Protesta e studentëve ka hyrë në ditën e saj të pestë. Edhe këtë të shtunë, pas mbledhjes përpara fakulteteve, ata kanë marshuar në drejtim të Ministrisë së Arsimit.

Në këtë rrugëtim, ata kanë marrë edhe mbështetjen e qytetarëve. Të shumtë kanë qenë edhe qytetarët që i janë bashkuar protestës së tyre për arsim cilësor, kushte më të mira në konvikte dhe uljes së tarifave vjetore.

Plotësimi i dy kërkesave, për investime dhe heqja e pagesës për kredite në lëndët e mbartura nuk e kanë zbehur fuqinë e protestës. Edhe këtë ditë, ata kanë shprehur vendosmërinë për të mos u tërhequr, deri në realizimin e çdo kërkese të drejtuar Ministrisë së Arsimit.

Studentët kanë denoncuar sot edhe disa prej pedagogëve, të cilët i kanë akuzuar për korrupsion. Protestës kanë kërkuar t’ju bashkohen edhe banorë e Astirit, por ata nuk janë pranuar nga studentët, duke e konsideruar protestën e tyre politike.

Po ashtu studentët kanë refuzuar edhe bisedën me Ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, e cila tentoi të takohet me to përpara Ministrisë së Arsimit.

Ata janë shprehur se nuk janë të hapur për asnjë negociatë dhe se do të rikthehen në auditore vetëm kur çdo kërkesë e tyre të plotësohet.

Gjatë afro 8 orë qëndrim përpara Ministrisë ata kundërshtuan çdo mundësi për negociate. Thanë se do të rikthehen në auditore vetëm kur çdo kërkesë e tyre të plotësohet, ndërsa protesta do të vazhdojë sërish të dielën, me të njëjtin itinerar. Marshim nga korpusi universitar drejt Ministrisë së Arsimit.

Tv Klan