Ndërsa studentë nga 3 fakultete, ai Juridik, Ekonomik dhe i Inxhinierisë së Ndërtimit vijojnë ngujimin prej disa ditësh, nga mbrëmja e së dielës këtij vendimi iu bashkua edhe një grup studentësh nga Fakulteti i Mjekësisë.

Edhe pse pa energji elektrike, studentët në Fakultetin e Inxhinierisë nuk e kanë ndërprerë ngujimin. Në Fakultetin Juridik studentët vijojnë të qëndrojnë brenda godinës.

“Në Fakultetin Ekonomik vijon bojkoti dhe ngujimi. Qindra studentë janë mbledhur në hollin e këtij fakulteti dhe me votën e shumicën kanë vendosur për vazhdimin e protestës edhe më tej”.

Ndërsa bojkoti i mësimit vijon edhe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, si dhe në Fakultetin e Shkencave Sociale. Studentët që pyesim shprehen unanimisht për ta vijuar protestën deri në realizimin e kërkesave.

Në një dalje publike, Zëvendësministrja e Arsimit, Besa Shahiri kërkoi nga studentët të përzgjedhin përfaqësuesit për grupet e punës, ndërsa njoftoi se Ministria ka dërguar 54 punonjës pranë sekretarive të Universiteteve, për t’u shpjeguar studentëve vendimet që ka marrë qeveria.

Shahini bëri të ditur se nuk do të ndërmerren nisma ligjore pa komunikimin me stafin akademik dhe pa përkrahjen e institucioneve të arsimit të lartë.

Tv Klan