Reperi i njohur bën një premtim në skenën e ‘Klanifornia’

Reperi i njohur Stresi ka folur hapur për veten tij, në një rrëfim të sinqertë në spektaklin “Klanifornia” në Tv Klan, duke treguar gabimin më të madh që ka bërë në jetë.

Përballë pyetjeve të moderatores Marina Vjollca, Stresi u ka kërkuar falje edhe personave të tij më të dashur.

Marina Vjollca: E konsideron ndonjë gabim më të madh në jetën tënde që ke bërë?

Stresi: Po. Gabimi më i madh në jetën time është… unë nuk e komandoj dot trurin tim nganjëherë. Shpeshherë edhe vetë bisedoj me të dhe them pse ti më shtyn Arkimedin aty. Ky ka qenë gabimi më i madh sepse, siç themi, Zoti na ka falur trurin dhe ne duhet ta përdorim vetë trurin. Mirëpo, ndodh ndonjëherë që bëhem ai fëmija i vogël që do të blejë shumë dhurata kudo që shkon. Dhe kështu ka qenë gjithmonë truri im.

Marina Vjollca: Me rëndësi që po reflekton.

Stresi: 100% që po.

Marina Vjollca: Dhe çdo njeri që gabon e ndjen nevojën për të thënë më fal. Kështu që ne kemi menduar një intervistë të llojit ‘më fal’. Ti do të thuash më fal, dhe unë do të them personat. Për çfarë do t’i thuash më fal mamit?

Stresi: Nuk është e lehtë të flasësh për mamin sot. Kur bëhet fjalë për mamin… Kam kaluar shumë me nënë time. Pothuajse që i vogël kam qenë kudo me nënën time. Mamin për të vetmen gjë që do t’i thoja më fal, dhe është hera e parë që e them këtu publikisht në Klanifornia, do i thoja që nuk do bëj më siç kam bërë më përpara.

Marina Vjollca: Për çfarë do t’i thuash më fal babit?

Stresi: Babit nuk i them më fal asnjëherë se e kam si shok. Babit gjithmonë i çoj mesazh, nuk ja them dot në sy më fal.

Marina Vjollca: Për çfarë do t’i thuash më fal publikut?

Stresi: Unë nuk njihem për artist që u bëj lajka njerëzve, as publikut. Se në radhë të parë kam arritur me forcat e mia këtu dhe me djersën time. Por publikut dua t’i kërkoj falje sadopak dhe shumë në qoftë se nuk kam qenë i kthjellët në një moment të caktuar apo diku, të paktën në qoftë se kam patur neglizhencë, por dijeni që Arkimedi nuk e bën me vetëdije. Asnjëherë!

/tvklan.al