“Kur arrin këtu harron çdo sakrificë”
Kristi Ramadani fitoi në Sofje medaljet e para të rëndësishme në karrierën e tij si peshëngritës. Atij iu deshën gati 18 vjet sakrificë për t’iu gëzuar këtij suksesi.
Kristi Ramadani: Kur arrin në këtë pikë i harron që të gjitha dhe kupton se kanë më shumë vlerë se çdo sakrificë, çdo sfidë e kaluar.
23-vjeçari sqaron edhe arsyen pse zgjodhi të jetë pjesë baterisë B në peshën deri 81 kilogramë, që i solli dy medalje argjendi.
Kristi Ramadani: E kishim planifikuar, ishte një strategji e jona. Objektivi ishte të bënim maksimumin e rezultatit tonë. Grupi A do të ishte i detyruar të na ndiqte ne dhe me rregullin që duhet të ngrinte 1 kilogramë më shumë për të na kaluar na avantazhonte pak.
Me këmbë në tokë, por me shpresë që do t’ia arrijë një ditë tregon synimin madhor të karrierës.
Kristi Ramadani: Të vazhdoj të arrij rezultate të larta. Ne na mungon medalja olimpike dhe shpresoj shumë që të jem unë i pari që e arrij atë.
Më shumë se olimpiadën e këtij viti që do të zhvillohet në Paris, Kristi Ramadani mendon për atë të 2028 që do të mbahet në Los Anxhelos.
Tv Klan