“Protestën e kam organizuar unë, pres që nesër të arrestohem”

Këngëtari i njohur Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit si Stresi, ka qenë në mesin e protestuesve pasditen e kësaj të mërkure që u zhvillua përpara Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë, duke kërkuar drejtësi për 25-vjeçarin Klodian Rasha që u vra nga efektivi i forcave “Shqiponja”.

Në një prononcim për tvklan.al përpara godinës së Ministrisë së Brendshme, aty ku ishin grumbulluar fillimisht protestuesit, Stresi është shprehur se protestën e ka organizuar ai.

Madje, shton se për shkak të protestës që ka organizuar, ai pret që ditën e nesërme të arrestohet. Stresi bën thirrje për drejtësi dhe zbardhjen e vrasjes së të riut Klodian Rasha. Thekson se nuk do të dorëzohen në këtë protestë, ndërsa veten e konsideron Azem Hajdarin e dytë.

Unë e kam organizuar këtë protestë. Hajde më vrisni mua si Klodianin, ndyrësirat e m*tit. A doni të më vrisni mua? Keni për të vrarë gjithë këta “Klodianët”. Nesër do të arrestohem, do jem krenar që do shkoj në qelitë e paraburgimit. Për çfarë? Se s’ka drejtësi për një vëlla tonin. Asnjë s’ka për t’u dorëzuar. Nuk është miting pleqsh, është miting çunash, është miting populli, është miting të rinjsh. E kemi zemrën hekur. Këtu na keni. Jeni mësuar ju, unë jam Azem Hajdari i dytë, unë sot organizoj protestën më të madhe që ka parë ndonjëherë populli shqiptar”, u shpreh këngëtari.

Gjatë marshimit të qytetarëve, Stresi u bëri thirrje protestuesve që të mos konfliktohen me punonjësit e policisë, duke u shprehur: “S’ka njeri punë me policët. Një polic i poshtër nuk ndot gjithë uniformat e policisë. Nuk janë të gjithë si ai”.

25-vjeçari Klodian Rasha u vra në orët e para të mëngjesit të së martës nga një punonjës i policisë. Efektivi qëlloi me armë të riun duke i shkaktuar vdekjen, me pretendimin se nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe se në dorë mbante një objekt në dukje si armë. Por nga hetimet e deritanishme të SHÇBA, Klodian Rasha nuk rezulton të ketë qenë i armatosur. Efektivi i forcave “Shqiponja” u arrestua dhe akuzohet se ka përdorur armën në tejkalim të kompetencave të tij, pasi nuk ndodhej përpara një situate të rrezikshme. /tvklan.al