Vdekjet e shkaktuara nga COVID-19 në Itali ndodhin në një hark kohor prej tetë ditësh pasi pacientët shfaqin simptomat e para, sipas një raporti të qeverisë italiane.

Gjetjet bazohen në të dhënat deri në 17 Mars. Dokumenti, botuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Italian, nënvizon se mesatarisht duhen katër ditë nga koha kur pacientët shfaqin simptomat e tyre të para, deri në shtrimin në spital dhe katër ditë të tjera deri sa humbin jetën.

Sipas këtij raporti, mosha mesatare e viktimave italiane është 80.5 vjeç, ndërsa mosha mesatare për ata të infektuar është 63 vjeç.

Gratë përbëjnë vetëm 30% të totalit të viktimave dhe mosha mesatare e tyre është më e lartë se burrat, 83.6 vjeç.

Qeveria gjithashtu zbuloi se shumica e njerëzve kishin dy ose tre patologji ekzistuese para se të infektoheshin me koronavirus, mes të cilave tensioni i lartë i gjakut, i ndjekur nga problemet e zemrës dhe diabeti.

Komplikacionet më të zakonshme të shkaktuara prej COVID-19 përfshijë vështirësi në frymëmarrje, që është ajo më kryesorja e cila ndodh në 97.2% të rasteve. Dëmtim i mëlçisë dhe zemrës ishin ndërlikimet e dyta dhe të treta më të zakonshme. /tvklan.al