, ka qenë Ditmiri.

Adrian Selimaj-Dhe unë të thashë: çupa ka një muaj pa ardhur, se ka filluar krizat e epilepsisë, unë ta kam sjellë çupën 5 minuta më parë dhe ti mua më ke përplasur derën në fytyrë.

Silva Çobo-Jo, absolutisht!

Adrian Selimaj-Më ke thënë: shko largohu, se je vonuar 5 minuta!

Silva Çobo-Jo, jo!

Adrian Selimaj-Qysh jo?! Unë jam prindi i vet!

Silva Çobo-Më vjen shumë keq!

Adrian Selimaj-Edhe një gjë tjetër, ti kishe filluar punën, kishe një muaj dhe Jonida e ka marrë vesh, e ka marrë rastësisht nga drejtoresha jote, nga Lori.

Silva Çobo-Absolutisht!

Adrian Selimaj-Dhe ti s’kishe lajmëruar, që kishte filluar punë qendra. E kupton?

Pas interesimit të “Stop”, rasti u zgjidh. Vajza me çrregullime të spektrit autik do t’i rikthehet sërish qendrës dhe trajtimeve që bënte më parë.

“Fëmija mund të vijë kur të dojë në qendër. Gjithashtu do jem në kontakt me nënën e saj për të njoftuar prindërit për ditët e terapisë që do të vendosim me psikologen për të ardhur në qendër. Vajza do frekuentojë qendrën, do jem në kontakt me nënën. Gjithashtu do të bëhet një rivlerësim nga stafi multidisiplinar i qendrës dhe të shohim pregresin apo regresin që mund të ketë bërë fëmija dhe t’i ngremë objektiva të reja”.

Por gazetari i emisionit Stop vuri re edhe një problematikë tjetër. Ai konstatoi se stafi i kësaj qendre dhe hapësira nuk janë të mjaftueshme për numrin e lartë të fëmijëve, e për këtë arsye u drejtua tek Bashkia e Vlorës për të kërkuar më shumë informacion nëse pushteti vendor planifikon që të shtojë ambientet e kësaj qendre si dhe stafin.

Gazetari-Si kalove? Nga televizioni Klan, emisioni “Stop”, qendra komunitare për fëmijët me aftësi të kufizuara. Pamë aty mungesën e kapaciteteve të dhomave, të stafit, duke marrë parasysh edhe qytete të tjera, që janë më të vogla se Vlora dhe kanë më shumë qendra. Ne thjesht duam ta diskutojmë me kryetarin, po ai nuk është, po me ndonjë, që e zëvëndëson? Ka Bashkia synim, që ta zgjerojë këtë qendër, ose ta çojë diku tjetër?

Bashkia Vlorë-Tani, unë këtë përgjigje s’ta jap dot.

Gazetari-E marr vesh, që s’ma jep dot ti, ti duhet të pyesësh diku, ose të shtoje stafin, se janë diku te 90 e kusur fëmijë dhe janë vetëm 10 veta staf.

Bashkia Vlorë-Jo faktikisht e kanë marrë informacionin, që s’vjen.

Gazetari-Po e presim ne, vjen?

Bashkia Vlorë-Për çfarë kapacitetesh duhen?

Gazetari-Ti çojë në një ambient tjetër, na thanë diku këtu te sheshi “Flamur” do prishen ca gjëra, ngelen ca godina dy katëshe, që i ka varësia Bashkia. A ka Bashkia ndonjë plan?

Pas bisedës me një nëpunëse të Bashkisë së Vlorës, gazetari i Stop bëri kërkesë me shkrim për të marrë përgjigje nga kryebashkiaku nëse do të ketë në plan për të shtuar numrin e këtyre qendrave që merren me fëmijët që kanë problem të këtij spektri. /tvklan.al