Në pjesën e parë të emisionit “Pro Business” në TV Klan, Herida Duro, drejtoreshë e turizmit pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ndau detaje rreth strategjisë së re të turizmit dhe mjedisit 2030.

Kjo strategji synon të forcojë një turizëm të qëndrueshëm dhe të diversifikuar gjithëvjetor, duke përfshirë një sërë aksionesh dhe bashkëpunime me institucione qendrore dhe agjenci shtetërore.

Një nga sfidat kryesore të turizmit shqiptar ka qenë sezonaliteti, por Duro thekson që kjo sfidë është duke u tejkaluar me një rritje të qëndrueshme të vizitorëve gjatë gjithë vitit.

Sfidat logjistike, veçanërisht në infrastrukturën portuale dhe ajrore, janë një fokus i rëndësishëm për përmirësim. Ndërkohë, tregjet e reja turistike, si Australia, Zelanda e Re, Amerika, Kina dhe Japonia, po kontribuojnë në diversifikimin e turizmit. Interesi për parqet natyrore dhe oferta turistike alternative, si agroturizmi dhe aktivitetet në natyrë, po rritet. Ky diversifikim është thelbësore për të krijuar një përvojë më të pasur për vizitorët. Rritja e të ardhurave nga turizmi është e dukshme, me një rritje prej 20% në kontratat me tur-operatorët ndërkombëtarë, ndërsa promovimi i Shqipërisë si “Top Destination” vazhdon të japë rezultate pozitive.

Duro thotë se përmirësimi i infrastrukturës dhe ofertave turistike është një prioritet, duke përfshirë rrugët, aksesin dhe kapacitetet e akomodimit.

Gjithashtu, ka një rritje të kërkesave për profile të reja profesionale në turizëm, me një fokus në formimin profesional dhe kthimin e emigrantëve, të cilët mund të kontribuojnë me njohuri dhe eksperiencë të çmuar. Strategjia e re identifikon gjashtë rajone turistike kryesore, duke synuar të fuqizojë veçoritë dhe potencialin e secilit rajon për të krijuar një imazh të unifikuar dhe tërheqës. Ndërkohë, Shqipëria do të jetë vend nderi në Panairin Global ITB Berlin nga 4-6 Mars, një mundësi e rëndësishme për promovimin e vendit në skenën ndërkombëtare./tvklan.al