Komisioni Europian ka prezantuar një plan në rast krizash dhe lufte. Kjo strategji i bën thirrje qytetarëve të Unionit që të mbajnë rezerva ushqimore të mjaftueshme për tre ditë.
Sipas zv/presidentes së Komisionit Europian, Roksana Minzatu strategjia e re është titulluar me emrin “Unioni në gatishmëri” dhe jep këshilla qytetarëve sesi të jenë në gjendje të mbijetojnë në ditët e para të ndërprerjes së papritur të furnizimeve.
Dokumenti prej 17 faqesh, pritet t’u kërkojë qytetarëve që veç ushqimit të kenë gati edhe ilaçe të mjaftueshme, ujë, karburant apo mjete të tjera për ngrohje e gatim në rast të bllokimit të papritur të furnizimeve me gjerat më jetike.
Strategjia është hartuar në kushtet kur i Bashkimi Europian i druhet përhapjes së luftës ruse edhe në territorin e vendeve anëtare.
Frika nga katastrofat natyrore si tërmete, përmbytje, apo ngjarje të tjera të nxitura nga ngrohja globale si dhe sulmet masive kibernetike e përhapja e shpejtë e sëmundjeve si COVID-19, 5 vite më parë janë arsye të tjera që kanë detyruar Komisionin të hartojë këtë strategji të pazakontë.
Klan News