Studentët kanë vazhduar protestën e tyre në ditën e 11-të të saj, duke u grumbulluar sërish para Kryeministrisë. Këtë të shtunë atyre iu bashkua edhe grupi i banorëve që protestojnë kundër prishjes së shtëpive në zonën e Astirit, si dhe një grupim tjetër me protestues që kërkojnë uljen e çmimit të naftës.

Numri i protestuesve ishte dukshëm më i ulët se ditët e para. Studentët vazhdojnë të kërkojnë plotësimin e 8 pikave dhe thonë se nuk do të ndalen.

Kryeministri Edi Rama reagoi serish, duke postuar një foto nga protesta dhe duke thënë se bëhet fjalë vetëm për vetëm një grusht njerëzish, që nën presionin e partive politike po e mbajnë peng dialogun dhe mijëra studentë që duan plotësimin e 8 pikave.

“Historia tregon për shumë raste kur dialogut i janë trembur qeveritë. Po s’ka bërë vaki kurrë që t’i tremben studentët dhe studentët sot në fakt nuk i tremben Dialogut, po presioneve kundër Dialogut, sharjeve e fyerjeve ndaj kujtdo që kërkon Dialog, të cilat porositen nga partitë përmes studentësh që ia kanë shitur shpirtin politikës më të mbrapshtë. Sidoqoftë farksa e kësaj barrikade absurde kundër Dialogut s’ka për të zgjatur sa ka zgjatur”.

Kryeministri shpreh besimin se dialogu do të zhbllokohet dhe arsyeja do të fitojë për të hapur një kapitull të ri për Universitetin.

Tv Klan