Babai i tij, Foto do të jetë shumë krenar. Çdo ditë që po kalon, djali i tij Thomas bëhet më i zoti dhe më i mirë. Siguria që jep portieri i Kombëtares Shqiptare në katërkëndësh është mahnitëse.

Edhe pse 25 vjeç, Thomas duket se ka arritur madhështinë dhe nivelin e babait të tij. Diçka të tillë e tregojnë edhe statistikat që në futboll janë shumë kokëforta dhe rrallë gabojnë.

Lazio mund të mburret se ka në gjirin e saj portierin e tretë më të mirë të sezonit në Europë. Pavarësisht se sezoni ka mbetur pezull, Strakosha ka arritur të grumbullojë shifra suksesi. Kuqeziu ka arritur të neutralizojë 77.88% të goditjeve të shkuara drejt portës së tij. Vetëm portieri i Liverpool, Alison Becker dhe ai i Reims, Rajkovic kanë bërë më mirë se ai.

Podiumi europian është një medalje e vogël, e cila i shtohet arritjeve të tjera të bëra nga portieri i bardhekaltërve. Në katër vitet e tij tek kryeqytetasit, Strakosha ka arritur të ndihmojë shokët e ekipit të fitojnë 3 trofe, dy Superkupa të Italisë dhe një Kupë të Italisë. Rritja e tij eksponenciale ka tërhequr interesin e shumë klubeve europiane, sidomos ato angleze.

Por, Lazio e ka kundërpërgjigjen dhe në ditët e ardhshme pritet të nisë negociatat për të rinovuar kontratën që skadon në vitin 2022 edhe me 3 vite. Natyrisht, rritje do të pësonte edhe paga e shqiptarit, që në kryeqytetin italian fiton më pak se 1 milionë Euro.

Klan Plus