Hulumtimet tregojnë se ato thereshin dhe ruheshin në kushte jo higjienike para se Covid të përhapej

Kafshët që u tregtuan në tregjet e Wuhanit, po cilësohen sërish si një nga shkaqet që mund të ketë ndikuar në përhapjen e COVID-19.

Një hulumtim i ri i botuar nga “Scientific Reports” nxjerr në pah rreziqet e sëmundjeve nga tregtia e botës së egër të Kinës. Studimi tregon se 38 specie u shitën në 17 tregje në Wuhan midis Majit 2017 dhe Nëntorit 2019. Studimi vë në dukje higjienën e ulët, me të cilën ato janë tregtuar, gjë që shton edhe rreziqet shëndetësore.

Më shumë se 47,000 kafshë të gjalla ishin për shitje në tregjet në Wuhan në dy vjet e gjysmë para se rastet e para të COVID-19 të raportoheshin në qytet në fund të vitit 2019.

Shumë nga rastet më të hershme të COVID-19 ishin të lidhura me tregun e ushqimeve të detit Huanan në Wuhan. Sidoqoftë, disa infeksione të hershme mund të jenë të lidhura me tregjet e tjera të Wuhan, ku u zbulua edhe koronavirusi, duke rritur kështu mundësinë se virusi mund të ketë qarkulluar shumë më herët ndoshta përmes trafikimit të kafshëve të egra.

Një studim i përbashkët i OBSH-Kinë i botuar në fund të Marsit tha se nuk kishte raporte të verifikuara se gjitarë të gjallë ishin në shitje në tregun Huanan në 2019, megjithëse shtoi se kishte prova se ata ishin shitur atje në të kaluarën.

Pretendimet se COVID-19 mund të ketë dalë nga një laborator i Wuhan që studion koronavirusin vijojnë, por qeveria kineze ende beson se COVID-19 e ka origjinën tek lakuriqët e natës. Megjithatë shumë ekspertë në Britani dhe Kanada kanë treguar se nuk ka prova që lakuriqë të natës të ishin shitur në Wuhan, por qentë, rakunët, ketrat dhe dhelprat ishin të gjitha në treg.

Pas shpërthimit të parë COVID-19 në Wuhan, Kina mori masa ndaj trafikimit të kafshëve të egra dhe mbylli tregjet e objektet e shumimit të tyre. Megjthatë ajo vijon të lejojë rritjen e disa kafshëve për t’u marrë atyre leshin ose për të bërë ilaçe tradicionale kineze.

Klan News