Protesta e studentëve përpara Kryeministrisë ka vazhduar edhe gjatë kësaj të premteje, në ditën e 10-të të saj. Ra në sy numri më i paktë i protestuesve se ditët e tjera.

Ata kanë përsëritur 8 kërkesat e tyre, për rritjen e buxhetit të arsimit, përgjysmimin e tarifës së shkollimit, vetting-un e pedagogëve dhe pjesëmarrje më të madhe në vendimmarrjen e universiteteve. Studentët i vunë një tjetër ultimatum qeverisë për të thirrur Kuvendin në një seancë të jashtëzakonshme deri në orën 16 për të miratuar pikat që i kanë parashtruar qeverisë.

Përgjigjen ua ktheu kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, i cili u është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese, por me kushtin që ata të hyjnë vetë në Kuvend e të vendosin me dialog paktin për miratimin e 8 pikave. Më e shkurtër ishte një tjetër ftesë për dialog që Kryeministri u bëri studentëve përmes Instagram-it.

Me skadimin e ultimatumit të dytë studentët bënë thirrje që të shtunën protesta të jetë mbarëkombëtare dhe ftuan bashkimin me ta, të të gjithë qytetarëve.

Studentëve të para Kryeministrisë iu bashkuan në mbrëmje edhe ky grup të rinjsh që përshkuan në këmbë rrugën nga Miloti në Tiranë në shenjë solidariteti me protestën.

Tv Klan