Qeveria projekton shkrirjen e Akademisë. Reagon Senati: Është në shkelje të ligjit

Qeveria po përgatit vendimin për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Sipas projektit të propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, të gjitha asetet, si pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të këtij institucioni, i kalojnë në varësi, Akademisë e Shkencave.

Njësitë kryesore ekzistuese, Qendra Kërkimore e Enciklopedisë Shqiptare dhe Botimeve dhe personeli akademik, aktualisht pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, sipas propozimit, duhet të riorganizohen si njësi të kërkim-studimit deri 31 Dhjetor të vitit 2023.

Pasi zbuluan se çfarë po ndodhte, anëtarët e senatit të Akademia së Studimeve Albanologjike e kanë kundërshtuar projektvendimin e përgatitur nga Ministria e Arsimit duke e cilësuar në kundërshtim me ligjin. Në një shkresë të përgatitur nga Senati e firmosur nga rektori i Akademisë, Luan Përzhita, kërkohet tërheqja e kësaj nisme.

Sipas Përzhitës, ky vendim do të ndërpresë karrierën e afro 100 studentëve dhe do të anulonte 45 marrëveshjet ndërkombëtare. Sipas udhëzimit të ministrisë, studentët doktorantë të padiplomuar, do të transferohen në institucione të tjera të arsimit të lartë vendase apo të huaja që ofrojnë programe të ngjashme studimi.

Një reagim e pati edhe anëtarja e bordit të administrimit, Ledi Shamku.

Akademia e Studimeve Albanologjike u krijua në mars të vitit 2008 në kuadër të ristrukturimit e të modernizimit të sistemit universitar dhe akademik shqiptar.

Akademia u formua nga bashkimi i katër Instituteve: i Arkeologjisë, Gjuhësi dhe Letërsi, Historisë dhe Kulturës. Gjithashtu janë dhe 2 njësi kërkimore, studimi i Artit dhe Enciklopedia Shqiptare.

Klan News