ORA 18:50-Pas përfundimit të afatit që studentët i kishin vendosur qeverisë për të firmosur kërkesat e tyre, ata marshuan në tre drejtime të ndryshme. Kështu një grup protestuesish u drejtuan për nga rrethrrotullimi i Zogut të Zi, duke bllokuar qarkullimin.

Një pjesë tjetër u drejtua për tek Kryeministria, ndërsa grupi i tretë vazhdon të qëndrojë përpara Ministrisë së Arsimit. Pas përfundimit të afatit në orën 16:00, për firmosjen e 8 kërkesave të tyre, studentët shprehen të vendosur për të vijuar protestën pa afat.

Gjatë prononcimeve për mikrofonin e Tv Klan, një prej studentëve thotë se “

nuk kam për të shkuar në universitet pa u plotësuar të gjitha kërkesat e mia

”. Ndërsa një tjetër studente sugjeron se “

ajo që duhet të bëjmë është të bllokojmë rrugët, dhe aty, vetëm aty do ta kuptojë qeveria kush është rinia shqiptare.

Kryeministri është shprehur i gatshëm të plotësojë kërkesat e tyre, por ka kërkuar të bisedojë me ta. Nga ana tjetër, studentët mohojnë kategorikisht çdo dialog dhe negociatë me Kryeministrin Edi Rama, por kërkojnë vetëm zbatimin e kërkesave të paraqitura prej tyre. Në këtë protestë kanë ardhur edhe studentë nga disa prej Universiteteve të rretheve.

PROTESTA PARA ORËS 16:00

Studentët gjithashtu paralajmëruan dhe bllokimin e disa pikave kryesore që janë kryqëzimi i Piramidës me Bulevardin kryesor, kryqëzimin e Farmacisë nr.10, rrugën pranë Stacionit të Trenit, Sheshi Wilson dhe kryqëzimin tek Zogu i Zi.

Në një letër drejtuar Kuvendit, Kryeministrit, Ministres së Arsimit, Universiteteve Publike, studentët që protesojnë që prej një jave parashtrojnë këto 8 kërkesa:

1-

Rritja e buxhetit me 5 % e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-

Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-

Rritja nga 10 % në 50 %  e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-

Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-

Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- 

Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-

Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-

Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve

.

/tvklan.al