Studentët e mjekësisë kanë protestuar para Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë për deklaratat në lidhje me detyrimin për të punuar 3 vite në vend, ose në të kundërt do duhet të paguajnë një tarifë më të lartë, e cila mund të variojë nga 2500- 5000 euro.

Qeveria shqiptare dhe kryeministri Rama e kanë artikulur disa herë se do të merren masa për të frenuar emigrimin e mjekëve të rinj. Por ka qenë deklarata e ministres së Arsimit, Evis Kushi e cila ka irrituar studentët që ndjekin mjekësinë, pasi sipas saj mund të preken jo vetëm maturantët e këtij viti, por edhe studentët që ndjekin aktualisht studimet.

Pas kësaj deklarate studentët kanë protestuar dhe kanë thënë se është nuk pranojnë asnjë vendim të tillë, pasi u shkel të drejtat, madje cenon edhe cilësinë në arsimimin e tyre.

Sipas tyre ata do të vijojnë me protestat nëse qeveria nuk tërhiqet.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ministrja e Arsimit Evis Kushi shkruan se ka zhvilluar një takim të dytë me studentët e Fakultetit të Mjekësisë dhe se do të vijojnë diskutimet për të gjetur zgjidhjen më të mirë për punësimin dhe kontributin e tyre në atdhe pas përfundimit të studimeve, për një periudhë të caktuar kohore.

Klan News