Studentët protestojnë sot në ditën e katërt përpara Ministrisë së Arsimit, ndonëse qeveria u tërhoq nga tarifa për provimet e mbartura. Studentët ia kanë dalë që deri më tani të mbajnë larg protestës politikën.

Në lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin e lajmeve të mesditës, gazetarja e Tv Klan Rashela Shehu, tha se “

studentët kanë marshuar nga fakultetet e tyre përkatëse të Tiranës rreth orës 10:00 të mëngjesit dhe janë mbledhur përpara Ministrisë së Arsimit. Është e vërtetë, tubimi i sotëm është më i madh se ai i ditëve të kaluara. E tërë Rruga e Durrësit nga Ministria e Arsimit deri në qendër është e mbushur me studentë. Kjo sepse atyre u janë shtuar edhe studentët që kanë ardhur nga Universiteti i Elbasanit dhe Universiteti i Durrësit.

Shehu tha se në protestë janë edhe prindërit e studentëve, të cilët u janë bashkuar atyre për pikën e tarifimit, që e thënë prej tyre është e papërballueshme.

Ajo tha se mes studentëve ka pasur diskutime nëse “

duhet të bënin edhe një marshim drejt Kryeministrisë. Kjo nuk është konfirmuar deri më tani. Pjesa më e madhe e tyre kanë thënë që do të protestojnë para Ministrisë së Arsimit për pikat e tyre kryesore, të cilat janë heqja e VKM-së, e cila parashikonte një tarifë shtesë për sa i përket kreditove për lëndët e prapambetura, pikë nga e cila u tërhoq edhe Ministrja e Arsimit. Studentët po ashtu kërkojnë përmirësimin e kushteve në konvikte, kërkojnë që të jenë pjesë e Bordit të Administrimit të Universiteteve dhe përgjysmim të tarifës së arsimit, pikë e cila sot po theksohet më shumë në ovacione.

Tv Klan