Savely Narizhny është 15-vjeçar, ish-anëtar i shkollës së mesme në veriperëndim të qytetit rus Vologda. Më 23 janar, ai është ndalur në qendër të qytetit për pjesëmarrje në një protestë masive, në mbështetje të liderit opozitar Aleksei Navalny, i cili në atë kohë ishte i burgosur dhe përballej me akuza të rënda penale.

Narizhny nuk është ndaluar, mirëpo policia ia ka konfiskuar telefonin.

Tri ditë më vonë, policia e ka kërkuar në shtëpi.

Narizhny e pranon se ka shkruar grafiti, duke e quajtur liderin rus Vladimir Putin “hajn”, në muret e një ndërtese të administratës rajonale.

Pas pak kohësh, prokurorët e kanë kategorizuar këtë akt si “veprim të kryer nga një grup njerëzish, të motivuar në baza politike, ideologjike, racore, nacionaliste apo të urrejtjes fetare”.

Nëse dënohet, ai mund të përballet me tre vjet burgim.

Pas paraqitjes së padisë penale, Narizhny është kontaktuar nga administrata e shkollës. Zyrtarët i kanë bërë presion që të heqë dorë nga shkolla.

“Ata më kanë thënë ‘neve nuk na duhen kriminelë’ dhe gjëra të tjera”, ka thënë Narizhny për Radion Evropa e Lirë.

“Do të jetë më mirë për ty nëse largohesh me dëshirën tënde”.

Tani ai është pjesë e shkollës së natës, teksa pret gjyqin.

Gjatë valës së parë të protestave, në mbështetje për Navalnyn dhe kundër Qeverisë së Putinit, në janar dhe shkurt, zyrtarët rusë dhe mediat e kontrolluara nga shteti – duke vërejtur lëvizjen kryesisht të të rinjve – kanë akuzuar vazhdimisht opozitën për joshje të tyre.

“Është absolutisht e papranueshme që të shtyhen të miturit përpara”, ka thënë Putin. Kjo është ajo që bëjnë terroristët”.

Një moderator i televizionit shtetëror, Dmitry Kiselyov, është pozicionuar kundër opozitës në emisionin e tij, duke i akuzuar ata për “shtyrje të fëmijëve në politikë sikurse pedofilë politikë”.

Megjithatë, mbështetësit e opozitës kanë qenë të shpejtë në krijimin e një materiali, që përmes montazhës paraqiste kokën e Kiseloyvit në trupat e fëmijëve të vegjël, duke marrë pjesë në ngjarjet e organizuara nga partia në pushtet, Rusia e Bashkuar.

Disa javë prej zhvillimit të protestave, zyrtarët lokalë në Rusi kanë shtypur të rinjtë – jo vetëm fëmijët – të cilët kanë marrë pjesë në to. Shumë e kanë gjetur veten duke u përballur me dëbime nga institucionet e tyre edukuese, me akuza të rënda penale, ose sikurse rasti i Narizhnyt, me të dyja.

I zënë në shtypjen pas protestave në Vologda ka qenë edhe 17-vjeçari Ilya Yelshin. I vetëshpallur nxënës i dobët në Shkollën e Mesme Spassky, Yelshin ka kaluar kohën më të madhe duke punuar në kanalin e tij në YouTube, duke paraqitur veten në disa situata, përfshirë atë duke qëndruar për më shumë se gjashtë orë në temperatura -20 gradë Celsius, i veshur vetëm bluzë me mëngë të shkurtra.

Në muajin janar, teksa Navalny përgatitej për kthim nga Gjermania, ku ka kaluar disa javë duke u shëruar nga helmimi me agjent nervor, Yelshin ka nisur të shtojë përmbajtje politike në kanalin e tij, duke përfshirë kryerjen e sondazheve me të rinj të tjerë, duke i pyetur nëse mbështesin Navalnyn apo Putinin.

Navalny përndryshe beson se sulmi kundër tij është kryer nga agjentë të Shërbimit Federal të Sigurisë, me urdhër të Putinit.

Më 23 janar, ai ka publikuar një material në rrjetin social YouTube nga protesta e Navalnyt në Vologda.

“Pata nisur të shqetësohesha se çfarë ishte duke ndodhur në Rusi në ato momente. Gjërat shkonin keq”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Protestat nisën dhe unë nisa të shihja disa gjëra. Problemet e Rusisë, Putini…”.

Ndonëse mësuesit u kanë folur nxënësve për “rrezikun” e protestave, para se ato të mbaheshin, asgjë nuk i ka ndodhur Yelshinit gjatë protestave.

Ditën tjetër, dy policë i kanë shkuar në shtëpi dhe e kanë paralajmëruar se ai ka qenë shënjestër e hetimeve penale. Pak kohë më pas, ai është thirrur për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit rajonal.

“A nuk e kuptoni se jeni duke vendosur jetën tuaj në rrezik duke u përfshirë në këtë gjë?”, e ka pyetur atë prokurori, sipas një audio-incizimi që Yelshin e ka bërë dhe e ka postuar në rrjetet sociale.

“Jeni duke u shfrytëzuar. Ti nuk e kupton se sa po të shfrytëzojnë ty”.

“Dhe a ke menduar se si je duke u shfrytëzuar?”, ka rikujtur Yelshin deklaratat e zyrtarëve.

Mbështetësit e Navalnyt kanë bërë thirrje për një tjetër protestë më 31 janar. Pak para asaj date, Yelshin ka postuar një video, në të cilën ka thënë: “Nëse dëshironi të dilni, dilni. Mirëpo mendoni disa herë para se të vendosni që të mos dilni”./REL