Pas debateve të ashpra, gazetari Belndi Fevziu i ka vënë përballë Kryeministrit Edi Rama edhe një student të verbër, i cili pasi nuk ka gjetur mundësi të paguajë tarifën e universitetit publik ka gjetur një bursë studimi në një kolegj privat.

Studenti: Pse nuk e zbatoni ligjin 80/98 për personat me aftësi të kufizuar që arsimi për ne të jetë falas? A interesohesh ndonjëherë për personat me aftësi të kufizuar? Çfarë bëhet me ta?

Edi Rama: Ligji ju njeh ju të drejtën dhe derisa kur shkoni në nivelin master e keni automatike (pagesën zero). Ndërsa në master janë universitetet që duhet ta bëjnë këtë gjë, por nuk e kanë bërë. Dhe kjo është diçka që unë e kam mësuar nga kjo protestë, siç kam mësuar edhe gjëra të tjera sepse unë nuk i di të gjitha. Dhe e dyta, universiteti ka një autonomi. Qeveria e financon, e monitoron, por qeveria nuk merr vendime për universitetin.

Studenti: Po kur thoni qorr e sakat, a e mendoni? Sa herë e keni përmendur fjalën qorr sot, pavarësisht se është mbiemri i Arlindit, si mund të ndihem unë që jam i verbër. Po sakat sa herë e ke thënë?

Edi Rama: Sakat?

Studenti: Po qorr, sakat. Sot nuk e ke thënë sakat, flas herët e tjera.

Edi Rama: Fjalën sakat se kam thënë asnjëherë.

Studenti: Ore ti nuk pranon asnjë gjë, s’di ça të them tani. Fjalën qorr sa herë e ke përmendur sot?

Edi Rama: Kam përmendur mbiemrin e një profesori që e ka Qorri, si t’ia them?

Studenti: Arlind, thuaji emrin, kur ai ka një mbiemër pak fyes ose diskriminues.

Edi Rama: Më vjen keq, por nuk duhet ta marrësh si fyerje mbiemrin e tij, ai ka një mbiemër të respektuar, kështu që nuk ka lidhje me verbërinë.

Studenti: Po ne të rrimë pa arsim? Çfarë do të bëhet me ne… Jemi rreth 100 e ca studentë që vazhdojmë studimet në Tiranë. Unë desha të regjistrohem në shtetëror, por nuk munda të paguaj tarifën dhe gjeta një kolegj privat që më mbuloi me bursë.

Edi Rama: Me buxhetin e ri ka 700 mësues ndihmës të personalizuar për fëmijët me aftësi të veçanta.

Rama tha se duhet të ketë një qasje ndryshe nga shteti për të gjithë studentët me aftësi të veçanta.

Për mua juve të gjithëve duhet tua paguajë shteti 100 përqind. Kështu mendoj unë dhe kështu do ta bëjmë. Por për këtë duhet të ulemi të diskutojmë. Edhe diçka për ju dhe të gjithë ata që thonë çojmë letra. Mos çoni letra, drejtohuni tek platforma ‘Shqipëria që duam’

”. /tvklan.al